Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sonte në Prizren rreth orës 17:00.

Gjendja e të plagosurve është stabile.

“Janë dy të lënduar, të plagosur me armë zjarri. Njëri është i moshës 61-vjeçare, që ka marrë plagë në abdomen dhe këmbë. Ndërsa tjetri është 28-vjeçar që ka marrë plagë në këmbën e majtë. Të dy janë duke marrë trajtim në Emergjencë. Aktualisht, të dy janë gjendje stabile por do duhet trajtim i mëtejmë, ndoshta edhe kirurgjik”- tha drejtori i Spitalit të Prizrenit, Afrim Avdaj.

Avdaj, poashtu mohoi një informacion të pakonfirmuar i cili thoshte se i lënduari 61 vjeçare kishte ndërruar jetë në spital.

“Për momentin nuk kam një informacion të tillë. Do të iu njoftojmë për çdo zhvillim por gjendja aktuale e të lënduarëve është stabile”.

Ndërkaq, më herët zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj tha se dyshohet se tentimin për grabitje e bënë tre persona të armatosur.

“Në rrugën ‘Adem Jashari’ ka ndodhur një tentim-grabitje në një argjentari. Të dyshuar janë rreth 3 persona te armatosur, të cilët kanë ikur nga vendi i ngjarjes”, tha Osmanollaj.

Persona të armatosur me armë të gjata gjatë tentimit për të grabitur një argjendari në rrugën “Adem Jashari” në Prizren kanë plagosur pronarin e biznesit dhe djalin e tij.

Zëdhënësi i policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj në një prononcim nga vendi i ngjarjes thotë se grabitësit pas tentimit për grabitje janë larguar me një veturë në drejtim të Suharekës.

“Grabitësit në largim e sipër kanë aksidentuar një automjet. Automjeti i tyre me këtë rast është djegur. Ata më pas kanë marrë një tjetër automjet dhe janë larguar. Ka pasur edhe të shtëna në drejtim të organeve policore por për fat të mirë nuk ka pasur të plagosur”, tha Osmanollaj.

“Apelojmë te qytetarët që të na ndihmojnë për të identifikuar të dyshuarit”, deklaroi tutje Osmanollaj.

Derisa Kryeprokurori i Prizrenit thotë se grabitësit kanë qenë të pajisur me armë të gjata.

“Ata kanë tentuar të grabisin argjendarinë, derisa kanë hasur në rezistencë nga pronarët e biznesit me çrast nga pala e dëmtuar kemi dy të plagosur. Grabitësit nuk kanë mundur të grabisin diçka”, ka deklaruar Kryeprokurori./Telegraf