14.8 C
Prizren
E premte, 11 Tetor, 2024

Gjinovci, fshati që i dha Komunës së Suharekës dy kryetarë

Gjinoci është fshat i vjetër, historianët thonë se ka mbi 300 vjet, por gojëdhënat thonë se ky fshat është shumë më i hershëm. Ramadan Haxhijaj, aktualisht drejtor shkolle, tregon se fshati është djegur dy herë nga ushtritë serbe, më 1941 dhe më 1999. Në vitin 1999 mbeten të padjegura vetëm 8 shtëpi të vjetra. Është garantuar ambulanca, xhamia është rrënuar tërësisht. Shkolla është gjuajtur me plumba dhe është demoluar.

 

Mirëpo, po shkove sot në atë fshat do të mbetesh i mahnitur, sepse atje tashëm ka ndërtime të bukura, banorët e këtij fshati me angazhime të shumta kanë bërë që fshati të jetë një fshat plot ndërtime. Haxhijaj tregon për “Kosova Sot” se ” regjistrimi i fundit shënon 3.490 banorë. Prej tyre jetojnë e veprojnë në vende të tjera 1256 banorë, që është edhe njëra nga brengat e këtij fshati dhe gjithë Kosovës. Shkolla për herë të parë është hapur në vitin 1928 në gjuhën serbokroate, kurse në gjuhën shqipe është hapur në vitin 1943. Mësuesi i parë ka qenë Qemajl Muslia nga Shkupi,pastaj Abdrrahim Hoxha nga fshati BicajKukës. Shkolla e Gjinocit është pavarësuar nga shkolla e Suharekës në vitin 1968, kurse në vitin 2012 është ndërtuar objekti i ri. Punojnë vetëm me një ndërrim. Viti 2016/2017 shënon 368 nxënës, nga parafillorët deri në klasat e 9- ta dhe ka 24 mësimdhënës. “Sipas regjistrimit të vitit 2011, fshati kishte 480 shtëpi banimi me 3490 banorë. Ky padyshim se është një numër i madh që këtë fshat e fut në mesin e fshatrave të mëdha”, thotë Ibrahim Zeqiraj. Fshati tashmë ka një pamje të bukur dhe me shtëpi të reja. Mirëpo, drejtori Haxhijaj pohon ajo që është brengë e këtij fshati është kurbeti. Kurbeti tashmë ka zbrazur shtëpitë këtu, si në gjithë Kosovën po zbraz shtëpi dhe po zbraz edhe klasa e mësonjëtore.

 

Fshati tashëm është me një karakteristikë, sepse Komunës së Prizrenit që nga pas lufta i ka dhënë dy kryetarë komune. Sali Asllanin ia dha me tri mandate, përderisa tani po nga ky fshat është i pari i Komunës, Bali Muharremaj. Vetë banorët janë të kënaqur me zhvillimet ekonomike që janë bërë këtu. Ata thonë se banorët e këtij fshati janë shumë punëtorë. Ata punojnë dhe asnjëherë nuk lodhen nga puna. Fshati tashmë i ka edhe nevojat primare, si shkollë, ambulancë, por disa nga banorët pohojnë se fshati ka nevoja akoma, por ata thonë se pasi “ne po e kemi kryetar njeriun e fshatit tonë, shpesh po na mohohet e drejta për të kërkuar investim si në fshatra të tjera”. Të rinjtë Agimi, Albani,Miftari e të tjerë derisa ishin në një lokal, thanë: “Ne jemi këtu dhe tashmë ka kushte të mira, por papunësia, si kudo në Kosovë, edhe neve na ka prekur kjo sëmundje”. Ata thanë se po patën mundësi të gjejnë punë dhe perspektivë në vend nuk do të dëshironin të largohen nga Kosova, por nëse nuk gjejnë ndonjë punë, atëherë do të detyrohen të largohen pa dëshirën e tyre, sepse duhet menduar edhe për të ardhmen, e cila tash për tash këtu nuk është dhe aq e ndritshme.

 

(Kosova Sot)

Më Shumë

AUV mbyll një operator ilegal në Prizren për trajtimin e nënprodukteve shtazore, largon 500 kilogramë produkte

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), pas një raportimi nga qytetarët, ka zbuluar se një biznes po operonte ilegalisht në trajtimin e nënprodukteve të...

U shkarkua nga PDK-ja në Malishevë, kjo është fotoja me Limajn që ia pa “sherrin” asamblistja

Pak më parë, dega e PDK-së në Malishevë e ka shkarkuar Mirlinda Gashin nga pozita e shefes së asamblistëve në Kuvendin Komunal të Malishevës. Shkarkimi...

Lajmet e Fundit