16.8 C
Prizren
E hënë, 26 Shtator, 2022

Moikom Zeqo: Skënderbeu i përdhosur? Provokim i mbrapshtë!

skenderbeu 1Gjetja në Qafë-Kashar pak ditë më parë e një shtatoreje të Skënderbeut, ku heroi shfaqet gjysmë njeri e gjysmë cjap, ka habitur jo pak njerëz. Për ta qartësuar, objekti në fjalë nuk ka qenë në asnjë muze e galeri sikundër është thënë gabimisht, mbasi një logjikë e thjeshtë sugjeron se një shtatore e heroit kombëtar të përçudnuar nuk ka vend në të tilla institucione kombëtare a lokale qofshin ato.

E ndërsa askush nuk e sheh këtë si vepër të një skulptori serioz, shpjegimet për të kërkohen veçse në mitologji. Mbase prej aty ka lindur ideja e ndokujt për të fyer e përdhosur imazhin e heroit.

Një prej njohësve më të mirë të mitologjisë është studiuesi Moikom Zeqo. Pas kërkesës së “GSH”, profesori na thotë se, po ta shikonte nga afër mund të jepte detaje më të sakta, porse në pamundësi për ta bërë këtë, pasi objekti është në ambientet e policisë (kjo e fundit ka nisur hetimet), mendimin e tij Zeqo e jep, pasi sheh foton.

“Po gjykoj sipas fotografisë së shtatores. Nuk është aspak një vepër arti e mirëfilltë, por diçka butaforike – një përdhosje artistike, ku nuk ka as plastikë, as harmoni, asgjë substanciale që lidhet me artin”. Sipas Zeqos, asnjë skulptor shqiptar – dhe ai më pak i talentuari nuk mund të bëjë një marrëzi të tillë. Tejet i nervozuar nga komentet, thekson me të madhe se, “objekti nuk është marrë, as nga Kruja dhe as nga Lezha – delirët e diletantëve çfarë nuk arrijnë të shpikin dhe të imagjinojnë! Kjo shtatore është një provokim – për shkak të hibridizimit gjysmë njeri dhe gjysmë cjap- bërë me një qëllim tejet të mbrapshtë për të reflektuar publikisht një urrejtje të verbër ndaj figurës madhështore të Gjergj Kastriot Skënderbeut”, – thotë Zeqo.

Sipas profesorit, ata ose ai që e ka ideuar dhe bërë në bronz këtë shëmtirë të pabesueshme, ndoshta jo brenda Shqipërisë, e ka ekspozuar si një kurth publiciteti dhe shprehje të një përçudnimi ndaj Skënderbeut, për ta karikaturizuar qëllimisht, për ta përbuzur verbërisht, idiotisht.

“Është kështu një motiv grotesk, i qëllimshëm për kryesimbolin tonë kombëtar, është një turp”, -shprehet profesori, duke kujtuar edhe se “një nga shpifjet më shoviniste deri në fillim të shekullit të XX në publicistikën ballkanike antishqiptare ishte edhe ajo që thuhej se gjoja shqiptarët janë qenie gjysmë njerëz dhe gjysmë kafshë, me bisht cjapi apo kali”. Në fund, ai shënon se pikërisht sipas këtij arketipi është konceptuar edhe ky monstruozitet në lidhje me figurën e Skënderbeut. Prandaj është shumëfish e shëmtuar nga çdo anë dhe pikëpamje.

Skënderbeu
si Bafomet?
Një kritik arti, që për shkak të pozicionit të punës nuk del me emër, e sheh shpjegimin e këtij objekti ndryshe. Mbasi shënon se nuk ka skulptor profesionist që e bën këtë, e cilëson provokim nga njerëz shumë keqdashës dhe të paskrupullt. “Nga fotografia nuk mund të dalloj shumë prej figurës, por mund të them se është përçudnim fizik, që duket si një pjellë e njeriut me dhinë. Shoh një prapaskenë dhe një fakt të dhimbshëm për këdo që e ka bërë, e cila tregon se duan të dhunojnë figurën e heroit, duke e kthyer në një monstër me elementë të vet heroit, dhia, bishti i kalit, koka e madhe, trupi i vogël”, sqaron kritiku në fjalë.
Për të është një figurë e turpshme dhe monstruoze që nuk ka lidhje as me surealizmin edhe pse përfytyrimi është i tillë.
Veçse imazhi i Skënderbeut në statujën e Qafë-Kasharit, të kujton një imazh, aspak të këndshëm. Kritiku që nuk dëshiron të dalë me emër, e lidh figurën e heroit në këtë rast me idhullin e Satanait, Bafomet, e kjo duket edhe më e rëndë. Çfarë është dhe ç’nënkupton Bafomet?

Bafomet është simbol i dhisë satanike që zakonisht portretizohet me kokë dhie, gjysmë njeri e gjysmë dhi. Shpesh është keqinterpretuar si simbol i shtrigave por Bafomet është përdorur nga satanistët.
Origjina e Bafomet është e paqartë. Historiani Montague Summers ka sugjeruar që fjala është bashkim i dy fjalëve greke: baphe dhe metis që do të thotë “përthithje e dijes”. Nga ana tjetër, Bafomet është quajtur Dhia e Zezë ose Dhia e Judës. Ndërsa sipas fjalës latine “baphometh” ose “baffometi” është një term i përdorur për të përshkruar një idhull ose “perëndi” në të cilën janë akuzuar se besojnë Kalorësit templarë. Në këtë rast, fjala lidhet me tradita okulte e mistike. Bafometi është lidhur me satanizmin për shkak se është përdorur si simbol i Kishës së Satanait. Përmendim që Kisha e Satanit, e themeluar më 1966 në San Francisko, e ka adoptuar një interpretim të Bafometit për të simbolizuar satanizmin. Në të, simboli i dhisë shfaqet bashkë me një gjarpër të madh të lidhur me djallin. Në Kishën e ritualeve Satanike, Bafometi është i varur në mur pas altarit.

Më Shumë

Një person në Suharekë gjersa punonte lëndoi fizikisht një fëmijë

Një person është arrestuar nën dyshimin se përderisa ishte duke punuar ka lënduar një fëmijë, të cilit fillimisht i është ofruar tretman mjekësor në...

‘Bëni dush së bashku për të kursyer rrymë’, iu thotë Zvicra qytetarëve të saj

Ministrja e mjedisit e Zvicrës po promovon masa për të reduktuar konsumin e energjisë me 15 për qind këtë dimër – dhe një nga...

Lajmet e Fundit