1.8 C
Prizren
E martë, 31 Janar, 2023

Gjykimi për keqpërdorime lidhur me ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Zhur, palët propozojnë prova të reja

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën, në gjykimin ndaj të akuzuarve Almir Saiti, Muhamet Bajrami, Drenusha Behluli Mehmeti dhe Hatixhe Përzhella, mbrojtësit e të akuzuarve Bajrami dhe Përzhella, avokatët Rexhep Kabashi dhe Ruzhdi Berisha dhe prokurori Genc Nixha kanë propozuar prova të reja.

Në këtë rast, Saiti, Bajrami, Behluli- Mehmeti dhe Përzhella po akuzohen për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokati Kabashi ka propozuar që si prova të lexohen kontratat, kushtet e përgjithshme – pjesa II e Kontratës e cila është pa datë dhe pa nënshkrime të palëve, ndërtimi i shtëpisë së kulturës – faza e dytë në fshatin Zhur Pjesa e I e kontratës dhe Aneksi i kontratës.

Po ashtu, ai ka propozuar që të lexohen të gjitha procesverbalet dhe faturat për ekzekutimin e pagesave për operatorin ekonomik “NTP- Elshani” për punët e kryera.

Ndërsa, avokati Berisha ka propozuar që të bëhet shikimi në kontratën, kushtet speciale dhe anekset e ndërlidhura bashkë me paramasat dhe parallogaritë për zhvillimin e punimeve nga kjo kontratë, në njoftimin e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, raportet e vizitës në punishte të përpiluara nga e akuzuara Përzhella, dy komunikime të akuzuarës Hatixhe Përzhella me operatorin ekonomik OE (Kosova ERH “Kotori”).

Gjithashtu, i njëjti ka propozuar të bëhet shikimi në procesverbalin për pagesën e pjesës së parë të projektit më 23 gusht 2013 bashkë me faturën tatimore të të njëjtës datë dhe përmasat dhe parallogaritë për pjesën e parë të projektit, të bëhet shikimi në raportin e organit të mbikëqyrës për pagesën e faturës nr. 16/03 punimet e pjesës së dytë të projektit të datës 5 dhjetor 2013 bashkë me faturën tatimore të datës 3 dhjetor 2013 si dhe situacionet e punimeve të kryera në projektin në fazën e dytë dhe prova të tjera të cilat do ti dorëzoj pranë kësaj gjykate.

Kurse, prokurori Nixha ka thënë se do ti dorëzojë tri dokumente të cilat janë në kallëzim penal, ndërsa njëra është pjesë e ekspertizës financiare Hamdi Kastrati, ku mënyrë të specifikuar ka tregu për punimet e pakryera dhe pagesat të cilat janë bërë nga secili i akuzuar.

Po ashtu, Nixha i ka dorëzuar si prova evidencën e pagesave të bëra nga operatori ekonomik “Alkom Construction” shpk në Prizren, projektantit NSHT “Diarko” shpk Prizren, npt “Elshani” shpk nga fshati Medvec i Komunës së Prizrenit, “Kosova ERH & Kotori”, shpk dhe NNT “Toni” shpk nga fshati Kravasari i Malishevës për ndërtimin e shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, Komuna e Prizrenit dhe Raportin e Drejtorisë për Rini, Kulturë dhe Sport.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Xheladin Osmani seancën e sotme e ka ndërprerë me kërkesë të palëve, kurse seanca e radhës është caktuar të mbahet sipas ditarit të punës më 13 dhjetor 2022.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 16 prill 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Almir Saitit, Refki Muzbegut, Muhamet Bajramit, Hatixhe Përzhellës dhe Drenusha Behluli-Mehmetit për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, Almir Saiti akuzohet se gjatë periudhës 2010 e deri më 22 tetor 2015, duke mos i përmbush detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.

Në aktakuzë thuhet se kjo ka ndodhur në atë mënyrë që i caktuar si menaxher-drejtor i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e parë ka qenë i përcaktuar operatori ekonomik “Alkom-Konstruksin” nga Prizreni, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në gjashtë raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 324 mijë e 623 euro e 82 centë.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Saiti edhe pse është vërtetuar se pozicionet nuk janë punuar si duhet ashtu siç kanë qenë të parapara sipas kontratës edhe për fazën e dytë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “Elshani” nga fshati Metvec, Komuna e Prizrenit, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në 15 raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 573 mijë e 154 euro e 90 centë, të përshkruara hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.

Ndërsa, sipas aktakuzës, Refki Muzbegu akuzohej se gjatë periudhës 22 tetor 2009 e deri më 30 qershor 2011, duke mos i përmbush detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.

Ai akuzohet se si person i caktuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, si organ mbikëqyrës i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e parë ka qenë i përcaktuar operatori ekonomik “Alkom-Konstruksin” nga Prizreni, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në gjashtë raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 324 mijë e 623 euro e 82 centë, të përshkruara më hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.

Në aktakuzë thuhet se edhe pse është vërtetuar se punimet nuk ishin kryer si duhet dhe siç kanë qenë të parapara sipas kontratës dhe për faktin se pranimi teknik për këtë objekt nuk është bërë  deri me datën e dorëzimit të ekspertizës më 1 mars 2019, i njëjti ka lejuar pagesat.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Muhamet Bajrami akuzohet se gjatë periudhës 24 dhjetor 2010 e deri më 22 tetor 2015, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.

Ai akuzohet se si person i caktuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, si organ mbikëqyrës i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e dytë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “Elshani” punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në 15 raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 573 mijë e 154 euro e 90 centë, të përshkruara hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.

Kurse, Hatixhe Përzhella akuzohet se prej periudhës dhjetor 2013 e deri më 27 maj 2014, duke mos i përmbush detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit, ku si person i caktuar nga Drejtoria për Shërbime Publike në bashkëpunim me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, si organ mbikëqyrës i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e tretë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “Kosova Erh-Kotori” nga Prizreni, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në tre raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 67 mijë e 633 euro, të përshkruara hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.

Sipas prokurorisë për të njëjtën vepër penale akuzohet edhe Drenusha Behluli-Mehmeti, ku ajo akuzohet se prej periudhës 3 nëntor 2017 e deri më 12 dhjetor 2017, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit, ku si person i caktuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, për mbikëqyrjen e projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e tretë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “NNT TONI” nga Malisheva, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në dy raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 64 mijë e 609 euro e 23 centë, të përshkruar hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.

Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragraf 1 të KPRK-së.

Ndërsa, i akuzuari Refki Muzbeg është liruar nga akuzat për shkak të parashkrimit absolut të veprës penale. /BetimipërDrejtësi 

Më Shumë

Ismail Kadare, pasdite

Ben Blushi Duke i uruar Ismail Kadaresë ditëlindjen, po botoj bisedën që kam bërë me të si pjesë e librit tim “41 Sekrete". Alda Bardhyli, Ismail...

“ Fidani” në Prizren shpall konkurs letrar

Shoqata për Kulturë e Art “ Fidani” në Prizren ka shpallur konkurs letrar për tregim të shkurtë dhe poezi . Konkursi është shpallur me...

Lajmet e Fundit