Stadiumi i Wembley-it sonte do të kthehet në një arenë dyluftimi. Prej një viti janë në përgatitje të ndeshjes Joshua vs Klitscho. Një përballje e vështirë e një ylli në ngjitje siç është Joshua dhe një profesori në boks si Vladimir Klitscho. Të cilësuar si dy mbretërit e Knock out-it, ata sot do të masin forcat.
Çfarë ka të veçantë kjo përballje nga aspekti teknik?
Në një analizë historike, kjo ndeshje ka një rëndësi shumë të madhe në reputacionin e boksit. Mbase deri diku është edhe një lëvizje fondamentaliste që kërkon të rikthejë boksin në origjinën e tij popullore, te përplasjet e peshave të rënda.
Një aspekt, i pakapshëm për syrin, por shumë i rëndësishëm për ata që hartojnë politikat e boksit. Prej shumë vitesh, që pas Mike Tyson, ndeshjet e boksit profesionist kanë pësuar një zhvendosje të vëmendjes nga përballjet e peshave të rënda, ku grushti ishte i thatë i dukshëm për syrin, te boksi teknik i dominuar nga shpejtësia, teknika e strategjia, që kulmon me boksierë si Floyd Mayweather dhe Manny Pacquiao.
Kjo lëvizje në dukje rastësore, ka qenë për shumë arsye. E para, që pas Tajsonit nuk kishte më yje në peshat e rënda që mund të mbanin këtë shtyllë të rëndësishme. E dyta, Federata Botërore e Boksit Olimpik, u bë më e hapur ndaj boksit profesionist, duke lejuar që të kishte programe të veçanta brenda saj që të bënin kalimin nga boksi olimpik te boksi profesionist. Është e provuar që eksperienca e boksit olimpik është një armë e fortë ata që duan të kalojnë në profesionizëm. Kjo pasi boksi olimpik ose siç njihet rëndom me termin boksi amator, ka një përqëndrim më të lartë të fuqisë dhe shpejtësisë, një orientim më të lartë drejt teknikës në shpërndarjes së goditjeve. Pra, 3 në raunde prodhon me rendiment më të lartë atë për të cilën mund të jesh stërvitur një vit të tërë. Boksi profesionist nuk e ka këtë aspekt. Prandaj, prej vitesh përballjet e mëdha të boksit profesionist kanë qenë të dominuara nga peshat e lehta dhe nga boksierë teknikë.
Çfarë ka ndryshuar?
Orientimi që ka pasur boksi në rang botëror ka bërë që boksi profesionist të furnizohet në nivele më larta nga boksierë që vinin nga boksi amator, e kjo padyshim e ka bërë boksin profesionist më teknik. Nga ana tjetër, kjo ka ndikuar në programet stërvitore dhe në rimodelim të akademive të boksit. Ky orientim ka pasur edhe një efekt negativ në marketing-un e përgjithshëm të këtij sporti. Boksi profesionist dhe aspekti teknik nuk është gjithnjë i kuptueshëm për publikun e thjesht, e kjo në një farë mënyre ka larguar audiencën, duke e mbajtur larg masave.
Me përballjen në ring Joshua vs Klitscho, synohet që të bëhet një rikthim i fuqishëm në këtë drejtim. Të dy kanë parametra të jashtëzakonshëm fizikë, i përkasin peshave të rënda, çka nënkupton një duel fizik i ashpër. Me këtë ndeshje pritet që boksi profesionist të riorientohet drejt të qënit sërish një sport popullor.
Fabula e përballjes
Nga ky aspekt, sonte pritet betejë dhe padyshim që kjo ndeshje do mbyllet me KO. Bastet janë për fitoren e Joshua, duke qenë se është më i ri, me një performancë më të lartë fizike, pra është drejt kulmit, kjjo kundrejt eksperiencës së Klitscho, i cili tashmë është në prag të mbylljes së karrierës, në moshë të madhe. Pra, në këtë kontekst, nuk është thjesht një ndeshje boksi por dhe një fabul humane. Një përballje klasike, një përballje brezash. E reja kundër të vjetrës, e shkuara me të ardhmen, eksperienca kundrejt moshës. Një filozofi mendësish, që nis dhe ndërton të gjithë qytetërimin modern. Rezistenca ndaj ndryshimit dhe përparimit.
Në kushte të tilla është e vështira të parashikosh fitues. Boksi nuk vetëm përplasje grushtash apo rezistence, boksi është inteligjencë dhe ego. Nëse do kishte një ekuacion për fituesin linear nisur nga parametrat fizikë dhe cilësor padyshim që fituesi do të ishte Joshua. Por, morali njerëzor na mëson që përballjet e mëdha fituesit përcaktohen nga ekuacione jolineare, me element të paparashikueshëm. E sonte, në fitore ky element është egoja. Sonte, fiton ai që ka egon më të madhe.