Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka deklaruar se nëse angazhimi për shtetit ligjor dhe demokratik konsiderohen si kërkesa për interesa personale, atëherë ai do të angazhohet që të jetësohen ato “interesa”.
Pas paralajmërimit të Fatmir Limajt se do të formojë parti të re politike, ka reaguar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasnii i cili pritet që të jetë pjesë e partisë së bashku me Limajn.
Krasniqi në facebook ka shkruar se do të angazhohet për funksionim të demokracisë dhe për shtetin e së drejtës.
A janë interesa personale çështjet e më poshtme:
“1. Të angazhohesh për funksionim të demokracisë së brendshme, në parti e institucione të shtetit dhe marrja e vendimeve sipas normave të përcaktuara statutare e ligjore?
2. A është personale të kërkosh përfaqësim më dinjitoz të njerëzve në institucionet e shtetit?
3. A është personale që të organizohesh për funksionimin e shtetit të se drejtës?
4. A është personale të kërkosh qeverisje të mirë e të lirë me kuadro kompetent e të përgjegjshëm?
5. A është personale të kërkosh zhvillim ekonomik të vendit me ligje të qarta?
6. A është personale të kërkosh mbrojtjen e pasurisë publike e kombëtare?
7. A është personale të kërkosh një auditim për procesin e privatizimit?
8. A është personale të kërkosh një arsim te reformuar që kërkon dijen, arsimin dhe edukimin e qytetareve të rinj të Kosovës?
9. A është personale ta degradosh Universitetin publik në këtë derexhe?
10. A është personale të kërkosh një shëndetësi të reformuar që përkujdeset për shëndetin e popullit?
11. A është personale të kërkosh sundimin e rendit e të ligjit dhe luftimin e krimit e korrupsionit?
12. A është personale që të ketë me shumë siguri e perspektivë për jetën dhe pasurinë e njeriut tonë të lirë?
Nëse të gjitha këto çështje janë personale e jo të interesit të përgjithshëm, atëherë ne do të angazhohemi për këto ‘interesa’ personale!”, ka shkruar Krasniqi.