18.8 C
Prizren
E martë, 16 Prill, 2024

James Rubin: Ndërhyrja në Kosovë, momenti im më krenar në qeverinë e SHBA-së

JamesRubin-kosoveMinistria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës ka organizuar të premten një seminar me temë: “Ndërhyrja humanitare dhe shtetndërtimi, Kosova dhe më gjerë”.

Seminari u organizua në kuadër të nismës “Germia Hill Talks”, e cila përbëhet nga një varg seminaresh tematikë të organizuar për të mbledhur liderë botërorë për të diskutuar çështje të rrënjosura në Ballkan, si një platformë për debatin mbi tema më të gjera ndërkombëtare.

Kjo ngjarje tuboi njerëz të cilët kanë punuar në disa nga vendet dhe çështjet më sfiduese politike dhe post-konfliktuoze, personalitete këta nga profile të ndryshme: kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ish-drejtues politik i kryengritjes së armatosur kundër shtypjes dhe i cili për vite me radhë po e udhëheqë Kosovën me vendosmëri drejt procesit historik të pavarësisë dhe integrimeve euro-atlantike, në paqe me fqinjët; James Rubin, i cili ka shërbyer në poste të larta gjatë administratës së presidentit Clinton dhe një nga njohësit më të shquar të çështjeve botërore. Rubin punoi edhe si gazetar i lajmeve dhe komentues në televizionin Sky News. Ai është ligjërues mysafir pranë Rothermere American Institute të Universitetit të Oksfordit, është redaktor kontribuues pranë revistës amerikane, “The New Republic” dhe komentues, ligjërues dhe analist i çështjeve botërore dhe politikës së jashtme të SHBA-së; Nadim Shehadi, anëtar i asociuar i programit të Chatam House për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut dhe ish këshilltar i lartë në ish-qeverinë libaneze, është një nga ekspertët më të dalluar të Lindjes së Mesme, ka shërbyer edhe si këshilltar për qeveri të ndryshme në Lindjen e Mesme. Moderatori Tim Judah është gazetar dhe korrespondent i të përjavshmes prestigjioze “The Economist” dhe autor i disa librave mbi çështjet ballkanike dhe botërore.

Tim Judah hapi seminarin duke thënë se rasti i luftës së Kosovës ka dëshmuar ndërhyrjen e suksesshme ushtarake të komunitetit ndërkombëtar për t’i dhënë fund tiranisë së Sllobodan Millosheviqit në Kosovë dhe për të parandaluar gjenocidin në Kosovë, duke shtuar se rasti i Srebrenicës ishte këmbëza për ndërhyrjen në Kosovë.

Kryeministri Hashim Thaçi tha se lufta e Kosovës ishte mbështetur në liri, demokraci, pavarësi dhe perspektivë euro-atlantike. Thaçi, duke falënderuar kontributin e z. Rubin për lirinë e Kosovës, tha se përpjekjet e qytetarëve të Kosovës morën përkrahje të fuqishme nga ithtarët e idealeve dhe shembujve të politikave progresive, në mesin e tyre ish-presidenti amerikan Bill Clinton, ish-kryeministri britanik Tony Blair, ish-sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright, ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, por edhe liderë të tjerë të shumtë evropianë, amerikanë dhe botërorë. Lidhur me luftën në Siri, Thaçi tha se çështja është tashmë se si do të zhbëhen armët kimike të Assad-it.

Ish-zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, James Rubin, tha se ndërhyrja humanitare në Kosovë paraqet momentin e tij më krenar në qeverinë e SHBA-së. Rubin tha se Kosova është mbase rasti i vetëm ku komuniteti ndërkombëtar ka arritur ta parandalojë gjenocidin. Rubin tha se rrethanat politike ndërkombëtare ishin në favor të Kosovës dhe se politika multilaterale e qeverisë së SHBA-së ishte që të sigurohej legjitimiteti maksimal për ndërhyrjen ushtarake në Kosovë, përfshirja e OKB-së, BE-së, dhe që Rusia të pranonte që të mos shfrytëzonte fuqinë e vetos. Rubin tha se Siria është rast tjetër dhe se vetëm disa rrethana mund të jenë të ngjashme.

Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se të shkelja e të drejtave të njeriut në Kosovë i parapriu zhvillimeve që çuan në ndërhyrjen humanitare të NATO-s. Hoxhaj tha se, sipas tij, lufta në Siri dhe pranvera arabe përbëjnë episodet e fundit të Luftës së Ftohtë. Ai shtoi se Kosova është shembull i mirë për ndërhyrje ndërkombëtare dhe shtetndërtim. Në fund, Hoxhaj tha se Kosova, si shtet i vogël, krejt çfarë ka mundur të bëjë në rastin e luftës së Sirisë është ofrimi i mbështetjes publike për popullin e Sirisë.

Eksperti i Lindjes së Mesme, Nadim Shehadi, nënvizoi rëndësinë kyçe të kohës së ndërhyrjes së komunitetit ndërkombëtar në konflikte, duke theksuar shembujt e Algjerisë dhe Kuvajtit. Shehadi u shpreh se të drejtat e njeriut dhe sovraniteti nuk janë gjithmonë vlera të përputhshme. Ai tha se indiferenca e komunitetit ndërkombëtar në çdo luftë  të padrejtë është e papranueshme. Shehadi theksoi se komunitetit ndërkombëtar i nevojitet, para se gjithash, vullneti politik dhe lidershipi për t’i zgjidhur konfliktet në botë, duke shtuar se liderët duhet të prijnë e jo të ndjekin. Sa i përket luftës në Siri, Shehadi tha se ndryshimi i sistemit politik në vend është qenësor për të ardhmen e popullit të Sirisë.

Në seminar morën pjesë ambasadorë dhe diplomatë ndërkombëtarë në Kosovë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile kosovare.

“Germia Hill Talks” është një nënprodukt i konferencës “Germia Hill”, një ngjarje kryesore vjetore e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës dhe Këshillit Evropian për Punë të Jashtme (ECFR), pjesëmarrësit e së cilës janë edhe opinionistë botërorë, personalitete të shquara e vendimmarrëse të cilët shkëmbejnë ide rreth politikës në Evropën Juglindore, dhe çështjeve evropiane dhe transatlantike në përgjithësi./PrizrenPress.com/

Më Shumë

Ti je për mua një krijesë e trishtë

Poezi e shkruar nga Cesare Pavese. Përktheu: Orjela Stafasani Ti je për mua një krijesë e trishtë një lule e përkohshme poezie që bash në çastin kur e...

Sot votimi historik për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës sot me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm nga të gjitha shtetet anëtare, do të...

Lajmet e Fundit