23.8 C
Prizren
E shtunë, 28 Shtator, 2024

Kurorë për të mos jetuar bashkë

Nga Hajdar Mallaku

Kur më thanë se do të shkonim në fshatin Urak për ta bërë një kurorëzim, u habita.

– Si kështu !? Nuk po ju kuptoj…- thashë. Si në fshatin Urak!?

-Nuk ke faj, zoti Luan, më tha ofiqari i gjendjes civile, nëpunësi para pensionit, zoti Hajr. As mua gjatë tërë karrierës sime në administratë s’më ka ndodhur një rast i tillë, po ja që jëta të përballka me lloj-lloj rastesh. Zoti Halit e ka marrë miratimin nga Zyra komunale e administratës dhe nga Këshilli i mjekëve dhe ne duhet të veprojmë sipas porosisë së tyre. Daja i tij, Zeka, është i sëmur nga Iriqi i zi(kanceri), dergjet në shtrat që një vjet dhe nuk guxon të lëviz nga vendi. Është martuar për të dytën herë, sepse gruaja e parë nuk i lindi fëmijë. Me këtë të fundit ka tre fëmijë: dy vajza dhe një djalë. Nuk ka kurorë me asnjërën. Problemi është me këtë të fundit. Me lidhjen e kurorës e shoqja do ta gëzojë pensionin e burrit, shtesat e fëmijëve, sigurimin social dhe me këto do t’i rritë fëmijët. Ai vetë është para vdekjes, do ta shohësh edhe vetë.

-S’ka mëdyshje, i thashë, tashmë e kuptova. Jam i bindur se me këtë rast ne do të bëjmë një vepër njerëzore, edhe pse me ligj është paraparë që ky akt solemn duhet të bëhet në zyrat e ofiqarisë, në mënyrë publike e jo jashtë saj. Kemi me këtë rast arsyetim të gjithanshëm, prandaj përgatiti dokumentet e nevojshme që atje të mos ndalemi shumë.

E paramendoja se do ta kishim një punë të mundimshme ku do të zhvilloheshin paralelisht dy gjëra: sa do të gëzoheshin familja se do ta siguronin një kafshatë buke, aq do të mërziteshin se të zotin e shtëpisë do ta humbnin. Ai dita-ditës po shkonte drejt vdekjes.

Isha atëherë (në vitet 1974 – 78, kohë e një R(rilindjeje) të vogël, të brishtë dhe të shkurtër që, megjithatë, e kishte mbi vete çizmen e dhunës sllave) delegat i Asamblesë Komunale, i deleguar nga shkollat e Hasit të Prizrenit, i caktuar që për një mandat katërvjeçar ta kryeja lidhjen e kurorëzimeve në mes të të rinjve. Në kurorëzim merrnin pjesë dhëndri dhe nusja, dy dëshmitarë, nëpunësi i gjendjes civile dhe unë që e kryeja anën ligjore. E pëlqeja këtë si aktin më solemn në jetën e të rinjve, sepse ata merrnin pjesë me vullnetin e lirë në lidhjen e një betimi për jetë të përbashkët në gëzim dhe hidhërim; i ndërronin unazat si po t’i ndërronin zemrat dhe aty e tutje të jetonin me zemrën e njëri-tjetrit.

Por, përvoja më tregoi edhe diçka tjetër që unë s’e merrja me mend. Vënin kurorë dhe qifte të vjetër, të martuar kahmoti, me fëmijë, që lidhjen e kurorës e bënin vetëm formalisht dhe vetëm sa për dokumente. Vetëm një grua në moshë mesatare tha se e pranonte lidhjen e kurorës „Pasi unë e paskam pasur taksirat e ai nafakë“. Tha kështu kjo grua sigurisht e pakënaqur me fatin e vet të imponuar, martesën me një burrë të shëmtuar, të vogël, por punëtor dhe nga një familje e kamur. Ndërsa vetë ajo ishte bukuria e marrë nga një lule.

Ata të besimit të krishterë lidhnin kurorë para martese, vajzat dhe djemtë, (ndërsa në dasmë vënin kurorë dhe në kishë) dhe ishte vërtetë kënaqësi kur i shihje të buzëqeshur që e përpinin me sy njëri-tjetrin, vajzat vjedhurazi nga turpi, ndërsa djemtë me sy shigjete. Kuptohet edhe te ata në atë kohë nuk ishin demokratizuar plotësisht raportet familjare. Kishte raste kur vajzat hezitonin të thoshin „Po“, ta jepnin pëlqimin publikisht për lidhjen e kurorës, fshiheshin pas nënave të tyre apo motrave dhe në vend të tyre e ëma ose e motra thoshte „Po“.

Kur unë insistoja që këtë „Po“ ta dëgjoja nga goja e vajzës ose do ta shtynim apo anulonim kurorëzimin, pasonte presioni i padëshiruar që të mos bëhej sherr për një kontinent dhe atëherë e merrnim një „Po“ të akullt. Po një nënë një ditë më tha:

-Zoti Luan, mos po hyn në mëkat me lidhjen e kurorave pa dëshirën e vajzave?

-Jo, – i thashë. Unë s’i kam sjellë para altarit. Ua kam lexuar vetëm ligjin. Kam kërkuar të deklarohen lirshëm për kurorë. Mëkatin kërkojeni te ju prindërit, nëse i fejoni vajzat pa dëshirën e tyre.

Po këtë ditë, në fshatin Urak, ne po e bënim një kurorë të akullt, të jashtëzakonshme. Çfarë urimi do t’u bënim të kurorëzuarve..? … s’e dija…

Kur hymë në oborr, para derës së shtëpisë, na priti një grua e re, rreth të tridhjetave. Mbante ngryk një fëmijë dyvjeçar, djalë, me flokë të bardhë të prerë rrumbullak, me një xhufërr kapur në një tufë flokësh me dyllë, ku binin në sy disa rruaza dhe në mes tyre një këmbë urithi. Kuptohet këtë ia kishin vënë për mësysh si djalë hasreti që e kishin. Prapa saj qëndronin dy çupëlina flokëverdha që fshiheshin dhe shfaqeshin herë pas here pas s‘ ëmës, veshur me këmisha të gjata gjer në fund të këmbëve, të zbathura, por të shëndosha si kokërrmollë. Më larg saj, në plan të dytë, qëndronte një grua tjetër me moshë afro të pesëdhjetave. Kjo nuk ishte në traditën tonë, se më e vjetra gjithmonë rrinte në plan të parë e gjysmatarja(ortakja) në plan të dytë. Por kjo kishte një domethënie. E reja kishte lindur djalë dhe kishte shtirë rrënjë në këtë shtëpi. Kështu vepronin dhe katërgjyshërit tanë që vënin kurorë me gruan, pas një bashkëjetese, vetëm atëherë kur ajo lindte djalë. Djalin e mbante pak para me krenari. I shoqi po perëndonte, por ajo kishte mashkull në shtëpi. Atë do t’ia nxirrte përpara çdo mysafiri. Shtëpia kishte një shtyllë të fortë. E kishte sigurinë e mashkullit. Tymtari, arat mbujake dhe luadhet kishin trashëgimtar. Motrat e kishin derën e hapur. Vëllai, Gëzimi, do të rritej shpejt. Më kot nuk thuhej „Djali në djep si buka në çerep“. Duhej pritur vetëm pak dhe do të vinte dita ta martonin. Kishte megjithatë këtu gjallëri familjeje.

Zoti Haliti, që ua kish bërë çdo gjë të ditur që më parë, si nip që ishte, priu i pari. I bardhë si nipi ndër dajë. Pas tij hyri ofiqari, zoti Hajr dhe krejt në fund unë. Dhoma ishte përdhese. Në njërën anë ishte shtroja e të sëmurit, një dyshek kashte, mbi të një çarçaf dhe jorgani, ndërsa nën kokën e të sëmurit ishin vënë dy jastëkë që i mundësonin frymëmarrje më të lehtë. I sëmuri, kur na dëgjoi, e ngriti plisin e bardhë që i kish rënë mbi sy, i hapi sytë dhe deshi të lëvizë në shenjë respekti për ne, por nipi ia bëri me dorë që të mos trazohej. Ne u ulëm në anën e kundërt, ku ishte e shtruar një cergë, mbi të një qilim i grisur nga vjetërsia dhe dy postiqe të bardha. I sëmuri, pasi u përqendrua, na vështroi radhazi, na pyeti si ishim dhe e mbështeti kokën duke i mbyllur sytë. E preka ofiqarin në krah i tmerruar se mos në atë çast po jepte shpirt. Por ai, pasi mori frymë thellë dhe me gërhitje, i shpëtuan lotët poshtë fytyrës reliev, të zbehur dhe foli: “Qofshi faqebardhë!”

Ne nuk e bëmë ceremoninë e zakonshme të leximit të ligjit, por ofiqari ia mori dorën, ia ngjeu gishtin tregues në jastëkun e ngjyrës që e kish marrë me vete dhe ia shtypi në vendin ku duhej të nënshkruante aktin e martesës. Ndërsa të shoqen vetëm e shtini të nënshkruajë se e pranonte kurorëzimin me Zekë C. dhe se e pranonte mbiemrin e burrit. Ajo nuk u përmbajt dhe shpërtheu në vaj duke thënë se kështu e paska pasur kësmet. Edhe ne, të prekur thellë, pasi e nënshkruam aktin bashkë me dëshmitarët, i mbyllëm dokumentet dhe u ngritëm. Ishte koha kur duhej të pasonin urimet. ” Urime !” “E gëzofshi kurorën !” “ U plakshi bashkë !” E, ndonjëherë për shpoti, ndonjëra nga motrat thoshte :”E shkefshi dyshekun !” Po këtu kishim një lidhje kurore për të mos jetuar bashkë. Si në baladat antike. Po bënte kurorë e gjalla me “të vdekurin” që ende bënte hije mbi këtë botë. Ishte besa e dhënë dhe do ta priste edhe varri i hapur si sakrificë e fundit për përtëritjen e kësaj vatre.

Të nesërmen e takova rastësisht zotin Hajr. Më përshëndeti dhe më tha:

-Zoti Luan, kish vdekur Zeka sot në mëngjes. Të lutem, shkojmë për ngushëllime!

-Patjetër! Dhimbje për të, por bëmë mirë që shkuam dje.

(E pashë Gëzimin pas dyzet vjetësh. Kur më thanë se kush ishte dhe i kujt ishte, krijova rishtas një shëmbëlltyrë tronditëse si atëherë kur bëmë një ceremoni rrëqethëse të kurorëzimit, më pushtoi një entuziazëm sa i dhimbshëm, aq dhe i gëzueshëm. Nuk do të dëshiroja që ky burrë ta lexonte këtë tregim, edhe pse qe ky që më nxiti për të shkruar. Unë po e përjetoj dhimshëm edhe tash për së dyti e ai, ai le ta jetojë jetën larg dhimbjes sime të dikurshme).

/ PrizrenPress.com

Më Shumë

Prizren, hapet punishtja e rrobaqepësisë në Qendrën Burimore “Nënë Tereza”

Sot në Prizren u mbajt ceremonia e hapjes së projektit "Instalimi i punishtes së rrobaqepësisë" në Qendrën Burimore për Mësim dhe Këshillim "Nënë Tereza". Projekti...

Altin Zogaj fiton brezin “IBO”

Edhe Altin Zogaj arriti të dalë fitimtar në ndeshjen që po zhvillohet sonte. Ai e fitoi brezin “IBO” në kategorinë e peshave gjysmë të rënda,...

Lajmet e Fundit