Komuna e Prizrenit ka lejuar shpenzimin e një fondi në vlerë prej 18.500 eurosh për përkrahjen e shoqërive kulturore në aktivitetet e tyre për këtë vit, ndërsa përpos subjekteve kulturore shqiptare, përfitues janë edhe ato që përfaqësojnë komunitetin turk, boshnjak dhe atë RAE.
Prizreni njihet si njëra ndër qendrat kryesore të kulturës në vend. Përpos monumenteve të shumta historike e kulturore, në Prizren, qytet ky i dyti pas kryeqendrës veprojnë edhe disa shoqëri e grupe artistike, nga të gjitha komunitetet që jetojnë në këtë lokalitet. Disa nga shoqëritë artistike janë të njohura apo ndër të parat në Kosovë, siç është SHKA “Agimi”, që zhvillon veprimtari prej më se 70 vjetësh.
Zyrtarët për kulturë të Prizrenit deklaruan se megjithëse buxhetin e kufizuar për kulturë resori i tyre ka përkrahur financiarisht shumicën e SHKA-ve që veprojnë në Komunën e Prizrenit, si dhe ka ndihmuar organizimin e një numri të madh të aktiviteteve kulturore.
Anëtarët e ekzekutivit lokal kanë lejuar përdorimin e një fondi në vlerë prej 18.500 eurosh për të ndihmuar 14 subjekte kulturore, në realizimin e organizimeve të tyre.
Drejtori për Kulturë, Arhim Ajazi, ka thënë se përkrahja ka për qëllim kultivimin dhe prezantimin e vlerave artistike në manifestimet kulturore në vend dhe ato që mbahen në arenën ndërkombëtare.
Më së shumti mjete apo 3 mijë euro i janë ndarë Ansamblit të Këngëve dhe të Valleve “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”. Zyrtarët këtë e kanë arsyetuar me bashkëpunimin që ky subjekt ka me Komunën për të qenë pjesë e aktiviteteve institucionale.
Drejtuesit e shoqërive ndërkaq vijimisht janë ankuar se mungesa e mjeteve financiare apo e donatorëve përbën sfidën kryesore për një zhvillim të mirëfilltë të punës së këtyre subjekteve artistike.
Nga ana tjetër do theksuar se përveç shoqërive dhe klubeve shqiptare, një mbështetje financiare, në bazë të kërkesës dhe nevojave të tyre gjatë kësaj kohe u është dhënë edhe shoqërive kulturore minoritare.
Xhemajli Kabashi nga SHKA “Agimi”, që sivjet mbushi 71 vjet nga themelimi tha se për një shoqëri me traditë si kjo janë të pamjaftueshme as për shpenzime elementare 2 mijë euro sa janë ndarë për tërë vitin.
Përkrahje financiare për vitin 2015 po ashtu kanë marrë edhe AKV “Emin Duraku”, pastaj SHKA “Muharrem dhe Xhevat Qena” e Romajës, SHKA “Dogru Yoll” Prizren, pastaj SHKA “Podgorski Biseri”, SHKA “Katarina Josipi” në Zym, OJQ “Alternativ-D” në Prizren, OJQ Shoqata e Artistëve të Stripit-Prizren, OJQ “EKUD-Mladi talenti”-Prizren, SHKA “Sharski Behar”, SHKA “Durmish Asllano” Prizren, SHKA “Mesk” Prizren dhe OJQ “Klassic VVave”,
Gjatë debatit nëse fondi i propozuar do të mjaftonte për disa shoqëri artistike me traditë, si bie fjala “Agimin”, drejtori për Shërbime Publike në Prizren, Hasan Hasani, në mbledhjen e fundit të ekzekutivit ka propozuar që fondi i tanishëm të ketë mundësinë e rritjes, por kjo të bëhet me një konkluzion tjetër varësisht nga aktivitetet konkrete dhe mundësia e arsyetimit të kërkesave nga ana e SHKA-ve.
Përfaqësues të shoqërisë civile ndërkaq kanë vlerësuar se shuma e buxhetit për kulturë duhet rishikuar, pasi aktivitetet kulturore në këtë qytet, të dytin për nga madhësia pas kryeqendrës, janë të shumta.
/zeri/