Tashmë është bërë traditë ndarja e çmimeve vjetore për letërsi. Edhe këtë vit, më 17 Shkurt, janë ndarë çmimet për nder të Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Çmimi janë ndarë për vepër jetësore, për librin më të mirë me poezi, po kështu edhe për kritikë dhe eseistikë dhe për librin më të mirë të përkthyer për vitin 2014, por nuk është ndarë çmimi për librin më të mirë në prozë. Juria ka qenë në përbërje të: Anton Berishaj- kryetar dhe anëtarët: Musa Ramadani, Nerimane Kamberi, Ismail Syla dhe Agron Y. Gashi.
Çmimi për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”, i është ndarë akademik Ali Aliut, i cili pasi ka pranuar çmimin nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se kur çmimi vjen nga vetë krijuesit është kënaqësi e veçantë. “Të them të drejtën e prisja këtë çast pak më të thjeshtë ngaqë po ndodh. Në hyrje të ambientit e deri këtu e pashë që solemniteti është pak më i përgatitur, më serioz. Praninë e kaq shumë gazetarëve nuk e prisja në një solemn kulturor, kështu letrar”, ka thënë Aliu, duke shtuar se ajo që e bën të ndjehet më mirë, është emri i poetit që e mban ky çmim. “Azem Shkreli për mua, e kam thënë disa herë në shkrimet e mia, po e them përsëri me bindje, por edhe është mendimi im është poeti më i madh i poezisë shqipe i pjesës së dytë të shekullit XX”, është shprehur Ali Aliu. Në arsyetimin e jurisë thuhet se për gati një gjysmë shekulli Ali Aliu, me veprat e tij në lëmin e kritikës, teorisë dhe studimeve letrare, ka dhënë kontribut të pazëvendësueshëm dhe tepër të veçantë në jetën letrare dhe kulturore shqiptare. Çmimi Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” kap vlerën financiare pesëmijë euro.
Nexhat Halimit i është ndarë çmimi për librin më të mirë në poezi, për veprën “Kaq vetëm Fedorë”. “Mendoj që librat nuk bëhen më të vlefshme nëse marrin shpërblime, por megjithatë janë të nevojshme shpërblimet”, ka thënë ai, pasi ka pranuar çmimin nga Adem Shkreli, vëllai i Azem Shkrelit. “Me shkrimin, figurat dhe topikën surrealiste Halimi e zgjeron imagjinariumin e poezisë shqipe përgjithësisht dhe kështu mbetet një zë i veçantë në poezinë shqipe”, është mes tjerash arsyetimi i jurisë, për çmimin e ndarë kësaj vepre.
Çmimi letrar për librin më të mirë kritikë letrare dhe eseistikë i është ndarë Osman Gashit për librin e tij “Letërsia dhe miti”. “Urime të gjithëve festa e pavarësisë”, ka thënë Gashi pasi ka pranuar çmimin nga ministri i Kulturës, Kujtim Shala, ndërsa arsyetimi i jurisë është se Gashi në këtë vepër në mënyrë sistematike hulumton problematikën e relacioneve të mitit dhe letërsisë, duke e parë gjithnjë në kontekstin e letërsisë komparative.
Masar Stavilecit i është ndarë çmimi letrar për librin më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe për romanin “Neveria” të Jean Paul Sartre-it. Ai ka pranuar çmimin nga Hivzi Islami, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
“Është një nder që pas një moshe dhe pas një pune të gjatë universitare, kërkimore, shkencore dhe përkthimore ta marr këtë çmim që e quaj një këmbëngulësi e imja për të përkthyer një vepër nga më të bukurat e romanit filozofik të letërsisë franceze”, ka thënë Masar Stavileci.
Masar Stavileci në përkthimin e saktë dhe mjeshtëror të njërës nga kryeveprat e letërsisë së shekullit XX, romanit “Neveria” të Jean Paul Sartre-it – jep një kontribut të vyer në fushën e përkthimit dhe letërsisë së përkthyer, por edhe të letërsisë dhe kulturës letrare te ne, është arsyetimi i jurisë për çmimin e ndarë kësaj vepre. Për secilin çmim vjetor ndahen 2 mijë e 500 euro. Këtë vit nuk është ndarë çmimi për librin më të mirë në prozë. Sipas jurisë, kjo pasi asnjë nga veprat që kanë konkurruar nuk i kanë plotësuar standardet dhe kriteret e vlerave, të cilat juria i konsideronte të nevojshme dhe të domosdoshme për një çmim të këtillë. Çmimet janë ndarë sipas rregullores 3114/2009, mirëpo Ministria ka angazhuar një ekip punues, i cili do të punojë në dizajnimin dhe hartimi e një rregulloreje të re e cila do të parashohë edhe çmime të tjera letrare./Zeri/