3.4 C
Prizren
E hënë, 2 Dhjetor, 2024

Kurti në Malishevë: Do t’i heqim ‘rriqrat politik’ të PDK-së, dhe rriqrat natyrorë

VV-malisheve10-16Lëvizja Vetëvendosje! ka mbajtur tubim elektoral në Komunën e Malishevës. Kandidati për kryetar të Komunës, Alban Krasniqi, i shoqëruar nga kryetari i VV-së Albin Kurti dhe kandidatët për Kuvendin komunal, ka prezantuar Alternativën Qeverisëse për Malishevën. Krasniqi tha se përmes saj Malisheva do të frymojë lirshëm, do t’i kthehet dinjitetit, do të zhvillohet ekonomikisht, do të ketë qytetarë të shëndetshëm, infrastrukturë e plan urbanistik, transport të rregullt, ambient të pastër, turizëm të zhvilluar, e të tjera.

Eedhe 14 vjet pas përfundimit të luftës,  Krasniqi tha se Malisheva lëngon nga moszhvillimi, varfëria, krimi, korrupsioni dhe presioni politik i përcjellë me nepotizëm dhe militantizëm partiak në çdo segment ku ky pushtet kishte dorë.

“Si pasojë e qeverisjes mafioze të pushtetit në ikje, arsimi dhe shkollat janë kthyer në zyrë të partisë në pushtet, punësimi edhe ashtu i pakët në sektorin publik është shndërruar në shtabe rekrutimi për militantë partiak dhe familjarë pushtetarësh, dhënia e bursave dhe e ndihmës sociale kushtëzohet me dëgjueshmëri partiake dhe votë, subvencionet për bujq u jepen zyrtarëve pushtetar, bizneset lokale injorohen, investimet në infrastrukturë përveç se të dobëta dhe pa kritere ato bëhen në funksion të mbushjes se xhepave të pushtetarëve dhe për fushatë zgjedhore dhe pronat publike por edhe ato private zaptohen nga pushtetarët dhe ndërmjetësuesit e tyre të cilët më pastaj i shesin e stërshesin”, tha Krasniqi. Sipas tij, zhvillimi dhe e ardhmja e Malishevës, ka mbetur peng i kësaj klase politike dhe pushtetarëve lokal, të cilët i kanë mbivendosur interesat e tyre personale, partiake e biznesore mbi ato të qytetarëve, të cilët përveç se injorohen e shpërfillen, ata edhe shtypen e kërcënohen.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ndërkaq tha se Malisheva është vendi i njerëzve punëtorë e të ndershëm, i njerëzve trima e patriotë, por pas çlirimit nuk përfitoi as zhvillim as drejtësi, por përkundrazi u ndëshkua me mjerim social, papunësi e stagnim ekonomik dhe me padrejtësi nga më të ndryshme.

“Me Vetëvendosje!-n në qeverisje dhe Alban Krasniqin kryetar të Komunës, këtë do ta ndryshojmë menjëherë edhe përgjithmonë”, tha Kurti.

Ai tha se gjatë këtij viti, qytetarët e Kosovës kanë dëgjuar më së shumti në lajme për Malishevën, atëherë kur njoftohej për të vdekurit nga ethet hemorragjike. Në katër vitet e fundit, 20 qytetarë të Malishevës kanë ndërruar jetë prej pickimit të rriqrave.

“Komuna këtu me pushtetin e buxhetin e saj ka ndërmarrë disa masa të pjesshme vetëm në muajin gusht, kur dihet që aktivizimi i zonës endemike bëhet qysh në prill. Në anën tjetër veç vetura e kryetarit aktual e në ikje të Komunës Isni Kilaj, ka kushtuar 60 mijë euro me gjërat përcjellëse, po aq sa është ndarë buxheti për luftimin e etheve hemorragjike. Kjo tregon që luksi i këtyre pushtetarëve, me dreka e darka e makina luksoze, është më e rëndësishme për këtë pushtet, sesa jeta e 6 qytetarëve të Malishevës që kanë vdekur veç sivjet prej pickimit të rriqrave”, tha Kurti, duke shtuar se rriqrat natyrore në Malishevë nuk do të ishin as problem, as rrezik, pa këta rriqrat politik të PDK-së që po ia pinë gjakun popullit prej Thaçit e deri të Kilaj këtu në Malishevë. “Me qeverisjen e Vetëvendosje!-s, ne do t’i heqim edhe rriqrat politik, edhe rriqrat natyror”.

Lidhur me premtimet e Thaçit se do t’i investojë rreth 75 milionë euro në këtë Komunë, Kurti tha kjo i bie që Thaçi do t’ia vjedhë Kosovës edhe 75 milionë euro, në emër te Malishevës. “Këta njerëz nuk do të mund të marrin më, për shkak se më 3 nëntor, qytetarët e Malishevës dhe krejt Kosovës do të vendosin vetë, do të votojnë vetë, do ta votojnë Vetëvendosje!-n, sepse vetëm Vetëvendosje! i sjellë ndryshimet që janë aq të nevojshme, aq të domosdoshme, për qytetarët e Malishevës dhe të gjithë Kosovës”, tha Kurti.

Kurse, kandidatet për Kuvend komunal i bënë thirrje të rejave të rinjve të Malishevës, që të bashkohen në Vetëvendosjes, pasi që kjo është alternativa e vetme për ta zhvilluar Komunën. /PrizrenPress.com/

Më Shumë

Oketa Çoçaj rrugës për realizimin e ëndrrës

Oketa Çoçaj ka publikuar projektin e parë të saj muzikor. Ajo ka zgjedhur festën e 28 Nëntorit për ta publikuar coverin e saj të parë. Ajo...

Mungon i akuzuari, shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj zyrtarit të Komunës së Dragashit

Në mungesë të të akuzuarit, Abdullah Selmani, të hënën ka dështuar të mbahet seanca, në rastin ku i njëjti po akuzohet për keqpërdorim të...

Lajmet e Fundit