15.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Komuna e Suharekës që tetë vjet duron uzurpim të pronës publike

Edhe pse e ka shpallur uzurpator të 33 metrave katrorë të pronës publike Nuhi Krasniqin, Komuna e Suharekës ende nuk ka mundur ta kthejë këtë pronë.

Nuhi Krasniqi nga fshati Mushtisht që prej komunës konsiderohet uzurpator, ka ndërtuar një objekt që përveç pronës së tij ka zënë edhe 33 metra katrorë të tokës publike.

Kjo ka ndikuar që rruga e lagjes ku jeton Krasniqi të ngushtohet dhe të pengojë banorët tjerë të saj.

Shaip Bytyqi ankohet se rruga te shtëpia e Nuhi Krasniqit nuk lejon qarkullimin e dy makinave në kahje të kundërt njëkohësisht.

“Po na pengon neve se na këtu dy kerre nuk po mundemi me i ndërruar. Ky kojshia këtu që na ka zanë rrugën neve ka thënë kur te vim na [me makina] ju pshtetuni prej muri, deri të kalojmë ne. Pasi të kalojmë na, kaloni ju. Unë do ta pranoj, do të rri për muri, por ndoshta djemtë e mi, nipat e mi nuk e respektojnë një vendim të këtyre dhe do të kenë problem,” thotë Bytyqi.

Më 26 shtator 2007 Komuna e Suharekës e kishte vërtetuar se Nuhi Krasniqi ka uzurpuar një pjesë të rrugës publike, duke e obliguar Krasniqin që t’i eliminojë objektet e ndërtuara në rrugë, nëse nuk dëshiron që ato t’i rrënohen me dhunë.

Por banorët ankohen se komuna nuk ka vepruar edhe pas tetë vjetësh.

“Shteti nuk është duke vepruar dhe jam duke ankuar prej 2007-ës, tash 2015-ta, s’ka kurrgjë. Shkoj te kryetarët edhe ky edhe ky që ka qenë më herët. Në atë moment thua që u nis bageri, ja nisën me prish, por që 8 vjet, 9 vjet nuk ka kurrgjë,” thotë Bytyqi.

Edhe Qazim Shala, një banor tjetër i Mushtishtit thotë se është ankuar në komunë, pa mundur t’i ndryshojë gjërat në terren.

“Ne kemi qenë së bashku me Shaipin [Bytyqin] në komunë. Na kanë thënë se po do të merret vendimi, por na e kryejmë, mos merreni ju me këto punë. Na e kryejmë, na e kryejmë dhe nuk është zbatuar kurrë, thotë Shala”.

Moszbatimin e vendimit të komunës së Suharekës për lirim të kësaj rruge e pranon edhe zëdhënësi Reshat Reshitaj.

“Është e vërtetë që ka kaluar një kohë shumë e gjatë që nuk është zbatuar ky vendim i komunës, mirëpo vitin e kaluar Drejtoria e Gjeodezisë, Pronës dhe Kadastrës ka marrë një iniciativë që ta zgjidhë këtë problem, sepse ka kërkesa të qytetarëve të lagjes ku i pengon ky objekt,” shpjegon Reshitaj.

KALLXO.com-i kontaktoi edhe me Sylejman Hoxhajn, drejtorin e Gjeodezisë, Pronës dhe Kadastrës, por Hoxhaj nuk deshi të flasë për rastin e Nuhi Krasniqit, duke udhëzuar që për këtë çështje të kontaktohet zëdhënësi i komunës.

Zëdhënësi mosveprimin e komunës e arsyeton me një padi që ndërtuesi i objekteve në një pjesë të rrugës publike ia ka bërë pushtetit lokal të Suharekës.

Nuhi Krasniqi pretendon se objekti që ka ndërtuar ka vlerë më të madhe se pjesa e rrugës që ka zënë me të dhe dëshiron që kontestin me komunën ta zgjidhë me anë të gjyqit.

Këtë situatë e shpjegon zëdhënësi i Komunës së Suharekës Reshat Reshitaj.

“Pronari i objektit ka ngritur një lëndë në gjykatë dhe po pritet vendimi, se çfarë do të sjell gjykata dhe është thënë edhe më herët dhe po thuhet se vlera e objektit është më e lartë sesa vetë vlera e pronës së uzurpuar dhe në këto raste sipas juristëve duhet të gjendet zgjidhje në mes komunës me pronarin që e ka uzurpuar, se ndoshta është problem mu prish ajo,” sqaron Reshitaj.

Por kjo padi është bërë në dhjetor të vitit të kaluar dhe deri në këtë kohë Komuna e Suharekës kishte shtatë vjet në dispozicion për ta liruar rrugën e zënë.

KALLXO.com-i kontaktoi edhe me Nuhi Krasniqin i cili nuk pranoi të flasë për objektet e ndërtuara në pronë publike, pasi tha se për këtë rast e ka paditur komunën, ndërsa Sead Haliti, avokati i Krasniqit vetëm konfirmoi padinë për vërtetim pronësie të dorëzuar në gjykatë. /Kallxo.com/

Më Shumë

Moti sot i ngrohtë, temperaturat deri në 22 gradë Celsius

Sot në Kosovë parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira, ku gjatë pasdites pritet të ketë reshje të izoluara shiu, kryesisht në zonat...

Shkurte Fejza nderohet me titullin “Qytetare Nderi” nga komuna e Suharekës

Këngëtarja shqiptare, Shkurte Fejza është nderuar me titullin “Qytetare Nderi” nga komuna e Suharekës. Kështu bëri të ditur kreu i kësaj komune, Bali Muharremaj përmes...

Lajmet e Fundit