23.8 C
Prizren
E hënë, 6 Maj, 2024

Kosova në Bienalen e Venecias zbulon historinë e panjohur të Prizrenit

Prizren ura e guritAta të cilët do ta vizitojnë Pavijonin e Kosovës në Bienalen e Arkitekturës së Venecias do të kenë mundësi të njihen me historinë arkitekturore njëshekullore të Prizrenit.
Kurator i Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venecias do të jetë arkitekti Gëzim Paçarizi. Këtë e ka bërë të ditur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes një komunikate për media, të mërkurën.

Paçarizi, i cili jeton dhe vepron në Gjenevë ku edhe ka mbaruar studimet për arkitekturë është emëruar kurator nga sekretari i përhershëm i MKRS-së, Veton Firzi.

“Jam i lumtur që propozimi im është përzgjedhur për ta prezantuar Kosovën, si kurator i Pavijonit kosovar në Bienalen e Venecias”, ka thënë Paçarizi për “Kohën Ditore” përderisa ka prezantuar edhe konceptin e tij me të cilin do të përfaqësojë shtetin në ngjarjen më të madhe të arkitekturës në botë. Kosova merr pjesë për herë të dytë në Bienalen e Venecias, e për këshilltar, në fillim të këtij muaji, e ka përzgjedhur arkitektin e njohur izraelit Ron Arad.

Sipas Paçarizit, Kosova do të paraqitet në ekspozitën arkitekturore të Bienales së Venecias me një studim i cili për herë të parë vë në dritë historinë e një shekulli të bujshëm në mjedisin urban dhe arkitektonik të Prizrenit.

“Do të shtjellojmë rezistencën dhe zhdukjen e një mjedisi të jashtëzakonshëm siç ishte Prizreni i fillimit të shekullit deri në ditët e sotshme (1912-2012)”, ka thënë ai. Për të prezantimi konkret në Venecia do të përbëhet nga dy pjesë.

“Intervenimi ynë fizik, instalimi ynë në arsenale”, ka thënë Paçarizi, teksa ka shtuar se ky instalacion është në fazën konceptuale dhe përmbajtja e tij do të zbërthehet më vonë. E pjesa e dytë është teorike dhe vizuale, që do të përbëhet nga materiale grafike, filmike dhe fotografi.

“Qëllimi ynë është përmbledhja dhe bashkimi në një temë të përbashkët”, ka shtuar ai. Paçarizi deri më tani nuk ka pasur kontakt me arkitektin Ron Arad.

Edicioni i 14-të i Bienales së Arkitekturës në Venecie do të mbahet prej 7 qershor deri më 23 nëntor. Do të marrin pjesë 40 shtete. Udhëheqës i bienales me fokus në temën “Fundametals” (Bazat) është Rem Koolhas.

“’Fundamentals’ do të jetë një Bienale për arkitekturën, jo për arkitektët. Pas disa bienaleve që i janë kushtuar promovimit të bashkëkohores, ‘Fundamentals’ do të fokusohet në histori, elemente të pashmangshme të krejt arkitekturës së përdorur nga arkitektët, në çfarëdo kohe e çfarëdo vendi dhe në evolucionin e arkitekturës kombëtare në 100 vjetët e fundit”, ka qenë shpjegimi i Koolhaas për edicionin e sivjetmë.

E pjesëmarrja e Kosovës në këtë ngjarje ku do të marrin pjesë 40 shtete, sipas zyrtarëve të MKRS-së do të kushtojë 120 mijë euro. Këto shpenzime do t’i mbulojë institucioni më i lartë kulturor në vend, përderisa Ron Arad nuk ka kërkuar para për këshillat e tij.

Në fund të muajit të kaluar ministri Krasniqi kishte emëruar Bordin këshillues që përbëhet nga: Ilir Gjinolli, Ilir Murseli, Gjejlane Hoxha, Florina Jerliu dhe Përparim Rama. Kosova për herë të parë u prezantua në Ekspozitën e Arkitekturës në Bienalen e Venecias në gusht të vitit 2012, me projektin “Punuesi i filigranit” të kuruar nga arkitekti Përparim Rama

Më Shumë

Mbi 1 mijë e 800 gjoba trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

1 mijë e 863 gjoba trafiku janë shqiptuar në 24 orët e fundit në vendin tonë. Gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur 16 aksidente me të...

‘Karabashi’ u shënua pa asnjë incident në Prizren

Shën Gjergji u shënua dje  me gëzim në qytetin e Prizrenit, njohur ndryshe si 'Karabashi'. Kjo festë tradicionale shënon përfundimin e dimrit dhe fillimin e...

Lajmet e Fundit