19.8 C
Prizren
E martë, 16 Prill, 2024

Gjakmarrja, plaga e pashërueshme e shoqërisë sonë

Marrja e gjakut të një të vrari ose gjakmarrja, në Shqipëri mund të përfshijë vrasje deri në breza të tërë.

Shpeshherë, kalon aq shumë kohë saqë harrohen edhe detajet e shkakut, por akti mbetet aty, i ngulitur në mendjet e familjarëve.

Sipas statistikave të kryera nga shoqata “Gjenerata e Re”, me ndihmën e autoriteteve policore dhe OSHEE-së, janë gjashtë qarqe të prekura nga kjo dukuri: Shkodra, Kukësi, Dibra, Lezha, Tirana dhe Durrësi.

Deri në vitin 2018 gjendeshin 704 familje të prekura nga gjakmarrja, nga të cilat 591 jetojnë në Shqipëri, ndërsa 113 prej tyre të larguara jashtë vendit.

E gjithë kjo vjen si pasojë e ligjeve të Kanunit të Lekë Dukagjinit. Ligje, të cilat zbatohen edhe sot.

Kanuni i Lekë Dukagjinit ose Kanuni i Malësisë, siç njihet ndryshe, është përmbledhja e ligjeve, rregullave, zakoneve shqiptare të Shqipërisë së Veriut në një libër.

Për Albanian Post, Berti, një djalosh 18-vjeçar, nga fshatrat e Pukës, rrëfen sesi familja e tij hyri në gjak me një familje tjetër, fqinje.

Ngjarja ka ndodhur rreth 25 vite më përpara. Ai tregon sesi gjithçka filloi pas një grindjeje.

Gjyshi i tij, Ndoja, kishte debatuar me një person tjetër. Ky i fundit e kishte qëlluar me armë, por për fat të mirë gjyshi i kishte shpëtuar plumbit. Më pas, në gjaknxehtësi e sipër, ai ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar mbi fqinjin.

Sipas Bertit, në vendngjarje ishin vetëm gjyshi i tij, viktima dhe disa kushërinj të këtij të fundit.

Pas kësaj, të dyja familjet do të hynin në gjak. Por, sipas një njohësi të Kanunit, Mark Toma, kjo ngjarje mund të shmangej. “Familja e gjyshit të Bertit, nuk duhej të ishte në gjak, për vetë faktin  se situata ka shkuar plumb për plumb”, sqaron Toma.

Toma tregon se si dy familje mund të shuajnë gjakun mes tyre. “Për të shuar konfliktin, midis të dyja familjeve ndërhyn një pajtues gjaqesh”, thotë interpretuesi i Kanunit.

Edhe në rastin e familjes së Bertit, u përfshi një pajtues gjaqesh, për të rregulluar situatën midis dy familjeve. Por, sipas familjes së djaloshit dhe Mark Tomës, njërës palë iu bë një dredhi.

Gjatë “pleqërimit” të të gjithë rrëmujës, pajtuesi e nxori familjen e Bertit fajtore.

Keqinterpretimi apo manipulimi nga të ashtuquajturit “ekspertë” të Kanunit, sipas interesave të tyre, nuk ka arritur qëllimin për të ndaluar derdhjen e gjakut.

Berti tregon se cili do të ishte çmimi që do të paguante familja e tij.

“Fakti që familja jonë kishte pasuri, ndikoi që pajtuesi i gjaqeve ta fajësonte familjen. Siç më kanë treguar, dy ishin mundësitë: ose të largoheshin dhe të gjithë pasurinë t’ia linin familjes së viktimës, ose të ngujoheshin dhe të prisnin çdo ditë vdekjen”.

Familja e Bertit nuk e pranonte fajin, pasi gjyshi këmbëngulte se ishte viktima, ai që qëlloi i pari. Kushërinjtë e viktimës, edhe pse qenë dëshmitarë të ngjarjes, pohonin të kundërtën.

Për më shumë se 18 vite, nga të dyja familjet, janë vrarë pesë meshkuj, ndërsa një tjetër ka mbetur i paralizuar .

Diku nga viti 2014, rrëfen Berti, të moshuarit e dy fiseve u mblodhën përsëri, duke e mbyllur hasmëritë mes dy familjeve.

“Familja e pajtuesit të gjaqeve, që kontribuoi më shumë në përkeqësimin e grindjeve midis dy familjeve, u detyrua të kërkonte falje tek të dyja palët e përfshira në konflikt. Kështu u fal edhe gjaku, edhe pse pas 18 viteve”, thotë Berti.

Për fat të mirë, djaloshi nuk do e përjetonte ndjenjën e ngujimit, apo frikën se jeta e tij ishte në fije të perit, duke qenë se mbrohej nga Kanuni, i cili parashikon mbylljen e hakamrrjes kur shuhet gjaku.

Por, ka raste që djemtë e shumë familjeve në gjak, edukohen që, kur të arrijnë në një moshë të rritur, të vrasin hasmin.

Fondacioni “JO gjakmarrjes, PO jetës”, i krijuar prej Elona Prroj, ka si qëllim luftimin me çdo mënyrë të fenomenit të gjakmarrjes. Prroj është nëna e dy fëmijëve, të cilës gjakmarrja i ka trokitur në derë, duke i marrë jetën bashkëshortit të saj, Dritanit.

Vetëm disa ditë pas vrasjes së bashkëshortit të saj, ajo u bëri thirrje nënave shqiptare që “ne, si nëna, jemi thirrur të japim jetë dhe jo të inkurajojnë fëmijët tanë të marrin jetën e dikujt tjetër”.

Sipas një publikimi nga institucioni i Avokatit të Popullit, gjakmarrja mund të luftohet me efektivitet “vetëm në qoftë se strukturat shtetërore, shkollat, komunitetet fetare, media dhe shoqëria civile do të punojnë në një zë sipas një strategjie të përbashkët”.

Kjo, pasi fenomeni vazhdon të ekzistojë. Edhe pse në shekullin XXI, ka përsëri fëmijë të ngujuar, ka përsëri gra të veja dhe ka përsëri burra që vriten…

Albanianpost.com

Më Shumë

Kirurgu i Spitalit të Prizrenit, Zgjim Berisha aderon në Vetëvendosje

Kirurgu i Spitalit Regjional të Prizrenit, Dr. Zgjim Berisha ka aderuar në Lëvizjen Vetëvendosje në Prizren. “Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren çdo ditë e...

Enea Koliqi, ‘Ylli i javës’ në Superligë

Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i javës”. Ky çmim për javën e 29-të...

Lajmet e Fundit