11.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Gjykata e paprecedent?!

Nga Fetnete Ramosaj

Dy fjalë rreth Gjykatës Speciale (1)

– Një gjykatë që i paragjykon krimet në baza etnike e bën selektime brenda llojit do të ishte e paprecedent

Në seancën e 26 qershorit, Kuvendi i Kosovës nuk i miratoi ndryshimet kushtetuese që do ta mundësonin themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, e cila parashihej t’i gjykojë në mënyrë selektive vetëm ish-pjesëtarët e UÇK-së. Themelimi i një gjykate të tillë që i paragjykon krimet në baza etnike, madje jo vetëm në baza etnike, por bën edhe selektime brenda llojit, do të ishte i paprecedent, i padrejtë, i njëanshëm, racist e, mbi të gjitha, një veprim jojuridik, por skajshmërisht politik dhe si i tillë do të përbënte shkelje të rëndë të lirive dhe të drejtave të njeriut, njëkohësisht do ta cenonte rëndë sovranitetin e shtetit të Kosovës. Debatet e gjata që e përcollën këtë çështje para se të vihej në rend dite, gjatë seancës në Kuvendin e Kosovës, por edhe më shumë pas moskalimit të saj, vunë në pah qëndrimet për dhe kundër të palëve. Partitë e opozitës AAK, NISMA e Vetëvendosje! (ndonëse kjo lëvizje kur ishte publikuar raporti i Dick Martyt në dhjetorin e vitit 2010 kishte dalë në mbështetje të tij), në rastin e fundit u pozicionuan me kohë kundër votimit për themelimin e kësaj gjykate, ndërkaq vendimtare ishin votat e deputetëve të partisë së pozitës PDK-së, të cilët votuan kundër apo abstenuan. Natyrisht, po të vepronin ndryshe, përkundër rrethanave me të cilat mund të jenë përballur, do të shkelnin rëndë besimin e dhënë nga elektorati i rajoneve që i përfaqësojnë, që kanë pësuar aq shumë nga lufta e nuk kanë marrë drejtësi. Për këtë mund të bindet secili që vendosë të ndajë vetëm ndonjë orë nga koha e çmuar e tyre dhe të takojë njerëzit e prekur nga lufta në terren.

Kishte dhe ka zëra nga ata që me opinionet e tyre u vunë në shërbim të themelimit të sa më të shpejtë të një gjykate te tillë se kjo gjykatë po na vije peshqesh pasi që Kosova s’e paska dënuar asnjë “kriminel lufte”! Po t’i dëgjojë apo t’i lexojë dikush që nuk ka njohuri për periudhën e pasluftës në Kosovë mund edhe të bindet në deklarimet e tilla, aq më tepër kur kjo klasë abuzon edhe me emrat e miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë sa herë që dëshiron ta bindë dikë për deklarimet e veta! Por, po t’u referohemi fakteve, realiteti është ndryshe! Pothuajse të vetmit që janë arrestuar, gjykuar e dënuar, por edhe mbajtur në burgje me vite të tëra pa aktgjykime të plotfuqishme janë ishte pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Janë të paktën shtatë mijë ish-pjesëtarë të UÇK-së nga e gjithë Kosova, që kanë kaluar nëpër organet e hetuesisë e të gjyqësisë së UNMIK-ut e të EULEX-it, të akuzuar, të gjykuar, por edhe të dënuar për krime lufte, megjithëse drejtësia nuk ka mundur t’i materializojë akuzat e ngritura kundër tyre. Natyrisht të gjitha këto akuza janë hartuar e përpunuar në Beograd, por ku implikohen edhe segmente të caktuara vendore. Pothuajse të gjitha deklaratat paraprake “të dëshmitarëve” të përdorur në gjykata kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së janë dhënë në Serbi. Për shembull të të akuzojnë se ke vrarë dikë, që nuk i dihet emri as mbiemri, pra që nuk ka identitet, vetëm në bazë të një dëshmie të një dëshmitari, siç ndodhi ditë më parë në procesin gjyqësor në rastin Drenica, nuk ndodh as në vendet më të prapambetura të botës, por lejohet dhe tolerohet të ndodhë në Kosovë vetëm kundër ish-UÇK-së!

Një gjykatë e tillë speciale ndërkombëtare, në formatin në të cilin po i imponohet Republikës së Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare, natyrisht pas presioneve disavjeçare të Serbisë agresore e të Rusisë, është i paarsyeshëm dhe i papranueshëm. Se Evropa është e interesuar për zgjidhje të lehta dhe të shpejta, edhe pse tepër të padrejta në raport me shqiptarët, kjo nuk është hera e parë për ne që e provojmë në kurriz, por duhet pranuar edhe përgjegjësitë për mospunën tonë institucionale për argumentimin real të krimeve të luftës dhe akteve të gjenocidit gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), madje jo vetëm gjatë kësaj periudhe.

E kam thënë edhe herë të tjera se vëllezërve shqiptaro-amerikanë Yll, Agron e Mehmet Bytyçi, luftëtarë të Batalionit “Atlantiku” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qoftë edhe për së vdekuri është për t’ua pasur lakmi, po lakmi për interesimin dhe këmbënguljen që e bëjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të vet. Mbase po të mos ishte ky rast, vështirë se do të zbuloheshin varrezat masive me trupa të shqiptarëve në Serbi, përkatësisht në afërsi të Beogradit (Zemun-Batajnicë e Petrovo Sello), aq mirë të maskuara nën asfaltin e vendqëndrimeve të njësiteve elite të policisë e të ushtrisë së Serbisë, që siç u shpreh një vit më parë kryeministri serb, vozhdi çetnik Aleksandar Vuçiq, i kishin “paluar si sardele”! Janë më shumë se 40 veta, që do të duhej të përgjigjeshin para drejtësisë vetëm për rastin e vëllezërve Bytyçi. Këto të dhëna nuk janë të sotme, por që nga viti 2001 dosja e vrasjes së vëllezërve Bytyçi është në duart e drejtësisë serbe, por edhe në OKB, por askush nuk është dënuar për vrasjen e tyre. Ndonëse në vrasjen e vëllezërve Bytyçi, e më pas në fshehjen e kufomave të tyre, sikurse edhe në rastet e mijëra shqiptarëve të tjerë, faktet e pakontestueshme dëshmojnë se janë të implikuara instancat më të larta të shtetit serb, i gjithë zinxhiri komandues i policisë dhe i ushtrisë serbe, ka më shumë se një dekadë që as ky rast nuk ka marrë drejtësi, sepse Serbia vazhdon t’i mbrojë me fanatizëm kriminelët e luftës. Tek e fundit ata kanë vepruar nën platformën serbomadhe, e përgatitur e elaboruar dhe e zbatuar gjatë më shumë se 150 vjetëve nga strukturat më të larta kishtare, akademike e politike serbe, që kanë pushtet absolut edhe sot e kësaj dite në Serbi, të përforcuar edhe më shumë me fitoren e vozhdëve çetnikë në zgjedhjet e fundit në Serbi.

Kur jemi këtu nuk duhet lënë pa përmendur se që nga plan-programi serbomadh “Naçertanije” i Garashaninit (1844) e deri në ditët tona janë të njohura 24 programe serbomëdha, të cilat e parashohin në detaje shfarosjen e shqiptarëve, duke i aplikuar të gjitha aktet e gjenocidit. Po ndalemi kësaj radhe vetëm tek njëri prej këtyre programeve, i hartuar edhe nga drejtuesit e sotëm të Serbisë.

Në vitin 1995, kryeministri i sotëm serb, Aleksandar Vuçiq, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Radikale Serbe (SRS), së bashku kryetarin e partisë, Vojisllav Sheshelin, nënkryetarin Tomisllav Nikoliqin, dr. Nikolla Poplashenin, Maja Gojkoviqin, Ranko Dujiqin e Aqim Vishnjiqin e hartuan dhe e nënshkruan platformën antishqiptare – programin e “Drejtoratit Qendror Atdhetar të Partisë Radikale Serbe” (SRS), me titull “Si do ta zgjidhin serbët problemin e Kosovës”, i cili në detaje parashihte si duhet të bëhet spastrimi etnik i Kosovës nga popullsia shqiptare dhe kolonizimin me gjysmë milioni serbë, parashihte që Prishtina të ishte kryeqyteti i Serbisë, që këtu të vendoseshin qendrat e forcave ushtarake e policore të Serbisë, që përqindja etnike e popullsisë me të gjitha mjetet të ndryshohej dhe të sillej në shkallën 50:50, etj. Pjesë të kësaj platforme serbe edhe sot po tenton t’i jetësojë qeveria Vuçiq!

Kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte, në aktakuzën e ngritur kundër Sllobodan Millosheviqit dhe grupit të tij të afërt, i akuzoi ata vetëm për 17 varreza masive, duke i lënë jashtë aktakuzës edhe 483 varreza të tjera masive me trupa shqiptarësh, që i lanë pas vetes forcat serbe pas kapitullimit të tyre në luftën e Kosovës. Askush nuk është përgjigjur as për varrezat masive me trupa të shqiptarëve, të zbuluara në afërsi të Beogradit që nga viti 2001 e këndej (në Batajnicë e Petrovo Sello), varreza masive në Rudnicë të Rashkës, të cilën përkundër fakteve të pakontestueshme për vendndodhjen e saj, e mohoi dhe e zvarriti aq gjatë Serbia; autofrigoriferët e zbuluar me kufoma të shqiptarëve në lumin Danub dhe në Liqenin Peruçac në Serbi; dëshmitë për djegien e kufomave të shqiptarëve në fabrikën e Maçkaticës e të Surdulicës (në afërsi të Vranjës); pastaj djegiet e kufomave në shkritoret e Trepçës e në Furrnaltat e Obiliqit në Kosovë dhe në një varg krematoriumesh të tjera, janë vetëm disa nga treguesit për rastet e shumta të përpjekjeve të organeve më të larta shtetërore të Serbisë për fshehjen e organizuar të dëshmive për krimet të luftës dhe akteve të gjenocidit, të kryer nga forcat okupuese serbe në Kosovë. Rastet e tilla edhe sot e kësaj dite në Serbi vazhdojnë të konsiderohen “sekret shtetëror”, madje moszbulimi dhe mosgjurmimi i tyre në territorin e Serbisë në vitet paraprake ishte urdhëruar edhe me dekrete presidentësh. Gjithashtu, vite më parë nga përtej Atlantikut, u ofruan dëshmi rrëqethëse lidhur me eksperimentimet e bëra me robërit shqiptarë të luftës në vend të minjve në laboratoret nëntokësore të VMA-së (Akademisë Ushtarake të Mjekësisë) dhe të Institutit për Siguri të ish-RSFJ-së në Beograd, por askush nuk është marrë me këtë çështje. Për këtë, vite më parë opinionit publik i kemi ofruar edhe një dëshmitar të gjallë, ish-pjesëtar i UÇK-së, rob i luftës, i cili gjatë vitit 1999 i ishte nënshtruar trajtimit të dhunshëm për marrjen e veshkës në Akademinë Ushtarake të Mjekësisë (VMA), derisa mbahej në Burgun Qendror (CZ) në Beograd.

Dihet botërisht se gjatë tërë kohës së pasluftës në Kosovë, administrata ndërkombëtare ka imponuar “një ligj të pashkruar”, për minimizimin dhe mohimin e krimeve serbe mbi shqiptarët. Madje, ajo ka shkuar edhe më larg. Me të gjitha mjetet është përpjekur t’i shkatërrojë dëshmitë që do të argumentonin gjenocidin serb në Kosovë. “Shumë prova u fshehën, por edhe u pengua grumbullimi i të tjerave nga UNMIK-u”, kanë deklaruar njohës të mirë të rrethana brenda këtij misioni. Nga dikur viktima, propaganda serbo-ruse dhe ajo e UNMIK-ut, ndikuan që Perëndimi të fillojë t’i shohë shqiptarët si viktimizues e serbët si viktima. Skenari kryesor u realizua nga UNMIK-u nëpërmjet fshehjes së provave të gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve. Dhe për këtë, fatkeqësisht, deri më sot askush nuk kërkoi as nuk dha llogari.

Me të gjitha proceset gjyqësore që kanë të bëjnë me krime të luftës në Kosovë, është marrë ekskluzivisht bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht UNMIK-u e më pas EULEX-i, të cilat deri më tani rezultojnë të jenë tepër të njëanshme. Në një raport të publikuar në gazetën “Koha Ditore”, më 26 mars 2011, thuhej se “pesëfish më shumë shqiptarë sesa serbë janë dënuar për krime të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, edhe pse gjatë luftës llogaritet të jenë vrarë mbi 12 mijë shqiptarë e rreth 800 serbë”. Pra, gjatë dekadës së parë të pasluftës, raporti etnik i të dënuarve për krime lufte në Kosovë ishte 5:1, ndërkaq pesë vjet më vonë, nuk përjashtohet fakti që kjo diferencë është edhe më e madhe. Pra, pesëfish më shumë janë gjykuar e dënuar shqiptarë, edhe pse në shumicën e rastet gjyqi nuk ka mundur t’i argumentojë akuzat e ngritura kundër tyre. Përmasat e tilla të gjykimeve, kanë ndodhur falë përfaqësuesve “të drejtësisë” ndërkombëtare, të tipit të kryeprokurorit shumëvjeçar të EULEX-it, Mauricio Salustro, i shquar për zellin e tij në proceset e shumta gjyqësore kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, i cili pas përfundimit të mandatit në Kosovë, doli se gjeti punë të re (mbase mund të jetë punë edhe më e hershme se detyra zyrtare që e kishte në Kosovë) dhe atë ku tjetër pos në Beograd, në cilësinë e këshilltarit kryesor të zëvendësprokurorit për krime lufte të Serbisë, Bruno Vekariq, ku thuhet se nuk ka shkuar duarthatë, por ka marrë me vete të gjitha dosjet e krimeve të rënda, që i kishte në duar gjatë punës së tij të dyshimtë në Kosovë! Se kjo kategori e dosjeve kanë përfunduar nga Kosova në Beograd, e ka vërtetuar kohë më parë edhe prokurorja britanike e EULEX-it, Maria Bamieh, krahas skandaleve e shkeljeve të tjera të shumta, të bëra nga ky mision. (VIJON)

(Autorja është bashkëpunëtore profesionale në Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës – Prishtinë)

Më Shumë

PSG po kërkon portier, në listë edhe ylli kosovar që po shkëlqen me pritjet e tij

Gianluigi Donnarumma është portieri titullar i PSG-së dhe ai bën pjesë në planet e parisienëve edhe për të ardhmen. Megjithatë kampioni në fuqi i Francës...

Abdixhiku në Suharekë: LDK-ja ka program që u përgjigjet çështjeve të dekadës e rindërton aleancat

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka vizituar qytetin e Suharekës dhe fshatrat Sopijë e Budakovë.   Nga atje, Abdixhiku tha se tek familjarët e kryefamiljarët shtroi...

Lajmet e Fundit