22.8 C
Prizren
E mërkurë, 10 Gusht, 2022

Kurti lavdëron DokuFestin: Do të më shihni sërish në Prizren – magjia rifilloi

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se DokuFest, që ka nisur mbrëmë, është ngjarja më e madhe kulturore ndërkombëtare në Kosovë.

Ai aka thënë se DokuFest edhepse ka tri dekada që ekziston nuk e ka humbur asnjëherë magjinë e vet.

“DokuMagjia! DokuFest është ngjarja më e madhe kulturore ndërkombëtare në Kosovë. Më shumë se vetëm ngjarje, DokuFest është institucion i rëndësishëm i krijimtarisë dhe edukimit artistik. Ndonëse ka hyrë në dekadën e tretë të ekzistencës, festivali asnjëherë nuk e humbi magjinë e vet. Përkundrazi, edhe ky edicion që nisi mbrëmë, premton një javë plot shkëlqim mbi gurët e monumenteve të Prizrenit”.

“DokuFest është mënyra më efektive për t’ia rrëfyer botës krijimtarinë dhe potencialin tonë artistik, zellin e talentin rinor. Ai është edhe ekonomi për qytetin, edhe vullnetarizëm për rininë, edhe rrjetëzim për artistin, edhe kulturë për turistin”.

Kurti, përmes një postimi në Facebook, thotë se ka qenë pjesëmarrës i vazhdueshëm në DokuFest, derisa thotë se tash si kryeministër e ka përgjegjësinë që festivalet e tilla të kenë mbështetje më të madhe.

Ai ka falënderuar të gjithë ata që e kanë nisur këtë festival, derisa ka thënë se gjatë kohës sa zgjat festivali do të shkoj sërish në Prizren.

“Si adhurues i kinemasë dhe i qytetit të Prizrenit, natyrshëm kam qenë pjesëmarrës i rregullt i edicioneve të festivalit. Tash me përgjegjësi shtesë, në krye të Qeverisë që po e realizon reformën më të madhe kulturore ndonjëherë në vend, që DokuFest dhe pjesa tjetër e skenës së pavarur kulturore të gëzojnë mbështetje të rritur dhe partneritet strategjik për nevojat zhvillimore dhe diplomatike të shtetit tonë”.

“Edicioni XXI është mundësi e mirë dhe arsye e fuqishme për të shprehur mirënjohjen tonë të thellë për ata që patën guxim në fillim. Dhe pastaj edhe vizion, durim e përkushtim. Faleminderit Veton, Aliriza, Samir, Eroll B, Linda, Nita, Eroll Sh, Alba, Jeton, Orhan, Burim, Dafina, Ares dhe plot të tjerë deri te mijëra vullnetarë përgjatë viteve e dekadave. Filmat, mbrëmjet e muzikës, punëtoritë, ngjarjet e tjera, një program fantastik sivjet. Gjatë këtyre tetë ditëve, do të më shihni sërish në Prizren. Magjia rifilloi”.

Më Shumë

Lajmet e Fundit