Kërcënimet ndaj personave zyrtarë dhe profesionistëve shëndetësorë, janë një fenomen në rritje në vendin tonë.
Vetëm në muajt e fundit janë raportuar raste të ndryshme të cilat po trajtohen nga institucionet e drejtësisë, ndërkohë që denoncimet për raste aktuale vazhdojnë pothuajse çdo ditë.
Një kërcënim serioz për jetën u denoncua sot në Polici, e më pas u përcoll në Prokurori, edhe nga mjeku i fshatit Hoçë e Madhe të komunës së Rahovecit, i cili, në shtëpinë e tij ishte kërcënuar nga një pacient që ishte trajtuar për një kohë nga ai.
Sinjali mëson se pacienti kishte shkuar rreth orës 08:30 te shtëpia e mjekut të fshatit për t’iu ankuar atij për trajtimin që kishte marrë dhe terapinë që kishte përdorur, duke e fajësuar se ai me këtë ia kishte shkatërruar jetën.
Për këtë ‘të keqe’ që e kishte shkaktuar mjeku sipas tij, ai e kërcënoi edhe me vrasje, veprim ky që përveç se krijoi shqetësim të madh dhe pasiguri, e detyroi mjekun e fshatit që rastin ta denoncojë menjëherë në Polici.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se pacienti i dyshuar për kanosjen serioze të mjekut të fshatit është shoqëruar në stacionin policor në Rahovec, ku është përballur me dyshimin e bazuar për kanosje të mjekut të fshatit.
Pas intervistimit dhe udhëzimeve të marra nga prokurori i shtetit, rasti është iniciuar në Polici si “Kanosje”, ndërkaq ndaj personit të dyshuarit është urdhëruar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.
Pas kompletimit të veprimeve hetimore dhe dorëzimit të kallëzimit penal, çështja do t’i referohet gjykatës për të vendosur lidhur me masën eventuale për sigurimin e pranisë së pandehurit në procedurë dhe parandalimin që ai të kryejë vepër të njëjtë apo të ngjashme në të ardhmen.