3 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Gjykimi për korrupsion ndaj kryeshefit të Infrakos-it dhe ish-zyrtarëve të Prizrenit

Dy dëshmitarët Nexhmi Rama dhe Ismet Sahiti kanë dhënë sqarimet e tyre rreth raportit të përpiluar lidhur me vlerësimin e dëmit ndaj Infrakosit të bërë nga veprimet e të akuzuarve.

Për këtë rast të korrupsionit, po akuzohen Agron Thaçi, ish-kryeshef ekzekutiv i Infrakos-it, tre ish-drejtorët e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, Sadik Paqarizi, Nijazi Kryeziu e Visar Islamaj, ish-drejtori i Inspektorateve në Prizren, Bujar Nerjovaj, ish-inspektori i ndërtimit, Bashkim Krasniqi, si dhe menaxheri dhe bashkëpunëtori profesional të “Infrakos”-it, në Prizren, Naim Avdyli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht dëshmitari Nexhmi Rama- Drejtor i Departamentit të Mirëmbajtjes së Hekurudhave pranë Infrakosit deklaroi se ai e ka hartuar raportin e datës 31.03.2022 lidhur me vlerësimin e dëmit që i është shkaktuar linjës hekurudhore.

Ai shtoi se në këtë raport përfshihet dëmi që i është shkaktuar hekurudhave nga ndërtimi i objekteve në hekurudhë pasi që me ndërtimin e këtyre objekteve është mbuluar hekurudha me materiale inerte të cilat akoma gjenden në vendin e ngjarjes dhe se në 2018 është bërë një pastrim i hekurudhës nga Komuna e Prizrenit me ç’rast janë hequr kubëzat nga traseja hekurudhore.

Tutje deklaroi se ka qenë me rëndësi ndërtimi i objekteve sa më larg hekurudhave por se më e rëndësishme është veprimi i personit i cili ka bërë ndërtimin e objektit, ngase të njëjtit gjatë ndërtimeve kanë kaluar nëpër hekurudhë.

Rama po ashtu deklaroi se në vitin 2014 është bërë pastrimi i trasesë së hekurudhave me shpenzime të Komunës së Prizrenit nga stacioni mirëpo nuk ka përfunduar deri në fund.

Ndërsa dëshmitari Ismet Sahiti deklaroi se treni i fundit që ka qarkulluar për në Prizren ka qenë në vitin 2012 dhe atë prej Klinës deri në Xërxë dhe se për shkak se s’ka pasur kërkesë për të ardhur treni nuk ka ardhur deri në Prizren

Ai shtoi se nuk ka pasur njohuri se ka qënë duke u hartuar plani rregullues urban dhe se as nuk ka qenë i ftuar nga Komuna për të qenë pjesë e debateve.

Shtoi se objektet e larta që janë ndërtuar nuk e kanë cenuar profilin e lirë për lëvizjen e trenit deri në Prizren pasi që këto objekte janë ndërtuar në prona private dhe jo në pronë të Infrakosit.

Sahiti deklaroi se në vitin 2018 kur është bërë pastrimi i trasesë nga Komuna e Prizrenit, atëherë ka qenë gjendja më e mirë e hekurudhës.

Tutje duke u deklaruar lidhur me raportin për vlerësimin e dëmit ai tha si kriter për vlerësimin e dëmit e kanë marr secilin person që gjatë fazës së ndërtimit kanë mbuluar me zhavorr para ndërtesave të tyre.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës, seanca e sotme është ndërprerë dhe do të vazhdojë më 05 dhe 6 korrik 2022.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Sadik Paqarizit, Nijazi Kryeziut, Visar Islamaj, Bujar Nerjovaj, Bashkim Krasniqit, Agron Thaçit dhe Naim Avdylit, të cilët i ngarkon me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, Paqarizi, Kryeziu, Islamaj, Nerjovaj, Krasniqi, Thaqi dhe Avdyli, akuzohen se në cilësinë e personave zyrtarë, kanë tejkaluar kompetencat, nuk i kanë përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, duke i shkaktuar dëm personit tjetër.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Paqarizi, në periudhën kohore 2012-2014, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, ka lëshuar leje ndërtimi firmës “Breu Petrol”, më 9 gusht 2012, leje ndërtimi për personin Reshat Kamberi, më 25 korrik 2013 dhe leje ndërtimi për personin Xhavit Spahija, duke u bazuar në vendimet e marra nga Administrata Komunale, si Plani Urbanistik, i 18 tetorit 2012, e cila është në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063, ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunën e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme, duke i shkaktuar  dëm “INFRAKOS”-it në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Kryeziu, në periudhën kohore 2014-2016, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave duke lëshuar leje ndërtimi personit Nexhat Bytyqi, më 30 maj 2014 dhe leje ndërtimi për personin Avni Haliti, më 21 maj 2014, duke u bazuar në vendimet e marra nga Administrata Komunale, si Plani Urbanistik i 18 tetorit 2012, e cila është  në kundërshtim me ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063.

Asociation “Loyola–Gymnasium” shpall konkurs për regjistrimin e nxënësve për vitin shkollor 2022- 2023

Me ç’rast, thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar dëm “INFRAKOS”-it në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.

Në aktakuzë thuhet se edhe i akuzuari Islamaj, në periudhën kohore 2016-2017, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave duke lëshuar leje ndërtimi për firmën “Fat Grup”, më 6 mars 2017, po ashtu leje ndërtimi për personin Agron Kuka, më 3 maj 2017, leje ndërtimi për personin Mexhid Karavidaj, më 29 nëntor 2016, si dhe leje ndërtimi për personin Nrec Thaqi, më 8 prill 2017, duke u bazuar në vendimet e marra nga Administrata Komunale, si Plani Urbanistik i 18 tetorit 2012, e cila është  në kundërshtim me ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063.

Me ç’rast, thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar dëm “INFRAKOS”-it në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Nerjovaj, gjatë vitit 2013, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit për Inspekcion në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave edhe pse ka qenë i njoftuar rreth mbindërtimit dhe uzurpimit në ndërtesën “Liburnia”, me pronar Destan Hoxhën, e cila ka qenë në ndërtim gjatë mandatit të tij, i cili ka pasur leje për ndërtimin e 2+B+P+6, duke u bazuar në Plani Urbanistik i 18 tetorit 2012, e cila është në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Nerjovaj, ka lejuar edhe ndërtimin e katit të shtatë edhe përkundër  konkluzionit të nënshkruar nga ana e tij, më 8 prill 2014, nuk është dhënë urdhër që i njëjti të zbatohet e që ka qenë kompetencë e tij, si dhe po ashtu ka qenë i njoftuar për uzurpimin të cilën pronari i ndërtesës-investitori ka bërë mbi pronën e hekurudhave “INFRAKOS” dhe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim parandalues.

Me këtë, thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar dëm “INFRAKOSIT”, në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.

Gjithnjë sipas së njëjtës aktakuzë, i akuzuari Bashkim Krasniqi, gjatë vitit 2012, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e inspektorit të ndërtimit në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave edhe pse ka qenë i caktuar për inspektimin e këtij ndërtimi, ku objekti, ka pasur leje për ndërtimin e 2+B+P+6, dhe gjatë ushtrimit të detyrës së tij ka lejuar që të bëhet mbindërtimi, pra edhe i katit të shtatë, respektivisht tejkalimi i lejes së ndërtimit, si dhe ka qenë i njoftuar për uzurpimin të cilën pronari-investitori e ka bërë në pronën e hekurudhave.

Ndërkaq, i akuzuari Thaçi, gjatë vitit 2013, në Fushë Kosovë, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e kryeshefit të “INFRAKOS”, thuhet se nuk i përmbush detyrat zyrtare edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta, nuk ka vepruar sipas Ligjit për Hekurudhat, ku në nenin 128, paragrafi 2, parashihet që punët mbrojtëse, përfshirë edhe masat e parandalimit për veprimet e ndaluara-ndërtimet në afërsi të infrastrukturës hekurudhore, duke mos marrë pjesë në diskutimet publike për planin rregullativ urban për Komunën e Prizrenit, ku është marrë edhe Plani Rregullativ Urban i 18 tetorit 2012, e cila është në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063, dhe duke vepruar me vonesë në parashtrimin e padive pranë gjykatave kompetente për mbrojtjen e pasurisë së “INFRAKOS”.

Me këtë, thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëm në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Avdyli, gjatë vitit 2013, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e menaxherit të patundshmërive dhe bashkëpunëtorit profesional pranë “INFRAKOS” nuk i përmbush detyrat zyrtare edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës, duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta, nuk ka vepruar sipas Ligjit për Hekurudhat, për masat e parandalimit për veprimet e ndaluara-ndërtimet në apo në afërsi të infrastrukturës hekurudhore, dhe duke vepruar me vonesë në parashtrimin e padive pranë gjykatave kompetente për mbrojtjen e pasurisë së “INFRAKOS”.

Me këtë, thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëm në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.

Me këtë, të gjithë të akuzuarit po ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.2 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës prerë

Më Shumë

Dy personave në Prizren u gjendet pistoletë dhe thikë në çanta

Policia e Kosovës njofton se të hënën është raportuar që te dy persona të dyshuar në çanta u është gjetur një pistoletë me gaz...

2400 pako ushqimore dhe higjienike ndihmë për familjet në nevojë në Prizren

Drejtoria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Prizrenit ka realizuar shpërndarjen e 2400 pakove ushqimore dhe higjienike për familjet në nevojë. Ky...

Lajmet e Fundit