Gjykata Themelore e Prizrenit më 07.03.2025 i ka ndërprerë masën e arrestit shtëpiak, ministrit të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka dhe familjarit të tij, Fuad Damka.
Ministri Damka dhe familjari i tij, dyshohet se i sulmuan fizikisht dhe i kanosën dy anëtarë nga Partia Turke e Lëvizjes Novatore në ditën e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë më 09.02.2025. Masa e arrestit shtëpiak i është zëvendësuar me masën e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar.
Fillimisht, ministri i Qeverisë së Kosovës ishte ndaluar për 48 orë, teksa ndaj tij gjykata kishte caktuar masën e arrestit shtëpiak, masë kjo që u zëvendësua këtë të premte me masën e ndalimit për t’iu afruar personave të dëmtuar në largësinë prej 50 metra.
“Gjyqtarja e procedurës paraprake, me datë 07.03.2025, ka marrë AKTVENDIM, ashtu që NDËRPREHET MASA E ARRESTIT SHTËPIAK, ndaj të pandehurve Fikrim Damka dhe Fuad Damka, menjëherë me ditën e sotme më datën 07.03.2025, dhe e njëjta Zëvendësohet me masën e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, e që do të zgjasë deri më datën 07.04.2025. OBGLIOHEN të pandehurit Fikrim Damka dhe Fuad Damka që në largësinë prej pesëdhjetë (50) metra të mos iu ofrohen personave të caktuar, respektivisht të dëmtuarve A.M., dhe M.J.”- thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore të Prizrenit, dërguar KALLXO.com.
Nëse kjo masë nuk respektohet, sipas Gjykatës së Prizrenit të pandehurit do të shkojnë në paraburgim. Ndërprerja e masës së arrestit shtëpiak për ministrin Damka dhe familjarin e tij u propozua nga Prokuroria e Prizrenit.
“Prokurori i shtetit në propozimin për zëvendësimin e masës së arrestit shtëpiak me masën e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit ka theksuar se në këtë çështje janë siguruar provat materiale, janë dëgjuar të dëmtuarit, të pandehurit dhe dëshmitarët prandaj duke pasur parasysh rrjedhën e deritanishme të procedurës hetimore edhe me masën e propozuar mund të arritët në mënyrë të papenguar të zhvillohet procedura. “– thuhet mes tjerash në përgjigjen e Gjykatës së Prizrenit.
Gjyqtarja e procedurës paraprake ka vlerësuar kërkesën e Prokurorit të shtetit dhe ka gjetur se propozimi për zëvendësimin e masës së arrestit shtëpiak me masën e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit është i bazuar.Bazuar në Dosjen e Prokurorisë, dy të dyshuarit pretendohet se fillimisht i kishin sulmuar fizikisht dy anëtarët e Partisë Turke të Lëvizjes Novatore, Arda Malokun dhe Muharrem Jablen, e më pas i kishin kërcënuar se do t’i privonin nga jeta, duke iu drejtuar me fjalët: “Ju kalli të gjithëve, ju vras.”Ngjarja dyshohet të këtë ndodhur në një park, në lagjen “Kurile” të Prizrenit, në afërsi të selisë së Partisë Demokratike Turke të Kosovës.