23.8 C
Prizren
E shtunë, 28 Shtator, 2024

A janë romët “maxhup” , apo…?

Edis Galushi

Fjalët kanë fuqi të veçantë nëse i përdorim për grupime, e sidomos për grupimin apo kategorizimin e njerëzve në shtresa të ndryshme të shoqërisë. Aq i ngulitur është imazhi i “maxhupëve” në mendjën tonë sa që shpeshherë i anashkalojmë përvojat nga jeta e përditshme si një mirazh apo halucinacion kur bijnë në kundërshtim me fotografinë të cilën e kemi absorbuar dhe përvetësuar lidhur me atë se kush janë keta njerëz.

Deri më sot kam përcjellur shumë intervista, biseda, emisione për romet. Në shumicën e rasteve pyetja e parë me të cilën fillon biseda është: “Na tregoni kush janë romët”. Edhe pse me shekuj të tërë po jetojmë në këtë vend, pas gjithë kësaj kohe, ende po kemi nevojë të prezentohemi. Kjo e dëshmon më së miri se sa e gatshme ishte shoqëria Evropiane për t`i pranuar romët dhe për të bashkëjetuar me ta. Pasi vetëm jemi në fillim të këtij shkrimi, unë nuk do t`ju tregoj se kush janë romët, sepse besoj që deri më sot është dashur ta degjoni apo edhe mësoni këtë. Jo nga mësimi i edukatës qytetare, apo ndonjë vepër të madhe letrare, sepse imazhi të cilin e përmenda në fillim, nuk na jep hapsirë që romët të futen në shkrimet që paraqesin vlerë, por, edhe sikur të futeshin, jam i bindur që nuk do përshkruheshin si pasuri dhe kulturë shtesë e shoqërisë, por si diçka krejtsisht tjetër. Për atë, se kush janë romët është dashur ta mësoni nga përditshmëria, sepse romët janë pjesë e pandashme e përditshmërisë sonë, dhe fakti që edhe sot e kësaj dite po kemi nevojë të njoftohemi me njëri-tjetrin, tregon se sa hezituese ishte shoqeria jonë për bashkëpunim dhe bashkëjetesë më të mirëfilltë.

Por, përse përdoret terminologji e dyfishtë, ndonjëherë rom ndonjëhere maxhup? Shpjegimi i termeve rom dhe maxhup është çështje kyqe e një historie të gjatë të imazheve konfliktuese dhe përfaqësuese. “Rom” qëndron për perspektivën e brendshme. Sot përdorët në publik dhe përçon me atë që është e “mirëfilltë”, e “pranuar” apo “politikisht më e saktë”. Etiketimi apo klasifikimi “maxhup”, në të kundërtën, qëndron për perspektivën e jashtme. E përfaqëson një imazh që jo gjithmonë është koherent me të vërtetën, por i cili e ushqen imagjinatën e jo-romëve. Përndryshe, është mirë të ceket se ky term përulës është shpikur nga jo-romët, sepse romët, që nga fillimi i ekzistencës së tyre, (së paku një pjesë e madhe e tyre) e quanin veten si rom. Për atë, edhe në Kongresin e Parë të Romëvë të mbajtur në Londër në vitin 1971, ky term është pranuar si emërtim për popullin i cili kryesisht njihet me emrin “maxhup”.

Përgjatë historisë, shumica e shoqërive e kanë krijuar një imazh të romëve që bie ndesh me mënyrën se si romët e shohin vetveten. Vetëm se romet nuk kanë shtet të vetin, konsiderohen si të parrënjëzuar. Vetem se nuk punësohen nga të tjerët (nuk duhen mohuar rastet e rralla), konsiderohen si dembela. Vetem se ligji shpesh here është i ashpër ndaj tyre, jo që vetëm konsiderohen si të lirë por edhe si njerëz pa ligj/zakon.Në anën tjetër estetika e cila ndër vite është prezentuar në novela të ndryshme apo edhe në muzikë si p.sh veshja shumëngjyrëshe dhe zbukurimi me stoli të ndryshme çoftë ornamente, unaza, bylyzyk, vathë si dhe pasioni për muzikë, vallëzim dhe këngë, stili i jetës dhe mënyra e sigurimit të ekzistencës (e që sphesh përgjithësohet, ekzagjerohet dhe nuk paraqitet si duhet), kur gjithë këto imazhe të trilluara paraqesin të kundërtën e vlerave të shoqërisë shumicë, maxhupët në të njëjtën kohë konsiderohen si rrezik dhe trajtohen me dyshim.

Kur diskutohet për romët, ne çfaredo formati, gjithnjë flitet për atë se kush JANË romët, dhe asnjëherë nuk konsiderohet e kundërta, kush NUK JANË romët. Arsyeja përse po e them këtë është se, kurdo që dëgjohet ndonjë shembull i mirë i suksesit, dhe protagonisti te jetë rom, menjëherë thuhet “jo bre… nime a?…mos bë hajgare? Shoqëria jonë shumë vështirë i pranon shembujt e mirë, për atë edhe detyron që romët e përparuar të hezitojnë të flasin për përkatësinë e tyre. Ndërsa, a është kjo gjë e mirë që e bëjnë këta romë të “perparuar”, kjo le të mbetet temë për hera tjera. Ne (romët) akuzohemi që e izolojme vetveten dhe nuk i perfillim normat e shoqërisë, por, lirisht mund të them se kjo është pasojë e intensitetit të paragjykimeve dhe diskriminimit që na është bërë ndër shekuj. Ky është rezultat i vendimeve të përditshme, ku romet mbesin të ndarë e të veçuar nga shoqëria e gjërë kur diskutohet për vendime të rëndësishme.

Besoj se mjaft kam folur për romët në përgjithësi, dhe duke mos dashur të jem i tepërt, dua ta ceki edhe temën e fundit të cilën e shtjelluan romët e Prizrenit dhe kështu nga përshkrimi i përgjithshëm të kaloj tek ai më konkret. Para pak ditësh në qytetin e Prizrenit ështe mbajtur një tryez ku është diskutuar për gjuhën rome, dhe në këtë takim, romët e këtij qyteti kërkuan që gjuha e tyre të jetë në përdorim zyrtar duke u bazuar në Ligjin për Gjuhë, i cili garanton që nëse një gjuhë është folur tradicionalisht në një vend, atëherë e njëjta mund të jetë në përdorim zyrtar. Ajo çka me bëri përshtypje më së shumti është se njëri nga panelistët (Komisionari për Gjuhë) ka thënë se “nëse romët mund të dëshmojnë se gjuha e tyre është folur tradicionalisht në këtë vend, atëherë Kuvendi Komunal ka bazë me të cilën mund ta shqyrtoj këtë çështje”. Përsëri u kthyem në fillim. Përsëri, edhe pas shumë shekujsh bashkëjetesë, duhet ta dëshmojmë se jemi qytetar të këtij vendi, përsëri duhet të prezentohemi dhe të fillojmë ta njohim njëri tjetrin, sikurse në këtë qytet kurr nuk është dëgjuar të flitet romisht, ndërsa muhabeti “qhajorie shukarie” mjaftë shpesh përmendet, e sa për “ederllezi” besoj, nuk kam nevojë të them shumë.

Ajo çka dua të them me këtë shkrim është se mjaft romët janë konsideruar si “jashtëtokësor”. Mjaft është përulur kultura e tyre e begatshme. Mjaft është përqeshur gjuha e tyre e pasur. Romët nuk duhen trajtuar si diçka e veçantë, por si diçka e përbashkët. Romët duhen trajtuar si vlerë e jo si mallkim i shoqërisë. Romët i përkasin vendit ku jetojnë, nuk janë ardhacak. Romët kanë kontribuar dhe ende po kontribuojnë në zhvillimi e shoqërive të ndryshme, çoftë me fuqi, me mend, apo edhe me gjak. Kontributin e njëjtë po e japin edhe për ndërtimin e Kosovës, vetëm mbetet që ky kontribut të vërehet dhe të pranohet, dhe asesi të përulet. Vetëm kështu ndërtohet një shoqëri e shëndoshë.

(Master kandidat në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Shoqërore
Universiteti i Zagrebit)

Më Shumë

E mërkura me vranësira

Sot në Kosovë do të mbajë mot me vranësira, por do të ketë intervale me diell. “ do të mbajë mot i vranët dhe me...

Arrestohet në Prizren recidivisti i dhunës në familje

Është arrestuar një person në Prizren, për të cilin babai i tij ka thënë se i shkakton probleme dhe është recidivist i dhunës në...

Lajmet e Fundit