8.1 C
Prizren
E enjte, 2 Prill, 2026

Kongresi i Manastirit bashkoi shqiptarët

Mbajtur prej 14 deri më 22 nëntor 1908, Kongresi i Manastirit unifikoi alfabetin e shkronjave shqip.

Kuvendi më i rëndësishëm kombëtar në historinë politike dhe atë kulturore të shqiptarëve, në fillim të shek. XX, u mbajt për të shqyrtuar disa çështje të rëndësishme të lëvizjes kombëtare, në radhë të parë u paraqit me rëndësi shqyrtimi i çështjes së alfabetit të gjuhës shqipe.

 

Morën pjesë 50 delegatë të shoqërive, klubeve dhe organeve kombëtare të trevave shqiptare.

Kongresi ngriti një komision prej 11 delegatësh, ku: Gjergj Fishta u zgjodh kryetar komisioni. Në këtë komision ishin anëtarë: N. Mjeda, Gj. Qiriazi, M. Frashëri, S. Peci, Sh. Kolonja, L. Gurakuqi, Dh. Buda, B.Topulli, N.Vrioni, G.Cilka.

Pas mjaft diskutimesh mori udhë një alfabet i ri, i tëri mbështetur në alfabetin latin. Në fund, komisioni dhe kongresi vendosën që të lejohen si përdorimi i alfabetit të Stambollit, që kishte një përhapje të gjerë, ashtu edhe alfabeti i ri. Brenda pak kohe, alfabeti i ri u bë alfabeti i përbashkët e i vetëm për gjithë shqiptarët, që është alfabeti i sotëm i gjuhës shqipe.

Në këtë kongres u morën vendime të rëndësishme, për çështjen e alfabetit, apo për ato politike, që ndihmuan për ngritjen në një shkallë më të lartë të kulturës e arsimit shqiptar, si edhe për bashkimin e mëtejshëm në luftën për çlirimin kombëtar.

At’ Gjergj Fishta, me një ndikim të fuqishëm në unifikimin e alfabetit të shqipes, duke e rikujtuar këtë ditë, shkruante:

“Ishim nga të gjitha skajet e Shqipnisë dhe të kolonive shqiptare ndër dhena të hueja. U treguam me të vërtet shqiptar sepse kurnjani nuk donte me i lëshue asnji fije penit nga mendimi i vet atij tjetrit. Kongresi duhej të shpërndahej pa marrë kurrnji vendim.

– U tërbova nga inati, U çova në kambë e u fola: – O burra shqyptarë, po a me të vërtetë do t’i lamë marre vedit para të gjithë botës?

– Po a mendoni ndopak se çka do t’u thomi shqyptarëve kur të na pvesin se çka keni ba ju dijetarët atje në Manastir?

 

– Çka do t’u thomi na njerzve të pashkollë që nuk dijnë as me shkrue as me këndue?… Na jemi që mendojmë me ba Shqypninë e si do ta bajmë atë kur na nuk duem me u marrë vesht ndërmjet vedit se si duhet me u shkrue germa A e ajo I?

– Burra po u flas me zemër në dorë se asht marre e turp e faqe e zezë me i lanë marre vedit para popullit shqyptar e para tanë botës, që pret dishka prej nesh e na të kthejmë pa kurrgja në dorë ndër shpija tona.

– Po ulnju burra, ulnju sheshit e pse të kalojmë edhe nji ditë ma shumë në kët vend, mos ta lamë duerbosh popullin që na pret!…

– Aferim! P.Gjergj!… Aferim të kjoftë, bërtiti më të madhë një hoxhë me mjekërr. Ai u çue në kambë e erdh drejt te un, e më puthi në ballë e më tha: – Kështu flet shqiptari që e di që asht shqiptar!…

Ulnju burra, – u tha, – ulnju këtu në shesh të zgjedhim një komisjon e në krye të vemë Pader Gjergj Fishten e vetëm komisjoni do të caktojë se shka duhet të bajmë sot-për të mirën e popullit shqiptar neser…

Fjala e tij u ndigjue me duartrokitje e më caktuen Kryetar të Komisionit të Kongresit të Manastirit, i cili do të delte bosh sikur mos të ishte tregue toleranca e eme që të pranojshm dy alfabete njiherit, atë të Stambollit që kërkonte Mit’hat Frashëri dhe kët që u vendos.

Kjo sjellje e eme në Kongres të Manastirit më ka kushtue mjaft shtrejt në jëtë sepse Abat Doçi, të cilin un e përfaqsova në atë Kongres m’u idhnue. E kur u ktheva më tha: Pater Gjergj, un të kam dijtë si nieri që nuk ban kompromis në jetë! …

Por Shqypnija nuk mund të bahej ndrysh…”

Më Shumë

Sfida jetike në Superligë

Fundjava në ProCredit Superligë do të jetë shumë interesante dhe me emocione të mëdha. Kjo xhiro është përcaktuese për fatin e disa skuadra. Java e...

Akademi Përkujtimore për 25-vjetorin e rënies së Komandant Malishevës

Nesër, më 27 mars 2026, në ora 10:00, në Sallën e Kuvendit të Komunës së Malishevës, do të mbahet Akademi Përkujtimore për 25-vjetorin e...

Lajmet e Fundit