13.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Morricone: S’i njoh ata të muzikës pop

Kompozitori legjendar Ennio Morricone rrëfen momente nga jeta e tij, tregon çfarë i pëlqen e kujt ia ka frikën.

Po më humb qetësia gjithnjë e më shumë. Ndonëse tani kam më shumë vetëbesim, nevoja që gjithmonë të bëj gjëra më të mira dhe që të përmirësohem është më e madhe. Shumicën e kohës mund të dukem tepër i merakosur, i shqetësuar. Është kështu, sepse jam. Puna ime bart përgjegjësi të madhe.

Fëmijëria ime ishte e vështirë. Jam rritur në Romë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Fillimisht, qyteti ishte i pushtuar nga gjermanët, pastaj erdhën aleatët. Nganjëherë nuk kishim mjaftueshëm për të ngrënë. Pas përfundimit të luftës, zbulova gjithë ato gjëra të tmerrshme që kishin ndodhur në vende të tjera dhe u ndjeva goxha me fat.

Jam i lumtur që fitova Oscar, më në fund. Tarantino nuk ma tregoi filmin, kur më kërkoi ta shkruaja muzikën për The Hateful Eight. Ma dërgoi veç tekstin e përkthyer në italisht. Më pëlqeu, ashtu siç i pëlqeu edhe gruas sime, kështu që thashë po.

Takimi me gruan time Maria, si dhe martesa me të, janë çastet më romantike të jetës sime. Ajo ishte shoqe me njërën nga motrat e mia. Jemi të martuar qe 60 vjet. Kur isha 40 vjeç, i thashë që do të pushoja së kompozuari muzikë për filma dhe do t’ia dedikoja kohën time asaj që e quaja “muzikë absolute”. E thashë këtë edhe kur i bëra 50, 60, 70 e 80 vjet. Ndoshta do të ndalem kur të bëhem 90.

Sergio Leone nuk më njohu me të parën. Ishim në shkollë së bashku, kur ishim të rinj. Por, kur erdhi të më kërkonte që ta bëja muzikën për A Fistful of Dollars, ai nuk e dinte që isha po ai Morricone, fëmija i shkollës fillore. E kuptuam, pas pak. Dhe, i thashë po.

Nuk më pëlqejnë macet. Më pëlqejnë kuajt, majmunët, e qentë e këndshëm që s’janë fort agresivë. E kam pasur një mace të mrekullueshme. Por, një ditë hyra në kuzhinë dhe e pashë sipër tryezës, duke prishur gjithë ushqimet që duhej t’i hanim. Isha aq i inatosur saqë e mora dhe e dërgova në shtëpinë e një miku.

Pica ime e preferuar është Napoletana: domate, mozzarella dhe pakëz peshk sardele. Duhet ta ketë bazën të hollë.

Nuk i di emrat e asnjë artisti të muzikës pop. Muzika pop është standardizuar; është bërë për ta kënaqur audiencën më të madhe të mundshme. Edhe unë shkruaj për ta kënaqur një audiencë të madhe, por kur ta dëgjoni muzikën time, e kuptoni se kam studiuar dhe zbatuar gjithë historinë e kompozimit.

Nganjëherë them “Jo – nuk do ta bëjë atë”. Të punuarit me Pier Paolo Pasolini (regjisor italian) ishte gjë e shkëlqyeshme, por fillimisht ai më pat kërkuar që t’i përshtatja disa pjesë klasike në vend se të kompozoja muzikë origjinale. Refuzova, dhe ai më tha: “OK, mund ta shkruash muzikën që do, përderisa i vë diku këto pika të mëdha”. Ishte një lloj paragjykimi, ndaj ia bëra qejfin.

Zgjohem herët dhe fle herët. Një ditë të zakonshme e nis me pak stërvitje, pastaj lexoj gazetat. Rreth orës 9 të mëngjesit nis të shkruaj muzikë dhe vazhdoj deri në kohën e drekës. Ha drekë me gruan time, flas me të, dhe rifilloj së shkruari deri vonë pasdite.

Gjithkush ka për të vdekur. Nuk jam i frikësuar veçanërisht lidhur me të. Ajo që më frikëson vërtet shumë është nëse shkoj para gruas sime. Do ta lija vetëm, dhe anasjelltas. Idealja do të ishte të vdisnim së bashku. /The Guardian/Politiko.net/

Më Shumë

Peja triumfon ndaj Yllit

Peja ka shënuar fitore ndaj Golden Eagle Yllit me rezultat 98:86 (25:23, 27:21, 26:19, 20:23), për të ngushtuar serinë gjysmëfinale të “Play-offit” në 2:1. Te...

Suhareka dhe Ferizaj drejt Superligës së Kosovës pas fitoreve

Liga e Parë në të dyja grupet, A dhe B, po vazhdon, ku nuk po mungojnë problemet, ndërsa skuadrat që synojnë elitën kanë vazhduar...

Lajmet e Fundit