Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në ditën e dytë të Forumit të Paqes në Francë gjatë fjalës së tij ka përmendur sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.
Gjatë fjalimit të tij në kuadër të temës “Krijimi i paqes dhe ndërtimi i një bote më të sigurt”, shefi i ekzekutivit ka thënë se grupi terrorist i financuar nga Serbia më 24 shtator ka dashur të shkaktojë përshkallëzim të situatës dhe të krijojë kaos më të madh.
“Më 24 shtator, patëm një lloj sulmi të një grupi terrorist në veri afër një manastiri në Banjskë, ku vdiq një rreshter policor. Sigurisht ky grup i mbështetur nga Serbia ka dashur të shkaktojë përshkallëzim të një mase më të madhe, si pretekst që ushtria serbe të hyjë në Kosovë, pasi kemi 48 baza ushtarake serbe afër kufijve tanë, gjysma e ushtrisë e gjysma e xhandërmarisë serbe. ShBA-ja tha se kjo është e papranueshme dhe se duhet të tërhiqen të na sjellin te një situatë më paqësore”- ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se shumica nga kryesit e këtij akti terrorist janë të lirë dhe se vendi duhet të ketë kujdes nga këto grupe që siç thotë ai duan t’i ngjajnë grupit, Wagner.
“Megjithatë, kryesit e këtij akti terrorist, shumica dërmuese janë të lirë në Serbi, përfshirë liderin e atij grupi, Milan Radoiçiqi, i cili ka pranuar publikisht që ai e ka udhëhequr këtë sulm, por që është arrestuar dhe liruar pas pak orësh në javën e parë pas këtij sulmi. Për sigurinë e vendit tonë duhet të kujdesemi për këto grupe që duan t’i ngjajnë Wagnerit, që duan të shkaktojnë destabilizim, ndërsa në anën tjetër duhet të fokusohemi kryesisht tek situata gjeopolitike ku nuk kemi kurrfarë alternative, sepse nuk duam të kemi alternativë përveç BE-së dhe NATO-s”- ka theksuar Kurti.
Më tutje, Kurti tha se Rusisë i kanë pëlqyer shumë përpjekjet për destabilizimin e Ballkanit, të cilat sipas tij, kanë efekt përhapës në kuptimin e largimit të vëmendjes nga agresioni që Rusia e ka filluar para dy vitesh në Ukrainë.
“Dhe gjëja e fundit që dua të përmend është fakti që në secilin konflikt me të cilin ballafaqohemi sot, Rusia e Irani s’janë as pasivë e as jashtë atij konflikti. Këto luftërat hibride nuk kanë kufizim tokash. Kudo që shohim një konflikt të ri që lind, ka disa fuqi e superfuqi që duan ta shohin atë konflikt në flakë, kanë punuar paraprakisht, e gëzojnë atë aktualisht dhe pastaj investojnë që ashtu të vazhdojë edhe në të ardhmen”- ka vijuar ai./Dukagjini