Një nga problemet kryesore në Shqipëri pas Shpalljes së Pavarësisë ishte ngritja e administratës shtetërore me njerëz të aftë dhe të zot. Problemi ishte i vështirë; gjuha shqipe nuk ishte lejuar të mësohej në shkollat e vendit nga administrata osmane; vendi ishte i varfër dhe analfabetizmi mbulonte 90% të popullsisë. Qeveria hapi konkurs për nëpunësit e rinj të administratës shtetërore ku midis të tjerave vihej edhe kërkesa për njohjen e gjuhës shqipe. Për të ndihmuar në zgjidhjen e këtij problemi Lumo Skëndo shkruajti shkrimin “Ministrat dhe sekretarët”. Shkrimi në fillim duket se u botua në vitet ’30 tek “Dielli” dhe që këtej u morr dhe u botua në gazetën: “Shqipëri e Re”. Shkrimi megjithatë vlen të rilexohet edhe në ditët tona, madje vlen të rilexohet kohë pas kohe.
Ministrat dhe
Sekretarët
Të mos trembemi, po të shikojmë të vërtetën drejt në sy. Le të zbulojmë të metat, le të shohim rrënjët dhe shkaqet e tyre. Të jemi si mjeku që bën diagnostikim, na thotë ç’kemi, pastaj na dëften edhe ilaçin.
Nja dy muaj më parë bënim fjalë me një mik se ç’farë njerëz të zotë kemi, sa specialistë, sa mjekë, sa inxhinierë, sa profesorë. Bëmë një listë me shqiptarë që kanë diploma nga shkollat e larta, dhe në çdo zbulim të ri, na mbushej zemra plot gaz, na vinte një madhështi. Dhe aq më tej akoma, sepse të dy qemë të bindur se inxhinierët më të mirë të Turqisë (Ahmedi nga Devolli, Eshrefi nga Frashëri), dhe mjekët më të mirët, operator Orhani nga Devolli, gjinekologu Besim Omeri nga Narta, Sylejman Humani nga Dibra, neurologu Joan X, nga Gjirokastra, bekterollogu Rifat nga Frashëri etj. ishin të gjithë shqiptarë, nga gjaku dhe nga vendi ynë, nga ajo baltë dhe nga ajo gjuhë. U gëzuam kur mësuam se një veteriner shqiptar, miku ynë, Sejfedini nga Selenica, gjeti ilaçin e këlbazës në Shkodër, se Dr.M.Turtulli, në Misir, ishte një nga më të mirët e heqimëve. Edhe thoshnim se Shqipëria nuk është e varfër nga intelektualët, se kemi njerëz edhe në Rumani (inxhinier Vangjel Nuni), një profesor elektriku nga Drenova, tre a katër piktorë. Mund të kemi edhe në Greqi, që s’i dimë sot, se nuk rrëfehen por nesër mbase dalin në dritë, shkruan BW.
Megjithatë, sado vullnet të mirë që patëm për ta zgjatur, lista mbeti e vogël, e shkurtër, edhe u siguruam se një vend si i yni që ka nevojë të përparojë, duhet t’i përvishet punës; njerëzit që kemi sot janë fort të paktë; bëmë pastaj edhe një listë të studentëve, të djelmoshave që mësojnë në Amerikë, në Itali, në Vjenë e gjetkë; edhe këtë listë e gjetëm fort të varfër.
Tashmë duhet të punojmë, të përpiqemi që të shtohet numri i studentëve, i atyre që dinë dhe janë të zot të punojnë, i atyre që mund të bëjnë një punë të fitimshme.
Duhet të kemi njerëz për sekretarë – tha miku ynë, dhe jo për ministra.
Pandehëm se qeshte. Po jo, miku qe i sinqertë, fliste me seriozitet. Deshëm të dimë ç’donte të thoshte. Dhe e pyetëm.
Ne, tha, në Shqipëri, kemi shumë njerëz që janë kandidatë për ministra, dhe fort pak janë për sekretarë; shqiptari është kryelartë, i pëlqen që të rrijë në krye, kemi pak njerëz të zotë që të punojnë.
S’kuptonim ç’qëllim kishte. Po ai na e shpjegoi:
Do ta kuptoni fort lehtë ç’dua të them, kur të mendoni se një sekretar duhet të jetë i zoti që të shkruaj mirë, të mbajë në rregull letrat dhe defterët, të rrijë tetë orë ditën dhe të punojë mbase edhe natën. Ministri s’ka nevojë të bëjë asnjë nga këto punë. Ay vetëm do të flasë, do të kuvendojë…. Sekretarit i duket puna, po qe që s’di, i del në shesh puna. Ministri përkundrazi ua hedh fajin shokëve.
Miku ynë e thoshte këtë me ironi dhe me paradoks; se edhe ai e dinte se ministri duhet të ishte shumë i ditur dhe i zoti. Themi duhet të ishte dhe shpresojmë se edhe në Shqipëri kështu do të bëhet.
S’kemi njerëz të zotë për punë të rregullt, vazhdoj miku ynë. S’kemi se nuk janë mësuar për punë; nuk kishin ku të mësoheshin: Ata të Turqisë janë mësuar “dembelë”; në Shqipëri akoma nuk nxorëm dot njerëz të rinj. Prandaj gjithë duan të bëhen ministra, dhe asnjë sekretar.
Edhe shtoi: Doni të bëni një provë ? Bëni një zëdhënie në “Dielli”: thoni se “Vatra” kërkon të bëjë ministra për në Shqipëri dhe u lutet atyre që dëshirojnë këtë ofiq, të bëjnë kërkesa. Do të shihni se do të vijnë dyqind mijë aplikime . Të gjithë duan të bëhen ministra, që nga B. B. dhe gjer Sh. G. Jo vetëm se ata janë të pashëm, për krushq, po edhe i mjeri V. L. q’ është si kotele maceje dhe I. P. edhe ata për ministër e kanë syrin. Bëni edhe një zëdhënie për sekretarë dhe do të shihni sa pak aplikime do të vijnë!
Dhe kishte të drejtë miku ynë. Unë që po shkruaj këto radhë, nuk njoh të këtë në mes të asaj shumicë miqsh që njoh, tetë prej syresh që të jenë të zot të bëhen sekretarë.
Kur mendohem sa të paktë janë sot ata që dëshirojnë të bëhen sekretarë, sa të paktë janë ata, që mund të punojnë me rregull dhe me sistem, të mbajnë në rregull një korrespondencë dhe të shkruajnë bukur një letër ose një raport shqip, njeriut i vjen për të qarë, i vjen për të qarë jo se gjenden të paktë, po se të paktë janë ata, që përpiqen të bëhen më të zotë.
Në mes të miqve që ndodheshin në këtë bisedim ishte dhe djaloshi Xh.K., student në Amerikë. S’kishte folur deri atëherë; vetëm dëgjonte. Në fund tha: Unë doja të mësoja për Drejtësi në Universitet. Po tani e ktheva mendjen: Do të mësoj për sekretar, dhe jo ministër. Do të vete në Shkollën e Tregtisë (Business High School) të mësoj si mbahet korrespondenca, si mbahen def-terët, të mësoj stenografinë për të shkruar. Miku i tha: Të jesh i sigurtë se ka më tepër nder një sekretar i zoti se një ministër i pa zoti,- shkruante “Dielli”.
* Luan Malltezi- Historian