6.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Heshtja dhe portalet

loptopRespektimi i heshtjes zgjedhore, vlen për të gjitha mediat. Por, portalet të cilat konsiderohen media të reja, që publikojnë shkrime, video dhe ka interaktivitet në to, nuk mbikëqyren as nga Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), e as nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), pasi që e para mbikëqyr Televizionet dhe Radiot ndërsa e dyta mediat e shkruara.

Disa nga këto portale e kanë respektuar etikën gazetareske që përgjatë gjithë heshtjes parazgjedhore nuk kanë publikuar asnjë lajm sa i përket subjekteve politike, ndërsa disa nga to kanë postuar lajme dhe reklama të ndryshme, pikërisht për subjekte të ndryshme politike, pasi që nuk monitorohen nga askush, dhe nuk e kanë një Këshill apo Komision të përcaktuar me ligj i cili merret me to.

Njohës i fushës së politikës si dhe profesori i degës së gazetarisë, Milazim Krasniqi, ka thënë për Kosovapress, se mediat, duhet lënë ta bëjnë punën e vet, pasi që kanë për qëllim që sa më shumë të ketë komunikim dhe njerëzit të jenë të informuar. Ai, ka thënë se heshtja zgjedhore duhet të largohet nga ligji, pasi që, sipas tij, njerëzit veç përcaktohen më herët se cilin kandidat do ta votojnë.
“Në të vërtetë njerëzit përcaktohen qysh më herët sesa fillon heshtja zgjedhore, prandaj zgjidhja më e mirë është që kjo të hiqet nga ligji, gara të vazhdoj deri në momentet e fundit. Po them gjithmonë vetëm një gjë, duhet të përjashtohet gjuha e urrejtjes, thirrjet për dhunë, pjesa tjetër është garë e hapur dhe ajo duhet të vazhdojë deri në momentin e fundit”, ka pohuar Krasniqi.
Leonard Kërquki, nga gazeta online Express, ka thënë për Kosovapress se deri sa nuk kanë një instancë tjetër që merret me mediat online, ata do të respektojnë kodet vetërregulluese të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës që janë në fuqi tash e sa vjet dhe nuk do të shpërndajnë material zgjedhor, i cili është i ndaluar gjatë heshtjes zgjedhore.

“Mediat online nuk monitorohen nga KPM-ja, për shkak se KPM-ja monitoron televizionet. Mediat online janë anëtare të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, por edhe aty ka një debat nëse duhet me qenë KMSHK-ja përgjegjëse për mediat online, për arsye se KMSHK-ja është organ, një instancë vetërregulluese e mediave të shkruara. Ndërkohë që, media online nuk është thjeshtë medium i shkruar por ka edhe video, ka edhe gjëra tjera që dalin jashtë domenit të KMSHK-së. Megjithatë, deri sa nuk kemi një instancë tjetër, mediat online respektojnë kodet vetërregulluese të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës që janë në fuqi tash e sa vjet”, ka thënë Kërquki.
Redaktori përgjegjës i portalit Indeksonline, Valdrin Krasniqi, ka thënë se portaleve në përgjithësi po u mungon një Këshill i Pavarur i cili do të bënte mbikqyrjen e veprimtarisë së tyre. Sipas tij, është mirë që ky këshill të inicohet nga mekanizmat përkatës dhe të formohet sa më parë që të jetë e mundur.
“Ne edhe tani do ta respektojmë heshtjen parazgjedhore dhe nuk do të publikojmë asnjë shkrim që ka të bëjë me kandidatët për kryetar të komunave apo subjekteve politike. Portalet padiskutim duhet të monitorohen nga një organ përkatës. Është mirë që në një të ardhme të shpejt të formohet një Këshill i Pavarur për mediat online, pasi që, sot, kemi një numër të konsiderueshëm të portaleve që po e kryejnë detyrën e tyre dhe formimi i këtij Komisioni ose Këshill i Mediave Online do të ishte shumë në favor të gazetarisë”, ka theksuar Krasniqi për Kosovapress.

Kërquki, ka thënë se në gazetën Express, e kanë respektuar heshtjen zgjedhore të tre nëntorit dhe se do respektojnë edhe në raundin e dytë për balotazh. Ndërsa, ka shtuar se nuk ka arsye që mediat online të ndahen nga mediat e tjera kur bëhet fjalë për respektimin e kodeve dhe ligjeve të vendit.
Edhe Valdrin Krasniqi, ka shtuar se përgjatë heshtjes parazgjedhore nuk kanë publikuar asnjë lajm sa i përket subjekteve politike me përjashtim të deklaratave të institucioneve përkatëse siç është KQZ, Policia e Kosovës, EULEX-i e të tjerë mbikëqyrës në këtë proces zgjedhor dhe ka shtuar se edhe për raundin e dytë do të vazhdojnë të përmbahen që mos të shpërndajnë material të fushatës, i cili është i ndaluar.

Ndryshe, profesori Milazim Krasniqi, ka thënë se mediat online po zhvillohen në masë të madhe dhe, sipas tij, përditë e më shumë po rritet ndikimi i mediave të reja, veçmas i portaleve, por edhe i rrjeteve sociale, ku edhe teoricienët, sipas tij, mendojnë se e ardhmja është pikërisht e këtyre lloj mediave.

Krasniqi, ka marrë shembuj se shumica e vendeve në botë dhe në SHBA vazhdohet gara deri në momentet e fundit dhe, sipas tij, kjo është gjëja më normale, që deri në momentin e fundit kandidatët e shfrytëzojnë çdo moment që votuesit t’i thirrin për programet e veta.

Sidoqoftë, në Kosovë, heshtja zgjedhore është e obliguar me ligj. Mbetet të shihet nëse portalet por edhe rrjetet sociale do ta respektojnë këtë, edhe pse ata nuk i ngarkon ky ligj për respektim të heshtjes zgjedhore./Kosovapress/

Më Shumë

Zbulohet emri i vajzës së Luizit dhe Kiarës, ja detaji që nuk u shpëtoi fansave

Luizi dhe Kiara do të bëhen prindër për herë të parë. Moderatorja është në ditët e fundit të shtatzanisë, ndërsa ditën e djeshme çifti...

56 vjet nga vdekja e novelistes amerikane, Edna Ferber

E quajtur “Novelistja më e madhe amerikane e kohës së saj”, novelistja dhe dramaturgja fituese e çmimit Pulitzer, Edna Ferber vdiq 55 vjet më...

Lajmet e Fundit