Është përkujtuar jeta dhe vepra e Dr. Bajram Bajramit, mjek specialist i internos, i cili ndërroi jetë më 29 maj 2025, në moshën 66-vjeçare.
Akademia përkujtimore u organizua të martën nga reparti i Internos në Spitalin e Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren, nën udhëheqjen e Dr. Samire Berishës.
Në emër të stafit mjekësor, foli Dr. Shemsedin Shabollari, shef i repartit të Internos, duke e përshkruar Dr. Bajramin si një profesionist të përkushtuar, koleg të respektuar dhe njeri me integritet të rrallë.
“Kur një njeri i zakonshëm ndihmon dikë, shpallet hero. Ndërsa mjeku, tërë jetën i ndihmon njerëzit dhe thuhet se e ka për detyrë. Por kur vetë mjeku sëmuret dhe përballon vuajtjet në heshtje të plotë, lufton, edhe pse i vetëdijshëm për diagnozën dhe prognozën, nuk dorëzohet. Ai mbledh forcë, ruan qetësinë dhe ekuilibrin shpirtëror, dhe për vite të tëra, në atë gjendje, punon dhe kujdestaron. Pas çdo thirrjeje nga pranimi, përdor një nitroglicerin dhe më pas i përballon shkallët për t’iu ndihmuar pacientëve. Kjo nga paslufta deri dy vite pas pensionimit, kur forca e zemrës i ishte në kufijtë minimalë të funksionimit. Ai ishte më shumë se kaq – ishte stoik. Ky ishte Dr. Bajrami: njeri i urtë, i qetë, i heshtur; asnjëherë nuk e kam parë duke ngritur zërin, jo pse nuk donte, por sepse nuk dinte – natyra e tij ishte e tillë. Inteligjent dhe me një humor shumë specifik”, theksoi Dr. Shabollari.
Në emër të Drejtorisë së Spitalit dhe Këshillit Drejtues, foli Dr. Fatmire Braha, anëtare e këshillit dhe kryetare e Këshillit Profesional.
“Në emër të Drejtorisë së Spitalit, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, kolegët dhe miqtë e Dr. Bajram Bajramit. Ai ishte një mjek i përkushtuar, modest, i afërt, kolegial dhe me përgatitje të lartë profesionale. Me përgjegjësi dhe përkushtim kreu të gjitha detyrat që iu besuan, duke qenë gjithmonë shembull i një mjeku të respektuar. Do të kujtohet jo vetëm nga familja, por nga të gjithë ne që punuam me të dhe e njohëm nga afër”, u shpreh ajo.
Në fund të akademisë, në emër të familjes falënderoi djali i tij, Enis Bajrami.
“Në emër të familjes, ju falënderoj për organizimin e kësaj akademie përkujtimore, e cila është një dëshmi e respektit për doktor Bajramin – për ne, babai ynë, dhe për ju, kolegu juaj. Kujtimet për të do të mbesin të paharrueshme dhe do të jenë gjithmonë burim frymëzimi për ne”, tha ai.
Dr. Bajram Bajrami u lind në vitin 1959 në fshatin Novosellë të Prizrenit, ku kreu edhe shkollën fillore. Gjimnazin e përfundoi në Prizren, ndërsa studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Specializimin e kreu në Shkup, ndërsa edukimin gjashtëmujor për ultrazë në Beograd.
Që nga viti 1994, ai punoi si mjek në Spitalin e Përgjithshëm në Prizren, duke dhënë një kontribut të çmuar për pacientët dhe kolegët, deri në pensionimin e tij në mars të vitit 2024. Përkushtimi dhe humanizmi i tij mbeten të paharruara në kujtesën e të gjithë atyre që patën fatin ta njohin nga afër.
Dr. Bajram Bajrami ndërroi jetë më 29 maj 2025 dhe, po atë ditë, u varros në fshatin e tij të lindjes, Novosellë të Prizrenit./PrizrenPress.com