13.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Libri dhe vlera e tij në kohën moderne

(23 Prilli – Dita Botërore e Librit)

Rrugëtimi i njeriut me librin dhe çdo gjë të shkruar brenda tij, është mjaft i moçëm e me rëndësi të madhe, sepse, jo më shumë se një mesazh i tij është i nevojshëm për jetën e shoqërisë njerëzore. Kjo e fundit, nuk lidhet vetëm me atë se sa ai mesazh dhe ajo porosi e veprës letrare do të arrijë të futet në mendjen e lexuesve në kohën në të cilën ata edhe e lexojnë të njëjtën, por, edhe me atë se, sa do të ketë ndikim në të ardhmen, do të thotë, se sa ajo do të jetë e lidhur me kohën kur tashmë autori do të jetë i largët dhe i mbetur vetëm në të kaluarën. Gjithë kjo thuhet duke u nisur dhe nga fakti se, rrëfimi/e shkruara (do të thotë, ngjarja brenda suazave të veprës letrare), pavarësisht asaj se sa faqe do të jep para vetë lexuesve dhe studiuesve letrarë, do t’i përkasë në mënyrë të veçantë çdo kohe.

Këtë gjë shumë mirë e tregon dhe moria e madhe e veprave të botuara letrare, qofshin ato të shkruara nga autorët shqiptarë ose të huaj, të cilat falë natyrës së tyre të veçantë nga njëra-tjetra dhe falë tematikës së nevojshme letrare, që, në shumicën e rasteve lidhet me përditshmërinë e shoqërisë njerëzore, janë të pranishme dhe në ditët e sotme. Në këto vepra, që tashmë rrugëtojnë me vite, për të dëshmuar jo vetëm një punë krijuese të arrirë të një shkrimtari të caktuar, por dhe vetë rrethanat ndikuese për krijimin e së njëjtave, shohim vlera që mbeten të tilla kurdoherë, dhe pavarësisht asaj se sa kohë kalon, mbi to nuk shihen shenja zbehjeje.

Rëndësia e librit, pavarësisht asaj se sa njeriu arrin ta zhvillojë imagjinatën e tij, dhe të luftojë që e njëjta ta sjellë të duhurën edhe para të tjerëve, mbetet gjithmonë në shkallën më të lartë, që do të thotë, piedestalin ia siguron edhe njeriu më i ri në këtë rrugë. Mënyra se si libri, mjeti më i rëndësishëm i qenies shoqërore, për njohjen e një bote që për të mund të jetë e largët, mjeti ndihmues për njohjen e personazheve që brenda vetes ngërthejnë karaktere e tipare të ndryshme, ose, mjeti themelor që ndihmon në zhvillimin e gjuhës dhe fjalorit, arrin të komunikojë me lexuesin dhe studiuesin e vet, varet shumë dhe nga (para)përgatitja e këtyre të fundit kundrejt asaj se si duhet pranuar i njëjti.

Nëse ndalemi të shohim se si shoqëria njerëzore, me theks të veçantë ajo shqipare, ka rrugëtuar me shekuj për ta paraqitur, jo vetëm të kaluarën dhe çdo faktor të jashtëm që hynte në një mënyrë a në një tjetër brenda një territori të ruajtur me fanatizëm, por, dhe vetë njeriun që, në thelb kishte mbrojtjen e vendit dhe funksionimin sa më të drejtë të asaj qenieje, shohim se udhëzues gjithmonë ka pasur librin. Ky i fundit, më mirë se çdokush tjetër ka qenë i bindur se rruga e tij do të ishte e shtruar me dromca sigurie për njeriun e çdo kohe.

Por, pas gjithë kësaj gjëje, lind pyetja se sa libri, pavarësisht përmbajtjes dhe autorit të tij, ka vlerë në ditët e sotme? Teksa në anën tjetër shihet se shoqëria, tashmë, e ndikuar dhe nga vetë teknologjia dhe zhvillimi i saj i hovshëm ditë për ditë, po niset drejt një rruge tjetër, që, në të shumtën e herave, librin e sheh thjesht si, dekor komodine. A është ai ashtu siç njihet në histori? A ndikon koha e sotme, “një kohë vetjake dhe e ftohtë” në tjetërsimin e tij, mbetet të shihet dhe nga vetë rrjedha e kohës.

Shoqëria e sotme, që shenjat e modernizimit i tregon në çdo hap, jo vetëm që bëhet pjesë e një bote që në vazhdimësi rend drejt harresës së gjërave elementare, por, në shumicën e rasteve tregon se po tentohet për largim nga ajo që është shpirtërore, do të thotë, largim nga rruga që, po atë shoqëri e nxjerr në dritë të nevojshme. Kohës së fundit shihet se qeniet njerëzore, librin nuk e kanë më shoqërues të përditshëm, gjithë kjo, edhe duke pasur parasysh faktin se, ai, çdo ditë e më shumë e shton numrin e titujve të botuar letrarë, e nxjerr para botës edhe shkrimtarin më të ri, që, për shumicën e të tjerëve mund të jetë “i vogël”, e që shumë më ndryshe se nga këto, ai, njeh dhe me tematika, personazhe e vendngjarje të ndryshme e të reja. Por, se sa mëtohet që të njëjtat të jenë në duart e ditëve të sotme, mbetet shumë për të dëshiruar.

Sepse sot, të gjithë jemi dëshmitarë të asaj se sa e lehtë është të bëhet zëvendësimi i librit fizik me një libër në formë elektronike, i cili në çaste të tjera, mund dhe vetëm të dëgjohet; se sa e lehtë është marrja e një informacioni letrar nga tjetri, qoftë ai dhe një lexues sipërfaqësor, në vend të asaj që për marrjen e të njëjtit të sigurohet një kohë e nevojshme; se sa më i pëlqyer është leximi i shkurtër i parathënies se sa libri në tërësi dhe njohja e hollësishme me përmbajtjen e tij të brendshme, për të vazhduar kështu dhe në shumë veprime të tjera, të panevojshme kundrejt një mjeti që ne na ndihmon në përgatitjen e vetes për të nesërmen.

Kohët moderne, jo vetëm që kanë bërë që, shoqëria njerëzore, pavarësisht hapësirave zotëruese, të marrë pamje krejtësisht ndryshe nga ajo që ne na është mësuar dhe treguar dikur, por, në të shumtën e herave, të jetë ajo që po këtë shoqëri ta tjetërsojë dhe në raport me ushqimin shpirtëror e me përjetimin e së bukurës në art. Sepse, jo më larg se një libër i lënë mbas dore, se sa një poezi e pa lexuar me ndjenja të thella dhe, një personazh i pa identifikuar deri në fund, ndonëse fund e krye ecën brenda veprës, është ajo që na e karakterizon të tashmen, një kohë e ftohtë dhe e varfër në fjalë.

Afërsia me librin dhe lidhshmëria me të, duhet të jetë e kurdohershme dhe e përhershme. Ne, më shumë se kurrë, kemi nevojë për dritë dhe shpirtra të përmbushur. Në një libër njohim një botë ndryshe nga kjo jona, e për këtë të fundit, le të mos e vrasim shumë mendjen, nëse nuk na orienton në rrugë të drejtë! Shoqëria njerëzore duhet të mbijetojë vetëm me ndriçim të mendjes.

Shkroi – Adelina Xhaferi

Më Shumë

Vdes një infermierie në Malishevë

Ka ndërruar jetë, Sadije Thaçi, e cila për vitë të tëra shërbeu si infermiere në QKMF-Malishevë. E ndjera, para disa kohe kishte dal në pension. Sadije...

Mourinho mund të jetë zëvendësues i Kloppit në Liverpool

Të zëvendësosh Jurgen Kloppin nuk është aspak e lehtë, trashëgimia që tekniku gjerman ka lënë në Liverpool është shumë e madhe, por tifozët e...

Lajmet e Fundit