8.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës edhe një herë vizitoi “ilegalisht” Prizrenin

shkrimtaret2Pasi e humbën betejën me krijuesit prizrenas, Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës (kryesia), ka vazhduar me injorimin e prizrenasve, atyre që merren me krijime letrare dhe atyre që e bartin barrën kryesore të organizimit të aktiviteteve letrare.

Pas fillimit (të premten) në Prishtinë të edicionit të pestë të manifestimit tradicional “Drini Poetik”, sot (të shtunën) është mbajtur ora letrare në sheshin e Lidhjes në Prizren, aty ku ky manifestim filloi 5 vjet më parë.

Pesë vjet më parë Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës pa i konsultuar fare krijuesit prizrenas, dhe pa i bërë fare “hesap” ata nisi manifestimin “Drini Poetik”, ora kryesore letrare e të cilit mbahej në sheshin e Lidhjes së Prizrenit, në përvjetorin e saj, me 10 qershor.
Për katër vjet të injorimit krijuesit prizrenas manifestimin e tyre tradicional të themeluar më shumë se 20 vjet më parë, me bekimin dhe përkrahjen e Lidhjes së atëhershme të shkrimtarëve, e mbajtën në sheshin Shatërvan ose në ambiente të mbyllura, ndërkohë që “shkrimtarët e qendrës” e “okupuan” lidhjen, atëbotë para katër vjetëve, duke e bërë për vete edhe qeverinë lokale në Prizren.

Katër vjet të rezistencës së krijuesve prizrenas shpërblehen me fitoren e tyre. Manifestimi tradicional “Ditët e Lidhjes”, rikthehet në Prizren si manifestim kryesor letrar i dhjetë qershorit, ndërsa Lidhja e Shkrimtarëve atë ditë e bojkotoi orën letrare. Njëmbëdhjetë ditë më pas, shkrimtarët e “qendrës” rishfaqen krejt “ilegalisht” në Prizren dhe pikërisht në sheshin e Lidhjes, mbajtën orën letrare të manifestimit “Drini poetik”. Për hirë të së vërtetës në këtë manifestim morën pjesë edhe disa krijues prizrenas(numërohen me gishtat e vetëm njërës dorë), por munguan shumica nga ata që krijojnë në Prizren apo ata që bartin peshën kryesore të organizimeve letrare.

Berat Batiu, njëri ndër organizatorët kryesor të aktiviteteve letrare në Prizren, thotë se në këtë orë letrare, që u mbajt nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, nuk u ftuan të organizuar krijuesit prizrenas, u ftua ndonjë aty- këtu individualisht. Ditët e Lidhjes këtë vit u rikthyen si aktiviteti kryesor letrar në përvjetorin e “Lidhjes…” me 10 qershor, primat të cilin për katër vjet e pat “Drini poetik”. Por në orën letrare të organizuar këtë vit në sheshin e Lidhjes nga krijuesit prizrenas me 10 qershor mungoi “Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës”.

Kjo mungesë ishte një paralajmërim se Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës do të rishfaqej në Prizren, e që ndodhi të shtunën me 21 qershor, krejt “ilegalisht”. Krijuesit prizrenas në muajin maj takuan kryetaren e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës Flora Brovinën për t’u dakorduar për bashkë organizimin e manifestimit “Drini Poetik”, për të arritur marrëveshje që edhe prizrenasit të jenë bashkë organizator të këtij manifestimi letrar, por ai që ishte kundër bashkë organizimit të këtij aktiviteti letrar me krijuesit prizrenas ishte sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve thotë Batiu, prandaj shton ai beteja për marrjen e primatit të orës kryesore letrare me 10 qershor fitohet nga krijuesit lokal, edhe falë përkrahjes nga kryetari i Komunës, ndërsa poetët e “qendrës”, pasi munguan me 10 qershor, në ditën kur për katër vjet me radhë organizuan orën letrare të Drinit Poetik në Sheshin e Lidhjes, rishfaqen në Prizren me 21 qershor.

Para aktiviteteve për shënimin e 136 vjetorit të “Lidhjes…” një delegacion i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, kishte kërkuar takim me kryetarin e komunës së Prizrenit, por ai (kryetari I Komunës së Prizrenit) takimin me ta e kishte kushtëzuar edhe me pjesëmarrjen në takim të krijuesve prizrenas. Ky kusht dashamirës i kryetarit të Komunës së Prizrenit u refuzua nga “poetët e qendrës” dhe takimi nuk ndodhi prandaj pas betejës 4 vjeçare me krijuesit prizrenas, “Lidhja e Shkrimtarëve…” e humb betejën dhe në “mungesë të dëshirës” që të jetë me 10 qershor në Prizren, të shtunën me 21 qershor, vizitoi Prizrenin, gjysmë legalisht e gjysmë ilegalisht.

Nuk u njoftua për takimin asnjë Organizëm letrar i qytetit të Prizrenit dhe as ndonjë medium prizrenas. Prizrenasit, të gjithë ata që dëshirojnë të vijnë në Prizren, i mirëpresin…i mirëpresin sa herë do ta paralajmërojnë vizitën dhe sa herë të kërkojnë mikpritje, në të kundërtën Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës do t’i humb edhe betejat e ardhshme letrare në Prizren, sepse nëse nisesh ta injorosh një qytet me injorim do të ndeshesh. E kuptojmë se poetët janë “rebelë ” edhe në kuptimin e mirë të kësaj fjale, por edhe këta të Prizrenit, janë po aq “rebel”…/Rami Berisha/

Më Shumë

114 vjet nga vdekja e shkrimtarit të shquar Mark Twain

Samuel Langhorne Clemens (30 nëntor 1835 – 21 prill 1910) njihet me emrin Mark Twain (Mark Tuejn), ishte një autor dhe humorist amerikan. Ai...

Totaj priti kryetarin e PDAK-së, Qazim Rahmani

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj priti sot kryetarin e subjektit politik PDAK, Qazim Rahmani, nënkryetarin e Komunës së Ferizajt, Danush Ademi dhe bashkëpunëtorët e...

Lajmet e Fundit