Kadri Kryeziu
Çfarë mund të konstatojë Gjykata Kushtetuese rreth mënyrës së votimit, a do të përcaktohet për votim të hapur apo të fshehtë?
Duhet rikujtuar që në aktgjykimin Nr. KO119/14, të datës 26 Gusht 2014, në pikën 124, Gjykata Kushtetuese konstaton që, gjatë votimit për Kryetar të Kuvendit, deputetët mund të votojnë në mënyrë të hapur ose të fshehtë, pra nuk e përcakton njërën apo formën tjetër të votimit. Ndërkaq në pikën 125, Gjykata thekson “se mënyrat e ndryshme të votimit kanë për qëllim të sigurojnë shprehjen demokratike dhe të pavarur të vullnetit të deputetëve dhe të sigurojnë të drejtat e deputetëve në mënyrë që ata t’u përmbahen obligimeve te tyre”.
Pra, edhe nëse Gjykata Kushtetuese vendos për papranueshmëri të kërkesës, për arsye të interpretimeve të ndryshme mbi aftësinë juridike për të vepruar të një deputeti që i takon një legjislature që akoma nuk e ka konstituar vetveten, Gjykata ka për detyrë t’i përkujtojë palët që kjo çështje tashmë është gjykuar dhe që parimet e aktgjykimit nga viti 2014 janë ligjërisht të detyrueshme. Thënë këtë, kjo nuk nënkupton që Gjykata nuk mund ta detyrojë Kuvendin të votojë në mënyrë të hapur apo të fshehtë, sepse kjo çështje është tërësisht në diskrecionin e Kryesuesit të seancës konstituive.
Ky është një rast i mirë për të përkujtuar pikën 110 të aktgjykimit të vitit 2014 ku thuhet se Gjykata vlerëson se kryesuesja e atëhershme e seancës konstituive, deputetja Flora Brovina, edhe pse nuk ishte e zgjedhur, ajo ishte e obliguar me Kushtetutë dhe me Rregullore të punës të Kuvendit, për të realizuar seancën konstituive. Ky parim vlen edhe për deputetin Avni Dehari, aktualisht Kryesues i seancës konstituive.
Pra, për nevojat e mbarëvajtjes së seancës konstituive, kryesuesi aktual i seancës konstituive është de fakto Kryetar i Kuvendit. Dhe, si i tillë, në frymën e pikës 128 të aktgjykimit të vitit 2014, për të siguruar shprehjen demokratike dhe të pavarur të vullnetit të deputetëve dhe për të siguruar të drejtat e deputetëve në mënyrë që ata t’u përmbahen obligimeve te tyre, Kryesuesi e bën interpretimin përfundimtar të procedurave që mund të aplikohen.
Kjo nënkupton që votimet e njëpasnjëshme, çdo 48 orë, për të ndryshuar mënyrën e votimit, janë tërësisht të panevojshme. Pasi që Kushtetuta, aktgjykimi i vitit 2014, si dhe Rregullorja e Punës, nuk e përcaktojnë një mënyrë përfundimtare të votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, Kryesuesi i seancës konstituive e ka diskrecionin e plotë, që për qëllim të tejkalimit të bllokadave, të përcaktojë vetë mënyrën e votimit.
Kryesuesi i seancës konstituive e ka këtë fuqi të vendosë, sepse sipas pikës 110 të aktgjykimit të vitit 2014, Kryesuesi është i obliguar për ta realizuar seancën konstituive. Kjo nënkupton që ai ka të drejtë të zgjedhë çfarëdo mjeti dhe forme procedurale ligjërisht të pranueshme për të mundësuar konstituimin e Kuvendit.
Ka disa zëra që thonë se në qoftë se Gjykata i hap rrugë një procedure të thjeshtë për të zgjidhur çështjen e mënyrë së votimit, apo, siç u sugjerua më lart, Kryesuesi i seancës konstituive e përcakton votimin e fshehtë si formë për të tejkaluar bllokadën, disa parti politike kanë kërkuar nga deputetët e tyre që të mos jenë të pranishëm në sallë gjatë votimit të fshehtë për Kryetar Kuvendi. Një gjë e tillë përbën shkelje serioze kushtetuese sepse, sipas pikës 128 të aktgjykimit të vitit 2014, “në konstituimin e Kuvendit, të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë si të dëshirojnë, në mënyrë të hapur ose të fshehtë, të votojnë “për”, “kundër” ose të abstenojnë, dhe nuk mund të Iirohen nga të vepruarit kështu”.
Pra, në seancën konstituive, përpos që deputetët nuk kanë të drejtë debati, ata po ashtu nuk e kanë të drejtën të refuzojnë pjesëmarrjen në votim. Ky refuzim mund të ju kushtojë me humbje të mandatit, sepse neni 74 e përcakton qartë detyrimin që deputeti të ushtrojë mandatin në pajtim strikt me Kushtetutën dhe detyrimet tjera që rrjedhin prej saj, përfshirë edhe aktgjykimet dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Si përfundim, deputetët aktual mund të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi meritat e rastit dhe një aktgjykim të mundshëm, ose Kryesuesi Avni Dehari mund të ushtrojë kompetencën e tij për përdorë të gjitha mjetet dhe format procedurale për të mundësuar konstituimin e Kuvendit.
Në këtë kohë turbullirash globale dhe rreziqeve ekzistenciale për shtetin e Kosovës duhet rikujtuar të gjithë akterët politik që norma juridike kushtetuese gjithmonë duhet interpretuar në frymën e interesit madhor kombëtar dhe publik, pra në formën që mundëson funksionimin demokratik të institucioneve dhe jo në formën që e ushqen paralizën, bllokadën apo edhe kolapsin institucional të shtetit.
(Autori është Profesor i të Drejtës dhe Gjyqësisë Kushtetuese, hartues i Kushtetutës së Kosovës, si dhe nënkryetar i Gjykatës Kushtetuese në periudhën 2009-2015)
Marketing