0.3 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Gjyqësia, sektori më i korruptuar

qekiqi gjykatSipas Barometrit Global të Korrupsionit nga Transparency International, sektori më i korruptuar në Kosovë del të jetë gjyqësia, e cila pasohet nga partitë politike, shërbimet shëndetësore, Kuvendi i Kosovës, bizneset, sistemi arsimor, zyrtarët e institucioneve publike, policia dhe mediet. Këto janë gjetjet më të reja në hulumtimin e perceptimit të qytetarëve lidhur me korrupsionin, të cilat janë bërë nga organizata Transparency International.
Bazuar në të dhënat që jep Transparency Iternational, rreth 48 për qind e qytetarëve të Kosovës konsiderojnë se gjatë dy viteve të fundit korrupsioni është rritur në masë të madhe, ndërkaq, rreth 17 për qind vlerësojnë se korrupsioni është rritur, por në masë të vogël.

Rreth 67 për qind e qytetarëve vlerësojnë se korrupsioni është problem serioz në sektorin publik.

Rreth 73 për qind e qytetarëve konsiderojnë se aksionet e qeverisë në luftë kundër korrupsionit janë jo efektive.

Dhënia e mitos, sipas kësaj organizate, është dukuri që është zgjeruar në shoqëri, më së shpeshti në shëndetësi, gjyqësi dhe polici.

Merita Mustafa nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka theksuar se prezenca e lartë e korrupsionit në institucione tregon se Kosova çdo ditë e më shumë po ngulfatet në korrupsion dhe në këtë mënyrë po bëhet e njohur ndërkombëtarisht për korrupsion, kriminalitet dhe dukuritë tjera negative.

“Me këtë raport, ne vetëm se i kemi konfirmuar botës se nuk kemi qeveri dhe as institucione, të cilat janë të përkushtuara dhe të përgatitura për kundërshtimin e këtij fenomeni. Të gjitha këto janë një indikator që prodhojnë imazh tejet negativ për vendin tonë, nga i cili, pasojat gjithmonë do t’i vuajnë qytetarët e thjeshtë, të ndershëm dhe më së keqi, gjithmonë do t’i vuajnë ata që janë më të varfër”, tha Mustafa.

Mustafa ka shtuar se në raportin e Transparency Internatiolan, thuhet se 85 për qind e qytetarëve, mendojnë apo kanë konfirmuar se janë të gatshëm për të nënshkruar peticion kundër korrupsionit dhe për t’iu bashkangjitur protestave paqësore kundër këtij fenomeni.

Në Kosovë tashmë ekzistojnë disa mekanizma të cilët janë të thirrur për ta luftuar korrupsionin, sikurse Agjencia Kundër Korrupsionit, Task Forca pranë Qeverisë së Kosovës dhe Këshilli Kombëtar kundër korrupsionit pranë presidencës së Kosovës.

Instituti Demokratik i Kosovës u ka bërë thirrje qeverisë dhe gjithë institucioneve përgjegjëse që t’i lënë anash interesat personal dhe t’i ndërmarrin masat për ndërtimin e kapaciteteve në luftë kundër korrupsionit.

Duke marrë parasysh që gjyqësia është perceptuar si sektori më i korruptuar në vend, Instituti Demokratik i Kosovës, i ka bërë thirrje këshillit gjyqësor që t’i largojë gjykatësit e korruptuar, në mënyrë q ëtë krijohen kushtet për gjyqësi të pavarur.

Enver Peci, kryetar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ky këshill i ka procedurat standarde disiplinore dhe në këtë kuptim sipas tij edhe më tej duhet të forcohet sektori i drejtësisë dhe i Këshillit Gjyqësor.

Ai ka theksuar se personalisht ka hasur në situata që janë të dyshuara për korrupsion në gjyqësi.

“Unë mund të them lirisht se kam hasur në situata të tilla. Kam ushtruar kallëzim penal, por ato janë çështje që mbase nuk janë për publikun në këtë moment, me numra e me shifra. Mirëpo, nuk po them se që janë me numra shumë të mëdhenj, por ka individ”.

“Në anën tjetër, perceptimi bazohet edhe në faktin se në gjyqësor janë dy palë dhe pala që e humbë kontekstin, me bazë ose pa bzë, ai sigurisht që ka për të pretenduar diçka në atë drejtim. Në këtë kuptim, është paksa më vështirë që ta bazojmë perceptimin në gjyqësor”, u shpreh Peci.

Avni Zogiani nga organizata joqeveritare “Çohu”, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se janë dy arsye kryesore pse nuk ka rezultate në luftimin e korrupsionit.

“E para është mungesa e integritetit institucional, përkatësisht mosfunksionimi i rolit kontrollues të pushteteve. Parlamenti nuk ka fuqi në raport me Qeverinë, por as gjyqësori nuk ka fuqi në raport me qeverinë. Kurse arsyeja e dytë, mendoj se janë ligjet e dobëta”.

“Ligjet e dobëta janë krijuar qëllimisht të tilla, për shkak se kanë qenë të ndikuara politikisht në vazhdimësi. Nuk kanë qenë ekspert juridik ata që i kanë krijuar ligjet, por kanë qenë njerëzit që kanë qenë të lidhur me partitë politike”, theksoi Zogiani.

Zogiani thotë se shembull më i mirë është ligji për konfiskimin e pasurive të paligjshme, i cili sipas tij, është përshtatur në mënyrë të tillë që klasa politike që pasurohet nga korrupsioni, të mos cenohet.

Ndryshe, Barometri Global i Korrupsionit nga Transparency International , është e vetmja anketë e opinionit publik, që zbulon pikëpamjet dhe përvojat e njerëzve për korrupsionin.

Barometri global i korrupsionit është bërë duke u bazuar në intervistat me 114 mijë njerëz në 107 shtete

Më Shumë

Glauk Konjufca bëhet baba për herën e tretë

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka njoftuar se sot është bërë baba për herë të tretë. Ai ka bërë të ditur se është...

Suhareka e refuzon kërkesën e Ballkanit që “Xhebrailat” të jenë në derbi

Tifozëri të tyre zyrtare nuk kanë. Por FC Suhareka po dëshiron që në derbin e qytetit, edhe Ballkani të luaj pa mbështetësit e tyre të...

Lajmet e Fundit