13.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Ismail Kadare nderohet nga Kongresi Amerikan

Mbrëmë në Kongresin Amerikan u mbajt një ceremoni për nderë të shkrimtarit të njohur shqiptar, Ismail Kadare.

Në ndërtesën e Kapitolit, në Uashington u valëvit flamuri amerikan për nderë të shkrimtarit Ismail Kadare dhe veprës së tij. Ky është një ritual që zakonisht u rezervohet amerikanëve të shquar dhe në disa raste, edhe personaliteteve të huaja, transmeton kështu Zëri i Amerikës.

Eliot Engel, pjesëtari i Kongresit Amerikan që njihet si mbështetës i shqiptarëve e vlerësoi veprën e Kadaresë për universalitetin dhe mesazhin e rëndësishëm që jep, përmes miteve dhe figurave letrare.

“Kam një kënaqësi të veçantë që jemi mbledhur këtu për të nderuar veprën e Ismail Kadaresë. Me të drejtë, Kadare njihet gjerësisht si shkrimtari më i madh shqiptar i epokës sonë. Shkrimet e tij lidhen me historinë e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar, po ato sjellin elemente të reja për lirinë, dinjitetin dhe të drejtat e njeriut. Juria e Jerusalemit, që e nderoi me çmim kohët e fundit Kadarenë e vlerësoi atë si një shkrimtar që përpiqet të ekspozojë përmes miteve dhe metaforave, edhe pse protagonistët janë lokalë, domethënia dhe rëndësia e tyre është universale. Unë personalisht jam i lumtur që Kadare është fituesi i çmimit të Izraelit, sepse ky çmim është simbolik“ , tha ai.

Flamurin e valëvitur për nderë të Kadaresë e pranoi Vehbi Bajrami, botues i gazetës “ Iliria “ në Nju Jork.

Për veprën letrare të Ismail Kadaresë foli edhe përkthyesi i veprës se tij në anglisht, David Bellos, profesor në Universitetin prestigjioz të Prinstonit.

“Mendoj se është një nderë i jashtëzakonshëm dhe tepër domethënës. Shkrimtarët e huaj nuk janë shumë të njohur në Shtetet e Bashkuara, dhe është e rëndësishme që Kadare po nderohet këtu, edhe pse është një shkrimtar jo amerikan.Të gjitha romanet e tij janë në një farë mënyre për Shqipërinë, por për një Shqipëri të veçantë, Shqipërinë e Kadaresë. Unë mendoj se Ismail Kadare është mes shkrimtarëve më të shquar të kohëve tona, dhe i të gjitha kohërave gjithashtu”, theksoi ai.

Bellos tha se është një rast i rrallë, kur përmes aktit të ngritjes së flamurit, Shtetet e Bashkuara po nderojnë jo vetëm Kadarenë, jo vetëm Shqipërinë, por letërsinë në përgjithësi.

Më Shumë

Lajmet e Fundit