0.3 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Helme apo ilaçe?!

Alban SelimiAlban Selimi

I

Ka gjashtë muaj që ilaçeve që ‘prodhohen’ në Kosovë i kam dhënë fund së bleri, ndonëse jam fanatik i blerjes së prodhimeve të vendit. Një hulumtim që kisha bërë për prodhimin e ilaçeve në Kosovë, pati rezultuar se prodhuesi farmaceutik ‘Prima Pharm’ sillte në vend ilaçe të prodhuara në Kinë, i paketonte ato dhe të njëjtat i shiste në treg si ilaçe “Made in Kosova”. Kjo i mundësohej këtij prodhuesi, falë legjislacionit paradoksal dhe mungesës së monitorimit të praktikave të mira të prodhimit nga inspektorët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Këta janë të thirrur të inspektojnë praktikat e mira të prodhimit dhe të lëshojnë certifikatë që me gjuhën e farmacistëve njihet si GMP. Këta inspektorë asnjëherë nuk kanë qenë në Kosovë për të parë se si prodhohen ilaçet. E inspektorët e Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale (AKPM), nuk kanë kryer trajnime speciale për inspektimin e fabrikave prodhuese të ilaçeve.

II
Arrestimi i kryeshefit ekzekutiv të AKPM-së, Ilir Dushit dhe Haki Ejupit, drejtor në Departamentin për Licencim në AKPM, natyrshëm ngritin dilemat se asnjë ilaç në Kosovë më nuk është i sigurt, derisa gjithë dokumentacionit të produkteve farmaceutike në vend t’i bëhet një rievaluim. Me urgjencë të shtetit duhet të bëhet një rievaluim masiv edhe të ilaçeve. Kjo duhet të ndodhë së paku për pesë vitet e fundit për shumicën e ilaçeve. Madje disa produkteve, si albuminat humane, duhet bërë rievaluim për së paku 10 vjet, duke pasur parasysh që ato derivojnë nga gjaku human dhe në këtë mënyrë mund të bartin virus të caktuar si Hepati, HIV-i, e që në gjak mund të barten si viruse deri në dhjetë vite, pa u hetuar nga bartësit. Për t’u bërë kjo, nuk mjafton vetëm angazhimi i AKPM-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Qeveria e Kosovës duhet ta shqyrtojë këtë çështje me urgjencë, nëse do që ta marrë përgjegjësinë për shëndetin dhe jetën e qytetarëve të saj.

III
Qytetarin duhet garantuar se nuk është duke blerë helme të licencuara nga shteti, por ilaçe. Sistemi paralel i legalizimit të ilaçeve të kontrabanduara, i krijuar përmes Institucionit që do të duhej t’i kontrollonte ilaçet, qytetarëve u ka krijuar dilemën nëse guxojnë të përdorin ilaçet që janë në qarkullim në Kosovë. Pas arrestimit të Ejupit, si drejtor i licencimit, si mund të besojë një qytetar në certifikatat e analizës që janë bashkëngjitur në këtë departament. Sa janë të dyshimta këto certifikata. A duhet shteti t’i eliminojë këto dyshime, apo të besojë se askush nuk ka vdekur dhe le të vazhdohet me të vjetrën!
Sa janë të besueshme ilaçet në Kosovë, kur tashmë prokuroria ka ngritur dyshime se në AKPM mungojnë miliona banderola, që janë letra me vlerë, e që besohet se u janë shitur kompanive që të legalizojnë ilaçet e sjella në Kosovë si kontrabandë.
Si mundet një qytetar të jetë rehat kur blen ilaçe për fëmijët e tij, kur ish-kryeshefi Dushi kishte nxjerrë një vendim që përcaktonte kushtet e transportit të ilaçeve dhe nuk i respektonte ato kritere kur bëhej fjalë për kamionët me ilaçe të kompanisë që drejtohej nga i vëllai i tij. Në gushtin e nxehtë, kamionë me kontejnerë pa klimë e me cerada, ku temperaturat ishin dyfish më të larta se jashtë, prisnin në dogana për t’u futur në Kosovë, për t’i ‘shëruar’ kosovarët. Depot as që vrisnin mendjen për temperaturat e ilaçeve, siç nuk vrasin mendjen tashmë për ‘flladitjen’ në paraburgim të Dushit dhe zyrtarëve të tjerë të kësaj agjencie. Shumicës së tyre nuk u intereson as shëndeti i qytetarëve. Parimi i tyre është EURO-ja!

IV
Ministria e Shëndetësisë është në një udhëkryq, nëse do t’i zgjidhë këto probleme, apo dëshiron të zhytet edhe më thellë në aventurat që rrezikojnë shëndetin e qytetarëve. Ky është një rast i mirë që ministri Ferid Agani ta kuptojë një herë e mirë, se me njerëzit që i kanë krijuar me vite të tëra këto probleme, nuk mund t’i zgjidhë ato. Për efektin negativ të këtyre problemeve, ai mund të ketë qasje më të lehtë se gjithkush tjetër. Le t’i marrë statistikat e të sëmurëve me kancer në Institutin Onkologjik. Le t’i analizojë ato duke bërë një krahasim të rasteve në dhjetë vitet e fundit. Le t’i marrë raportet për sëmundjen e sheqerit. Dhe do të shohë se jo vetëm këto sëmundje janë në rritje. E kosovarët falë sistemit paralel të kontrabandës, të krijuar me vite në AKPM, nuk dinë nëse janë duke përdorur ilaçe apo helme. Dhe nga helmet zakonisht nuk vjen shërimi por vdekja./tribuna/

Më Shumë

Fest 63 – Mbyllet nata e parë! Spektakël, mesazhe të fuqishme sociale. Publikohet juria

Nata e parë e Festivalit të 63të të këngës në RTSH, ka ulur perden, pasi për afro 3 orë e 30 minuta Fest 63 shfaqi...

Qytetari dorëzon në polici disa pare gjetura në një qendër tregtare në Prizren

Në Stacionin Policor në Prizren qytetari me inicialet E.K. ka dorëzuar një portofol të cilën e kishte gjetur në qendër tregtare ”Lorik Center”, në...

Lajmet e Fundit