3.9 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Kështu e nisëm luftën

Binak-Dinaj“E vërteta për luftën në Loxhë”. Flet për “Epokën e re”, ish-ushtari i UÇK-së, Binak Dinaj.

Binak Dinaj, ish i burgosur politik, aktivist i palodhshëm i çështjes shqiptare, një ndër organizatorët e parë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me bomba të të cilit u kryen aksionet e para guerile në shenjë kundërshtimi me sjelljen e kolonëve serbë në Kosovë nga Kroacia dhe i cili e la dorën e majtë gjatë luftimeve në Loxhë, në fejtonin “E vërteta për luftën në Loxhë” për herë të parë rrëfen për shumë ngjarje dhe personazhe…

“Bombat e para që janë hedhur nga pjesëtarët e UÇK-së në afërsi të kampeve të serbëve të sjellë nga Kroacia, për ta kundërshtuar kolonizimin e Kosovës, por pa pasur qëllim t’i vrasim, i kam sjellë me duart e mia, pas të cilit aksion ka dalë UÇK-ja me komunikatë”, ka treguar Dinaj. Ai ka thënë se më vonë, pas një bisede me Xhavit Halitin nga Shtabi i UÇK-së, i është blerë një veturë për ta shfrytëzuar për logjistikë. “Në atë kohë kanë qenë tri vetura të tipit ‘Lada’. Këtë e kam marr vesh më vonë. Një veturë e kishte pasur Zahir Pajaziti me Edmondin, një Nait Hasani dhe një unë me Rexhep Kelmendin”, ka deklaruar Dinaj. Ai ka rrëfyer se si me Skënder Çekun, tash dëshmor i kombit, është angazhuar në Shqipëri për të siguruar armatim për pjesëtarët e UÇK-së përderisa një ditë bashkë me të dhe me dhjetëra luftëtarë të tjerë kanë hyrë edhe vetë në Kosovë për të luftuar. Dhe betejën e parë, ka treguar ai, e kanë pasur në Loxhë, ku edhe e ka humbur dorën e majtë, gjatë një luftimi me disa ushtarë serbë.

“Epoka e re”: Kur keni marrë për herë të parë kontakt dhe me kënd rreth organizimit të UÇK-së?
Dinaj: Për herë të parë rreth organizimit të UÇK-së kam marr kontakt në dhjetor të ’94-s bashkë me Rexhep Kelmendin e Xhavit Halitin.

“Epoka e re”: Të kujtohet se në cilin vend jeni takuar?
Dinaj: Jemi takuar në Tiranë.

“Epoka e re”: Çka konkretisht keni biseduar në atë takim?
Dinaj: Kryesisht rreth organizimit të parë të njësiteve guerile të UÇK-së. Me Rexhep Kelmendin e kemi pasur për detyrë të merremi me logjistikë, me armatim. Dmth., bombat e para që janë hedhur nga pjesëtarët e UÇK-së në afërsi të kampeve të qëndrimit të serbëve të sjellë nga Kroacia… në kundërshtim me kolonizimin e Kosovës, por pa pasur qëllim t’i vrasim, i kam sjellë me duart e mia, pas të cilit aksion ka dalë me komunikatë UÇK-ja.

“Epoka e re”: Nga ku i keni sjellë në Kosovë ato bomba?
Dinaj: I kam blerë me disa shokë në Rozhajë, para se të kyçem në UÇK. Një shok m’i ka sjellë. I kam blerë ato bomba, sepse e dija se një ditë do të na hynin në punë. Më vonë, në kontaktin e parë me Xhavit Halitin në dhjetor të ’94-s, ai më pyet nëse kam ndonjë gjë nga armatimi. I tregova se i kisha disa bomba dhe se mund t’i siguroja edhe 10-15 të tjera. Por, për këtë periudhë nuk dëshiroj të flas më shumë këtë herë.

“Epoka e re”: Pse?
Dinaj: Për disa arsye. Mbase do të flas në ndonjë rast tjetër!

“Epoka e re”: A ju kujtohet se kujt ia keni dhënë këto bomba?
Dinaj: Ka qenë rreptësisht e ndalur ta di se kush është ai që i mori ato bomba.

“Epoka e re”: Si jeni ndier kur keni dëgjuar se me ato bomba është kryer aksioni i parë ndaj forcave policore serbe?
Dinaj: Në një farë forme isha shumë i kënaqur sepse, përveçse aksioni kaloi mirë, pa pasoja, ishte një shenjë e qartë se gjendja po fillon të ndryshojë.

“Epoka e re”: Pastaj si e keni vazhduar aktivitetin?
Dinaj: Me kalimin e kohës i kam parashtruar disa kërkesa.

“Epoka e re”: Kujt?
Dinaj: Konkretisht Xhavitit. Ai ka qenë përgjegjës. Me Rexhep Kelmendin kemi shkuar në Tiranë dhe e kemi kërkuar një veturë për ta vazhduar aktivitetin. Nga Shtabi i UÇK-së na është blerë vetura. Kanë qenë tri vetura të tipit “Lada”. Këtë e kam marr vesh më vonë. Një veturë e kishte pasur Zahir Pajaziti me Edmondin, një Nait Hasani dhe një unë me Rexhep Kelmendin. Meqenëse në Shqipëri ishte problem të sigurohej armatim, e kisha një lidhje në Roxhajë, ku kam shkuar shumë shpesh për armatim. Kam blerë kryesisht kallashnikovë, snajperë dhe municion. Armatimin e kam sjellë nga Rozhaja deri në kohën kur ka filluar të hyjë nga Shqipëria.

“Epoka e re”: Keni pasur kontakte me Zahir Pajazitin dhe Nait Hasanin?
Dinaj: Jam njohur me ta.

“Epoka e re”: Por a keni qenë në dijeni se të tretë jeni duke u angazhuar në veprimtari ushtarake për çlirimin e Kosovës?
Dinaj: Nuk e kam ditur në fillim. Këtë e kam kuptuar kur Naiti ka rënë në burg.

“Epoka e re”: Pas daljes publike të UÇK-së dhe rritjes së saj, ndryshuan detyrat tuaja?
Dinaj: Më së shumti jam marr me sigurimin e armatimit, por edhe me sigurimin e ushqimit dhe veshmbathjes për ushtarë të UÇK-së në Jabllanicë, Gllogjan si dhe me përgatitjen dhe furnizimin me barna të spitalit në Irzniq.

“Epoka e re”: Me kënd kontaktoje, apo nga kush merrje detyra?
Dinaj: Me Ramush Haradinajn direkt, pasi ishte krijuar Zona Operative e Dukagjinit. Unë kam pasur kontakte të mira me të gjithë anëtarët e Shtabit të Zonës Operative të Dukagjinit, kurse kohë pas kohe kontaktoja në telefon edhe me Xhavit Halitin. Pastaj erdhi Emrush Xhemajli këndej.

“Epoka e re”: Pas disa vitesh UÇK-ja rritet, zgjerohet lufta, zhvillohen beteja të shumta, si ato të Loxhës, ku keni marrë pjesë edhe ju në njërën prej tyre. Para se të flasim për luftën në Loxhë, keni edhe diçka për të folur?
Dinaj: Para se të flas për luftën në Loxhë e shoh të arsyeshme të tregoj se në fshatin Raushiq u parashtruan kërkesat nga fshatarët për t’u armatosur, sepse furnizimi me armatim vetëm nga SHP i UÇK-së ishte i vështirë. Pavarësisht premtimeve të Bukoshit, se ka armatim dhe rreth 200 mijë ushtarë, nuk doli asgjë. Pastaj filloi mbledhja e mjeteve në Perëndim për blerjen e armatimit. Bashkëfshatarët e mi më autorizuan të shkoj në Shqipëri për blerjen e armëve. Unë u thash se shkoj, por lufta nuk do të bëhej vetëm në Raushiq. Kështu që, nëse bashkëfshatarët sjellin financa, unë nuk do të blej armë vetëm për fshatin tonë, por në bashkëpunim me SHP të UÇK-së do t’i shpërndajmë gjithandej Kosovës, pasi lufta nuk bëhej vetëm në Dukagjin, konkretisht vetëm në Raushiq, por edhe në Drenicë, Llap e vende të tjera të Kosovës. Bashkëfshatarët në Shqipëri i sollën rreth 100 mijë marka dhe rreth 70 mijë franga zvicerane. Në kontakt me Xhavit Halitin dhe Skënder Çekun e kam blerë një sasi të armatimit.

“Epoka e re”: Me Skënder Çekun jeni njohur edhe më herët?
Dinaj: Po, qysh në vitet e ’80-ta, pasi kam qenë edhe i burgosur politik. Por, kur shkova në Shqipëri për të marr armatim, kam qëndruar më shumë se një muaj. Gjatë asaj kohe kam shkuar në Durrës, te shtëpia e Skënder Çekut. Bashkë me Skënderin kemi çuar armatim në Kukës, Tropojë. I kemi mbushur disa herë kamionët. Skënderi e voziste kamionin e ushtrisë, kurse unë një xhip të ushtrisë. E kamionin e fundit me armatim e kemi ndarë për Raushiq dhe për bashkëluftëtarët e tij që ishin me ne. Nga Shqipëria më 20 kuaj kemi depërtuar në Kosovë bashkë me Skënderin, Hysen Dreshajn – “Besnikun”, Xhavit Dreshajn, Besnik Shalën – “Gazin” , Adnan Spahiun – “Hansin” , Afrim Bajraktarin – “Benin”, Smajl e Gani Elezin si dhe me luftëtarë të tjerë, të cilëve u kërkoj falje që për momentin nuk po ua kujtoj emrat, pasi kanë kaluar 15 vjet nga lufta. Një natë kemi fjetur në Junik, pastaj kemi pushuar pak në Gllogjan.

“Epoka e re”: Në Gllogjan a jeni takuar me ndonjë komandant?
Dinaj: Jemi takuar. I kam njohur shumicën. Nuk më kujtohet a jemi takuar me Ramushin, me të cilin kam pasur raporte të mira.

“Epoka e re”: Pastaj nga Gllogjani ku shkuat?
Dinaj: Armatimin fillimisht e kemi çuar në shtëpinë time në Raushiq, nga ku e kemi shpërndarë në fshat, kurse pjesa e armatimit për luftëtarët e Skënder Çekut ka mbetur në dhomën time. Ndërkohë, rreth orës tre të natës kam rënë të pushoj pak, por rreth orës 06:00 kanë ardhur dhe më kanë thirrur, duke më thënë “krisi në Loxhë”. Është fjala për datën 6 korrik, për ofensivën e parë. Bashkë me Skënderin dhe me luftëtarët e tjerë, me të cilët kishim ardhur nga Shqipëria, jemi nisur për në Loxhë. Fillimisht jemi ndal te shtëpitë e buqollve, pa hyrë në Loxhë. Skëndër Çeku me Besnik Shalën dhe me Gani Elezin janë nisur për në Loxhë, kurse neve na tha të presim aty. Por, pa u bërë gjysmë ore janë dëgjuar të shtëna të pushkëve. Dikush nga ata të Loxhës, që i kishin zënë pozicionet, nuk e ka njohur Skënder Çekun dhe ka gjuajtur në të por, për fat të mirë, s’e ka kapur plumbi. Më vonë e kam kuptuar se Nazmi Morina ka gjuajtur, i cili më vonë e kishte kapur për qafe Skënderin. Unë kur i kam dëgjuar pushkët kam menduar se u vra Skënderi. Thash me vete, unë i Raushiqit e njoh mirë terrenin andej, po qysh nuk shkova me ta. Dhe në atë moment jam nisur për në Loxhë, kurse ushtarët e tjerë mbetën aty. Me vete e mora kallashnikovin, mortajën e dorës, 4-5 bomba dhe gjatë rrugës në mes të Loxhës dhe Raushiqit i kam parë disa ushtarë me tesha të zeza që vinin në drejtim timin. Jam ulur pas një mezhde dhe kur janë afruar në 3-4 metra i kam hedhur bombat mbi ta. Pastaj kam shtirë me mortajë të dorës në shtëpi të Paviqit. Atëherë është çuar njëri që ishte i plagosur dhe ka filluar të bërtasë në gjuhën serbe, duke thënë se me dhunë e kanë sjellë të luftojë në Kosovë. Në atë moment unë e kam zgjatur dorën e majtë për ta marrë kallashnikovin dhe, veç kur e kam ndier se një plumb i pizgauerit, apo ku ta di unë, më ka marr në dorë, e cila më mbeti var, por me dorën tjetër e kam shkoqur, pastaj e kam nxjerr revolen dhe e kam raportir në mes të dy këmbëve, sepse çdoherë kam thënë se i gjallë nuk u bie në dorë serbëve. Pas pak ka ardhur Mentor Morina, i cili është nga Loxha dhe ma ka lidhur dorën për të mos më rrjedhur gjaku. Ashtu me të kam ecur përreth një kilometër, pasi për asnjë moment nuk më ka humbur vetëdija. Ndërkohë, ka dalë edhe një djalë, i cili, pavarësisht kundërshtimit tim, më ka qit në shpinë, me arsyetim se lodhem. Më vonë me një makinë më kanë çuar në spitalin e UÇK-së në Irzniq, ku ma ka operuar dorën mjeku Avdyl Krasniqi. Më vonë Skënderi ka ardhur të më shohë në spital dhe më ka treguar se kishte pas shkuar në vendin e ngjarjes, ku i kishte gjetur disa kapela të ushtarëve serbë. Besnik Shala aty e kishte gjetur edhe orën time, të cilën ia kishte pas dhënë Skënderit.

“Epoka e re”: E keni vazhduar aktivitetin pas operimit?
Dinaj: Pas operimit disa herë kam shkuar në Loxhë për ta vizituar Skënder Çekun dhe bashkëluftëtarët e tjerë, kurse pas rënies së Loxhës kam kaluar në Tiranë. Në Tiranë jam marr përsëri me logjistikë dhe jam përkujdesur për ushtarët e plagosur derisa ka përfunduar lufta çlirimtare.

Më Shumë

Komuna e Prizrenit shpërndan dru zjarri për 824 familje në nevojë

Drejtoria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (DPMS) në Prizren ka përfunduar sot shpërndarjen e druve të zjarrit për 824 familje, ku përfshihen: 213 familje...

Armend Thaqi zgjedhet “Ylli i Javës” në Superligë

Futbollisti Armend Thaqi, është shpallur “Ylli i Javës” për xhiron e 17-të të Superligës së Kosovës nga Federata e Futbollit të Kosovës dhe sponsori...

Lajmet e Fundit