17.8 C
Prizren
E martë, 16 Prill, 2024

Hashim Thaçi në kurthin e numrave

ArmandShkullaku-kolumnistShkruan: Armand Shkullaku

Largimi i dy figurave të njohura të PDK, Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi, ka nxjerrë edhe një herë në dritë krizën reale që ka mbërthyer të ashtuquajturën shumicë qeverisëse të kryeministrit Hashim Thaçi. Sot, kjo krizë nuk lidhet dhe aq me numrat në Kuvend, që janë tkurrur ndjeshëm, por me një rënie të përgjithshme të një alternative politike. PDK, e cila prej 6 vitesh qeveris Kosovën, po përballet kohëve të fundit me dështimin e sistemit që tentoi të ndërtonte kur erdhi në pushtet. Në mënyrë emblematike, protestat e studentëve, (e tashmë të thuajse gjithë shoqërisë kosovare), si dhe arrestimet e hetimet e EULEX ndaj figurave të pushtetit, ilustrojnë këtë dështim të sistemit. Universiteti i Prishtinës është konsideruar si aksesor i pushtetit, qoftë për t’i paraqitur si dijetarë gjithë injorantët që militojnë në radhët e PDK në kohën e ish rektorit Ramadan Muja, qoftë duke e përdorur si plaçkë për t’u ndarë me aleatin politik që mban në këmbë mazhorancën në Kuvend në kohën e Ibrahim Gashit. Por edhe hetimet e fundit të EULEX, si për ironi shkojnë në sinkron me këtë realitet. Figura të PDK-së, madje nga ata që kanë dëshmi edhe në lëmin e dijes, janë sot nën akuzë, ndërsa një tjetër aleat i Thaçit, që u shpërblye me disa ulëse në qeveri, Ukë Rugova, nuk i ndihmon dot më kryeministrit për t’i pasur numrat e sigurt në Kuvend.

Dy anët e kësaj krize dëshmojnë qartë se ku dështoi qeverisja e Thaçit. Në radhë të parë ajo u mundua të imponojë një realitet të ndryshëm nga ai që qytetarët shohin çdo ditë. Ashtu si diplomat e rrejshme të Universitetit të Prishtinës, edhe vlerat e PDK, të zgjedhurit lokalë, ministrat, diplomatët, deputetët, sot rezultojnë të dyshuar për vepra kriminale. Së dyti, qeverisja e PDK dështoi sepse në gjithë këta vjet nuk mundi të krijojë një projekt serioz, një filozofi politike për qytetarët, por e mbështeti ekzistencën e saj tek llogaritë e vogla, kurthet e taktikat sa për të kaluar lumin. Mungesa e përgjegjësisë për një projekt politik përballë votuesve, e detyroi Thaçin që të mbetet me laps në dorë duke fshirë atë që ikin e duke shënuar rekrutët e radhës. Bëri koalicion me LDK dhe i pati numrat e sigurt deri në zgjedhjet e dhjetorit 2010. Pastaj, me gjithë kundërshtimet edhe brenda partisë, u detyrua t’ia japë postin e presidentit Behgjet Pacollit dhe t’i shpërndajë disa ministri aleatëve më të vegjël për të siguruar një shumicë të brishtë në parlament. Një shumicë ku u rreshtua edhe Ukë Rugova, si drejtues i një formacioni të sajuar politik me emrin “Lista Rugova”. Djali i presidentit të ndjerë Rugova u kritikua tre vjet më parë se lidhi aleancë me kundërshtarin më të ashpër të babait, por megjithatë vota e tij në Kuvend shkoi për qeverinë e Thaçit. Duke vërtetuar diçka të njohur, se jo gjithnjë trashëgimia biologjike ndikon edhe në trashëgiminë politike. Joshja e Thaçit me disa poste qeveritare qe më e madhe se sa ndikimi i historisë së shkuar e të ardhme në trurin e Ukë Rugovës. Tani, i vetëm në një qeli, i prangosur nga EULEX, ai është një numër më pak në shumicën e Hashim Thaçit që po shkërmoqet dita ditës.

Ukë Rugova, Fatmir Limaj dhe të paktën tre deputetë të tjerë që pritet të rreshtohen me të si dhe ikja e katër deputetëve serbë, e kanë kthyer praktikisht në pakicë koalicionin që qeveris Kosovën. Ky fakt tregon se mbështetja tek interesat e momentit dhe jo tek një projekt i qartë politik, e ka lënë qeverinë Thaçi pa një bazë mbështetëse. Ajo ekziston për inerci dhe prova më e vogël do të mund ta rrëzonte. Jo vetëm kaq, por duke shpenzuar gjithë energjitë tek negociatat me aleatët, tek menaxhimi i interesave dhe rekrutimi i deputetëve si numra, qeverisja pak ka bërë për të rritur besimin tek qytetarët. Protestat e studentëve për dorëheqjen e rektorit, të cilat po i mbështesin edhe partitë e opozitës e shoqëria civile, nuk janë thjesht një problem brenda universitetit. Ato po marrin gjithnjë e më shumë shprehjen e një pakënaqësie më të përgjithshme ndaj mënyrës se si është drejtuar e po drejtohet Kosova. Nga ana tjetër, arrestimet dhe hetimet e shpeshta të EULEX ndaj eksponentëve të shumicës qeverisëse, e kanë dëmtuar mjaft imazhin e saj. Ndryshe nga viti 2007, kur Thaçi ishte në opozitë dhe hapi partinë e tij ndaj të gjitha prurjeve pozitive, me të ardhur në pushtet ai besoi më shumë tek manovrat taktike se sa tek idetë e projektet politike. Dhe realiteti i sotëm është një PDK që nuk arrin dot të bëjë shumicë në Kuvend, që po i ikin të vetët dhe aleatët, që gjendet përballë protestave e pakënaqësisë popullore dhe që nuk po mundet të rikuperojë imazhin si një forcë e implikuar me elementë kriminalë.

Nuk ka rëndësi nëse zgjedhjet e reja parlamentare do të mbahen në afat apo do të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Shumica e presupozuar në Kosovë mundi ta mbajë pushtetin falë një marrëveshje me opozitën e Isa Mustafës pas krizës presidenciale të vitit 2011 dhe nuk dihet nëse kjo opozitë do të provokojë zgjedhje të parakohshme në këtë moment kritik për kryeministrin Thaçi. Por kurdo që të mbahen zgjedhjet një gjë është e sigurt, PDK do të përballet me tkurrjen që po pëson. Ndarja me Limajn, mungesa në terren e atyre që dikur mbushnin thasët me vota, përgjegjësia e munguar përballë qytetarëve, autoriteti në rënie i aleatëve dhe hija e EULEX, me siguri që mund të çojnë edhe në një krizë elektorale.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)

Më Shumë

Kryetari Shaqir Totaj në SHBA afirmon bashkëpunimin e Prizrenit me Amerikën

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka zhvilluar takime me Drejtoreshën e Zyrës së Evropës...

Arrestohet një person në Prizren, dyshohet për dhunë në familje

Është arrestuar një person në Prizren. Ai akuzohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj anëtarëve të familjes së tij dhe gjithashtu ka dëmtuar dhe demoluar...

Lajmet e Fundit