18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Hoxhaj: Më 8 qershor PDK-ja do të dalë fituese

Enver Hoxha PDKNënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, është i bindur se më 8 qershor fitorja do t’i takojë Partisë Demokratike të Kosovës. Ai ka thënë se të gjithë indikatorët sot flasin për fitoren e radhës të PDK-së.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Hoxhaj ka thënë se besimin në fitoren e 8 qershorit e bazon në punën e mirë që e ka bërë Qeveria e Kosovës, e cila nëpërmjet vendimeve historike ka ndryshuar në mënyrë pozitive Kosovën. Sipas tij, PDK-ja dhe Hashim Thaçi në mandatin e tretë do ta përmbyllin ciklin më të madh të ndryshimit që i ka ndodhur Kosovës në histori të saj.

“Mendoj se i kemi edhe katër javë deri kur do të bëhet publik rezultati i zgjedhjeve, por të gjithë indikatorët flasin për fitoren e PDK-së. Po ashtu, ka një frymë e cila flet se fitorja do të jetë në anën e PDK-së. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me atë se si PDK-ja do të fitojë, por ka të bëjë me atë se si PDK-ja gjatë mandatit të tretë, nën udhëheqje të kryeministrit Thaçi, do ta përmbyllë ciklin më të madh të ndryshimit që i ka ndodhur Kosovës në histori të saj”, ka thënë Hoxhaj.

Në mandatin e tretë, ka thënë Hoxhaj, fokus kryesor do ta kenë zhvillimin ekonomik të vendit. Sipas tij, fitorja e PDK-së është e sigurt, por vetëm duhet t’u prezantohet në mënyrë të saktë platforma e saj qytetarëve të Kosovës. “Jam i sigurt se fitorja më 8 qershor do t’i takojë PDK-së. Duhet vetëm të punohet më shumë që t’u shpjegohet qytetarëve të Kosovës platforma për mandatin e tretë dhe cilat do të jenë prioritetet tona për këtë mandat”, ka thënë Hoxhaj. Sa i përket listës për deputet, ai ka bërë me dije se brenda kësaj liste do të jenë të përfshirë vetëm individë të cilët nuk kanë probleme me ligjin. Hoxhaj ka thënë se kjo listë në mënyrë dinjitoze do t’i përfaqësojë të gjithë qytetarët e Kosovës. “Kryetari i partisë, z. Hashim Thaçi, ka deklaruar disa herë që ai do ta sjellë në listën e PDK-së një grup të kandidatëve për deputetë, të cilët nuk kanë probleme me ligjin”, është shprehur Hoxhaj.

Ai u është përgjigjur edhe akuzave të opozitës se kryeministri Thaçi me spotin e tij të fundit nga zyrat e qeverisë t’i ketë keqpërdorur për fushatë zgjedhore fondet publike të shtetit. “Kryeministri Thaçi në adresimin e tij e ka ndarë vizionin e tij sa i takon asaj se si e sheh Kosovën gjatë katër vjetëve të ardhshëm, në mënyrën e njëjtë dhe në formën e njëjtë siç do ta bënte çdo kryeministër i çdo qeverie të një vendi perëndimor, i cili sillet konform frymës demokratike”, ka thënë Hoxhaj. /Epoka e re/

Më Shumë

Edicioni i tretë i “Prizren Fest” hapet me dramën “Vizita” nga Shqipëria

Drama “Vizita” nga Shqipëria, me regji të Davide Iodice, ka hapur të dielën mbrëma edicionin e tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient...

Rahovec: Arrestohet një person pas konfliktit fizik me bashkëshorten

Një person në Rahovec është arrestuar pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Incidenti nuk ka shkaktuar lëndime fizike, por policia  ka vendosur...

Moti sot me diell

Lajmet e Fundit