Organizata Joqeveritare “EC Ma Ndryshe” dhe UNDP-ja, kanë lansuar tri moduleve të reja të pjesëmarrjes në vendimmarrje.
Asistentja e projektit, Laura Lutfiu, tha se këto module do të jenë pjesë e platformës online www.merrpjese.org, dhe kanë për qëllim të ju ofrojnë qytetarëve mundësi inovative dhe lehtësi për pjesëmarrjen në vendimmarrjen lokale.
Para një numri të konsiderueshëm të të rinjve, aktivistëve të shoqërisë civile dhe zyrtarëve të lartë komunal janë prezantuar Moduli për Konsultimet Online, i cili pasuron më tutje ueb faqen www.merrpjese.org, që në vete përmban tri Modulet e krijuara muaj më parë: Buxhetimi me Pjesëmarrje, Ankohu, dhe E-peticionet, pastaj moduli i ri Konsultimet Online dhe aplikacioni për telefonat IOS dhe Android “Merr Pjesë” me të katër modulet e lartpërmendura, si dhe Harta Vizuale e Investimeve Kapitale të komunës së Prizrenit. Gjithashtu është shfaqur edhe video animacioni mbi përdorimin e aplikacionit Merr Pjesë .
Tashmë katër Modulet e krijuara (Buxhetimi me Pjesëmarrje, Ankohu, E-peticionet dhe Konsultimet Online) pos në ueb faqe janë të qasshme edhe në telefona, dhe të rinjtë dhe grupmoshat tjera mund të realizojnë të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre qytetare përmes këtyre mekanizmave interaktiv.
“Demokracia lokale fiton kuptim atëherë kur vendimmarrja bazohet në parimet e transparencës, llogaridhënies dhe përfshirjes së qytetarëve. Në përpjekje të sigurimit të këtyre standardeve “EC Ma Ndryshe” ka krijuar katër module online dhe vegla tjera kreative që synojnë të ngushtojnë hendekun mes pushtetit lokal dhe qytetarëve të Prizrenit”, tha Laura Lutfiu, koordinatore e projektit.
Ajo bëri të ditur se qëllimi i projektit është që të inkurajoj të rinjtë e Prizrenit për pjesëmarrje në vendimmarrje lokale përmes përdorimit të medieve sociale dhe aparateve të teknologjisë smart.
Projekti është përqendruar në tri objektiva kryesore: i) Forcimin e komunikimit interaktiv dhe të drejtpërdrejtë midis pushtetit lokal dhe grupeve rinore; ii) Të rrënjosë një kuptim më të mirë nga të rinjtë për të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre qytetare duke zhvilluar dhe futur në përdorim mediat sociale, dhe iii) Të rris interesimin e publikut dhe kuptimin e të drejtave qytetare dhe përgjegjësive.
Për realizimin e këtyre objektivave projekti ka monitoruar punën e qeverisë komunale dhe ka avokuar për çështjet që janë preokupim i të rinjve. Projekti ka krijuar edhe sms platformën përmes së cilës publiku informohet rregullisht mbi vendimet dhe takimet publike të Komunës së Prizrenit.
Projekti ka ndihmuar të rinjtë në veçanti dhe qytetarët në përgjithësi në adresimin e shqetësimeve të tyre tek organet vendimmarrëse, ndërkohë që edhe qeveria lokale është përfituese, pasi që ka një komunikim interaktiv me qytetarin.