Në veri të vendit po protestojnë qindra serbë pas arrestimit nga Policia e Kosovës të Milun Milenkovicit, njëri nga udhëheqësit e ‘Mbrojtja Civile’.
Gjatë arrestimit të tij janë sulmuar zyrtarët policorë dhe tre nga ta kanë marr lëndime trupore.
Në protestë serbët janë parë me maska të mbuluar ku kanë sulmuar me gurë veturat e Policisë së Kosovës.
Për këtë situatë të krijuar në veri të vendit, ka folur për Front Online, ish-ministri i Mbrojtjes dhe anëtari i Komisionit për Çështjen e Sigurisë, Anton Quni.
Quni tha se pritët që grupet kriminale serbe, të ushtrojnë dhunë ndaj policisë cdoherë kur ka veprime institucionale në veri.
Ai thotë se Policia e Kosovës janë në dijeni që po veprojnë në ambient të rrezikuar.
Ish-ministri theksoi se kapacitetet duhet të jenë të ngritura që të mbrohet jeta e qytetarëve dhe zyrtarëve atje.
“Për çdo veprim institucional në veri të Kosovës, në veçanti ato të Policisë së Kosovës, pritet që grupet kriminale serbe të dirigjuara nga Beogradi, do të ushtrojnë dhunë ndaj zyrtarëve të policisë dhe qytetarëve shqiptarë. Besoj që zyrtarët e Policisë së Kosovës e kanë në konsideratë se po veprojnë në një ambient me rrezikshmëri të lartë dhe se i kanë të ngritura kapacitetet e duhura për t’i menaxhuar edhe situatat me intensitet të lartë, të cilat rrezikojnë jetën e qytetarëve dhe zyrtarëve të institucioneve të Kosovës”, u shpreh Quni.
Edhe sot janë duke u mbajtur protesta në veri të vendit.
Aleksandar Arsenijeviç , politikan serb ka tentuar të vendosë flamurin serb në objekt të Qeverisë së Kosovës.
Policia e Kosovës që janë në vendin e ngjarjes , e kanë ndaluar të njëjtin duke ia pamundësuar të kryej atë veprim.
Avokati i serbit të arrestuar në Mitrovicë të Veriut, Millun Millenkoviq, Nebojsha Vllajiq tha se Millenkoviqi po akuzohet për sulmin e ndodhur në dhjetorin e kaluar ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut dhe për sulmin e 29 majit të këtij viti në Zveçan, kur protestuesit serbë u përleshën me ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.