23.8 C
Prizren
E shtunë, 28 Shtator, 2024

Masakra e Suharekës kujtohet në Beograd

Në përvjetorin e 17-të të vrasjes së 48 shqiptarëve të Kosovës në Suharekë, dhjetëra aktivistë marshuan nga qendra e Beogradit deri në periferi të Batajnicës, ku më 2001 u gjetën trupat e tyre.

Rreth 30 aktivistë të udhëhequr nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), me seli në Beograd, dhe lëvizja “Iniciativa ime”, u mblodhën në qendër të Beogradit të shtunën dhe marshuan deri te vendi ku ishte varreza masive, në Batajnicë, për të shënuar përvjetorin e masakrës së kryer nga forcat serbe gjatë luftës së Kosovës.

Qëllimi ishte që të tregojmë se varreza masive në qendrën stërvitore të Policisë, në Batajnica, në të cilën gjendeshin trupat e rreth 700 shqiptarëve të Kosovës, duke përfshirë edhe viktimat e Suharekës, “është një ecje këmbë larg nga sheshi “Republika” i Beogradit”, tha për BIRN Jovana Prusina nga YIHR.

”Kjo është diçka që njerëzit nuk e dinë dhe diçka për të cilën nuk është biseduar (në Serbi)”, tha Prusina.

Dyzet e tetë banorë të qytetit të Suharekës u vranë më 26 mars të vitit 1999 nga forcat serbe.

Dyzet e gjashtë prej tyre ishin anëtarë të familjes Berisha, 14 prej tyre nën moshën 15 vjeç, duke përfshirë dy foshnja, si dhe një grua shtatzënë dhe një grua të moshuar.

Dy gra dhe një fëmijë i mbijetuan masakrës.

Disa prej burrave u qëlluan për vdekje, ndërsa të mbijetuarit i detyruan të futeshin në një piceri, i mbyllën aty dhe hodhën granata dore kundër tyre.

Ata që treguan shenja jete u qëlluan në kokë dhe u transportuan dhe u varrosën fillimisht në një varr masiv në Kosovë.

Trupat u rivarrosën më vonë në qendrën stërvitore të Policisë në Batajnica, pasi u transportuan nga Kosova në një përpjekje nga forcat serbe për të fshehur vrasjet.

Prusina tha se një tjetër arsye e marshit përkujtimor është edhe të tërhiqet vërejtja për “rehabilitimin e kriminelëve të luftës që po ndodhë tani në Serbi”.

“Kriminelët e luftës po shpallen heronj. Kemi rastin e ish-zyrtarit të Ushtrisë Jugosllave, Vladimir Lazareviq, i cili është një kriminel i dënuar i luftës dhe i cili u prit si hero pasi vuajti dënimin (për krimet e luftës në Kosovë)”, tha ajo.

Shefi i policisë në Suharekë Radojko Repanoviq dhe oficeri i policisë Slagjan Çukariq u dënuan me 20 vjet burg për përfshirjen e tyre. Oficeri i policisë Miroslav Petkoviq dhe zyrtari i Sigurimit të Shtetit, Milorad Nisaviq, janë dënuar me 13, respektivisht 15 vjet burgim.

Gjykata e Hagës i ka dënuar edhe gjashtë zyrtarë të lartë të Beogradit mbi vrasjet në Suharekë.

Gjithsej 744 trupa të viktimave, shqiptarë të Kosovës, janë zhvarrosur nga varrezat masive në Batajnicë.

Varreza e tjera masive që përmbajnë trupat e shqiptarëve të Kosovës të vrarë gjatë luftës janë gjetur në tri lokacione të tjera në Serbi – në liqenin Peruqac, në një qendër të Policisë në Petrovo Selo dhe në guroren e Rudnicës, pranë qytetit të Rashkës.

Megjithatë, deri më tani askush nuk është ndjekur penalisht në Serbi për operacionin për zhvendosjen e trupave.

Vetëm ish-ndihmësministri i Brendshëm serb, Vlastimir Gjorgjeviq është dënuar nga Tribunali i Hagës për transportimin e trupave nga Kosova në Serbi, në mesin e krimeve të tjera të kryera gjatë luftës së fundit të viteve 1990. /BIRN/

Më Shumë

E premte e nxehtë, temperaturat shkojnë në 25 gradë celsius

Sot në Kosovë pritet të mbizotërojë mot me diell, dhe me vranësira kryesisht në relievin malor. Si bën me dije Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, temperaturat...

Malisheva fiton ndaj Gjilanit dhe vazhdon për kreun e renditjes

Malisheva ka shënuar fitore ndaj Gjilanit me rezultat 2-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 6-të të Superligës së Kosovës. Ndeshja nisi më mirë...

Lajmet e Fundit