16.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Moshatarë me kohën

Shkruan: Hajdar Mallaku

(tregim)

Ishin vitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar. Fillim tetori ishte, por kishte marrë shumë vapë. Po pushoja para dyerve të spitalit pasi që i kisha kryer të gjitha obligimet paraprake: vënien e emrit për fëmijën e lindur, regjistrimin te ofiqari, pruarjen e dokumenteve në spital, dorëzimin e teshave për fëmijën, dorëzimin e teshave të spitalit për veshjen e shoqes dhe po e prisja orën trembëdhjetë, atëherë kur ime shoqe do të dilte nga materniteti.

Kishim dhe dy orë për të pritur. Na kish lindur fëmiu i parë, pak me vonesë, dhe qemë gëzuar me të drejtë, se fëmiu i parë është si lulja e parë e pranverës që mezi e presim, madje e fusim dorën në ferrë për ta marrë që andej. Në stolin pranë meje u ul një plak rreth të shtatëdhetave. U duk se ish lodhur sepse kur u ul, e lëshoi trupin sikur ta përplaste sa kërkëllitën dhe dërrasat e stolit dhe e lëshoi një ofshamë të thellë. Qe një burrë tamam malësor: plis në kokë me një rreth të verdhë nga djersët, fytyrëkuq, me vetulla të dendura dhe të zgjatura anash, mustaqe të orientuara me kujdes, këmishë pëlhure e xhamadan të zi me gajtana të kuq, pantolla zhguni bojëkafe dhe në këmbë shputka dhe opinga lëkure me vangj.

Kur ia shikoje fytyrën, vëreje se plori i moshës kishte hapur hulli të thella. Relief i ashpër! Ndërsa duartë lopatë e vërtetë. Ana e brendshme rreshkë e pjekur me kollo të murrtuara, ndërsa shpina e tyre me damarë të fryer sikur toka e pranverës e ngritur nga rrëmihja e urithit.

Pasi pushoi pak, u kthye nga unë dhe më pyeti me një zë basi të mbushur që shpesh hollohej dhe gati kthehej në falsitet:
– Po pret edhe ti si unë, djalosh?
– Po, po e pres orën një për ta marrë shoqen nga materniteti.
– Ka lindur fëmijë?
– Po, ka lindur vajzë,- thashë unë.
– Au, me këto vajza !- ma ktheu si me mllef.
E kuptova nga këto fjalë se edhe reja e tij paskësh lindur vajzë dhe ai në vazhdim tregoi vetë.
-Edhe reja ime ka lindur vajzë. Është e treta, he mos qoftë…
-Mixhë, po më vjen keq, po nuk duhet thënë ashtu. Qoftë me jetë! Edhe vajza është evlad. Madje Zoti dikë e gëzon më herët e dikë më vonë edhe me djalë. Ku janë vajzat, vie dhe djali.

Ia thashë këtë megjithëse edhe vetë isha rritur në një rreth me mendësi të tillë dhe sadopak kjo më ngacmonte dhe mua, po s’munda ta zbuloja.
– Vajza, po!- është evlad, po ajo lind trashëgimtarë me emër të huaj dhe në derë të huaj, biro. Femra është magje ku bukën e gatuan burri. Po lëre më këtë. Ajo shtin rrënjë në familjen e burrit vetëm kur lind djalë.

E dija se në mendësinë shqiptare ishte ngulitur prej kohësh bindja se djali është i vetmi trashëgimtar në tymtarin e familjes, se është siguri dhe mbrojtje e familjes, se është vetëm ai që mund ta rrokë armën kundër armikut.
-Sa telashe me rregullimin e dokumenteve,- vazhdoi plaku. E merr vërtetimin se ka lindur fëmiu, duhet shkuar në Kuvendin e Komunës për ta regjistruar te ofiqari, t’ia vësh emrin e të kthehesh prapë në maternitet për ta marrë fletëlëshimin, t’i dorëzosh teshat e spitalit për renë, t’ia japësh teshat për fëmijën, e hajde bacë. E pastaj, merre me mend, me fëmijë para duarsh duhet shkuar në Famullinë e Gurit.

Kur e solla nusen për lindje e huazova një kalë nga fqinji im dhe falë Zotit nuk më ndodhi gjë rrugës, mbajti nusja gjer në spital.

Një gjë tjetër që më ndodhi qe puna e regjistrimit te ofiqari. Kur më pyeti se si ia kemi lënë emrin, mua nuk m’u kujtua. Ju të rinjtë po u vëni emra të rinj e ec e mbaji mend. Jo si këtyre herëve. Ofiqari kish qenë njeri zëvzek. Më tha: ”Si nuk e di? Dil e pyete dikë në kafene. Lirona radhën!” Më shtriu për toke mua plakun. Kujt i bëhej vonë emri i mbesës sime. Më vuri në lojë pa pikë turpi. M’u kujtua nusja që më porositi dy-tri herë: ”Emrin ia kemi lanë Mimozë”. Herën e parë unë s’e dëgjova mirë dhe i thashë “Lipozë”? Jo Lipozë, babo, se emri Lipozë është i blozës së oxhakut, por Mimozë – lule. Mbaje mirë në mend, Mimozë! M’u kujtua mos e ka shkruar nusja emrin në shpinë të letrës dhe vërtet e kish shkruar se është shumë e kujdesshme, por ja, një herë e panafakë. Dhe më në fund e kreva punën.
-Po ti, si ia ke vënë emrin vajzës?
-Bardha e kemi pagëzuar.
-E ku e ditke se do të bëhet e bardhë apo e zezë?
-Kemi menduar për shpirtin e saj, do ta edukojmë që të rrezatojë dritë.
Dhe prapë vazhdova:
– Shiko sa bukur, mixhë, emrin e lules. Fëmijës një herë i vëhet emri dhe e bart tërë jetën. A mirë që përpara u janë vënë emra përbuzëz: Keqe, Sose, Pahije, Fiknete, emrin e nënës ose emra turko-arabë apo romanë.
– Ne thoshim se me rëndësi është të lind djalë. Emri s’ka rëndësi. Vënia emrin Gur, Veksh, Çerep, Pashtrik…- vazhdoi plaku. Ime shoqe thoshte se kur ke vajza, duhet t`i keshë brengë dyertë e dynjasë.
– Nuk janë ato dyer të dynjasë, por dyer të mikut tënd, të bijës sate që, po u bë e mirë, e ke ballin hapur kur shkon mysafir apo të vijnë ata. Dëgjon mirë për ta dhe krenohesh: “Është miku im! Është bija ime!”- thua.
Qesha nga e keqja që po e dëgjoja dhe s’dita ç’t’i thosha. Më erdhi aty për aty shprehja “Ta pyesim kohën…!
– Pyete kohën sa të duash. Po a mirë është, jeton në Famullinë e Gurit, atje e nis fëmijën dhe vjen e e lind në Prizren, tri orë larg. Unë shtatë fëmijë i kam dhe të shtatët kanë lindur në shtëpi, shëndosh si kokrra.
– Në kohën e sotme veç kanë filluar që ta planifikojnë lindjen e fëmijëve, e kështu dhe të familjes.
– Pse a mirë a, një fëmijë a dy dhe pikë. A kanë bërë kontratë me Zotin dhe nuk e kujtojnë vdekjen ata!?
– S’duhet ta çojmë mendjen atje. Një fëmijë i hajrit, djalë apo vajzë, jo për një familje po është me vlerë për një lagje.
– Po kur bëhet një dhe i sherrit? Ia sheh sherrin një katund apo një qytet..
– Është detyrë e familjes, e shkollës dhe e shoqërisë që ta edukojnë dhe arsimojnë si duhet.
– Po shoh se dëshiron të më mundësh, po, megjithëatë, më mirë tre djem dhe të mirë, sa i kam unë se sa një.
– Zgjedhja i mbetet familjes.
– Kushtet e lindjes janë shumë më të mira në maternitet, pasha mixhën, – vazhdova unë. Aty është mjeku. Di ti sa nëna dhe sa fëmijë kanë vdekur gjatë lindjes? Ti e di më mirë se unë që thonë se lehona e ka dyzet ditë varrin e hapur. Ta pyesim kohën pra…- thashë unë.
– Au, ta pyesim kohën. Koha thotë çka thonë njerëzit. Edhe kafsha e bën të voglin aty ku e ka nisur. Më fal se ti je i ri dhe mendon ndryshe dhe po të ngarkoj me hallet e mia.
Isha i ri, i pamartuar dhe tërë verën rrija në stan dhe i ruaja dhitë dhe lopët. Kositja barë, vëja dushqe me degë të gjelbërta, mblidhnim bulmet dhe i zdirgjja poshtë me kalë. Barin e bartnim dimrit me vandakë. Dimrit bagëtinë i dimëronim në fshat. Një ditë, deri sa po hanin dushk në oborr, na humbi një dhi. E kërkuam dy ditë dhe shenjë nuk gjetëm. A e lëshoi toka, a e vodhi ndokush nuk e dinim. Po ta kish ngrënë ujku, do të gjendej shenjë. Ditën e dytë ra borë e madhe sa të mbahej mend. Të tretën ditë dual dielli dhe bora u ngri. Ishte acar i madh. Babai më tha: “Bora është e ngrirë. Mund të shkosh lart deri në Tbane? (ky ishte emërtim i vendit ku i kishim stanet). Shkova në stan si keci për dërrasë sepse bora ishte ngrirë dhe kish vënë kore si korja e fortë e bukës së harruar të misrit nën saç. Kur u afrova te stani, ç’të shoh! Dhija kish hipur në maje të një shkëmbi dhe po hante krënde, ndërsa poshtë saj dy kecër kërcenin e lodronin hareshëm sa më kënaqën. Thashë me vete “Gojëmshelni (ujku) paska qenë fjetur se quditërisht i paskësh ardhur fati te dera si zogu hutit në zgërbonjë. Por e kishim të bekuar dhe nuk na doli dore. Dhija ku e nisi dhe e bëri e gruaja e nis këtu e e lind në Stamboll.

Plaku nuk mendonte se bashkëshortëve nuk u është dhënë mundësia që ta përcaktojnë gjininë e fëmiut dhe kjo duhet ta bind njeriun se janë të barabartë si djali, si vajza (përpos në raste birësimi, në raste riti të shpalljes së vajzës djalë, apo të ndërrimit të gjinisë, ruana o Zot). Edhe fëmiu nuk e ka atë zgjedhje që ta pagëzojë vetveten, ta caktojë vendin, kohën, kombin, fenë e lindjes etj. Prindërit u vënë emra elitarë: Diell, Hënë, Yll, Kastriot, Teutë, Pashtrik, Drin etj, si paraprimje që të bëhen me zë. Që t’u ruhej nga të ligat, nënat u vënin emra të tjerë e i thërrisnin me emra të tjerë (Pjetër, por thirrej Ukë, Sylejman dhe thirrej herë Sylë e herë Man). Kishte madje raste kur të krishterët e pagëzonin fëmijën me emër të krishterë, ndërsa e thërrisnin me emër mysliman për ta ruajtur nga të ligat. Në moshë të pjekur njerëzit përdorin dhe emra të tjerë, epitete, pseudonime, ofiqe, por çdoherë kërkohet emri i pagëzimit pas lindjes. E vetmja mënyrë për t’u pagëzuar me një emër të ri është emri që jepet pas veprave të mëdha. Ku t’ia merrja shembull Llazar Gushon – Lazgushin – Poetin e liqenit, apo ndonjë tjetër, kur ai as që kishte dëgjuar për ta. Ka plot raste nga historia kur emri, pas suksesit, shkëputet nga njeriu dhe bëhet krenari, pushtet. Por ka dhe raste kur njerëzit nga modestia, edhe pas sukseseve të mëdha, e rrojnë jetën në anonimitet.

-E djeshmja, vazhdova unë, ka ndodhur dje, e sotmja po ndodh sot, ndërsa e ardhmja është paksa enigmatike, por besojmë dhe punojmë që të jetë më e mirë. Prapë po them, mixha im “Ta pyesim kohën” dhe, kur bëhemi moshatarë me të, do t’i kemi punët në akordim. E ardhmja nuk na merr për dore, por ne duhet kapur dorën e saj.
E dija se nuk mund ta ndryshoja bindjen e tij, mëse mund ta ndryshoja krenarinë e bjeshkës, por së paku e fusja në lojë që ta prek pak kohën e re e ai ikte prej saj sikur e vë dorën në flakë dhe e tërheq.

U habita dhe me vetveten sa shumë e zgjata bisedën, por tema ishte sa provokative aq edhe aktuale, për dikë-dikë madje edhe e ndjeshme.
Tash, pas 50-vjetësh, kur po kaloja nëpër fshatin e tij, m’u kujtua ai rast. Vërejta se ka ndryshuar shumëçka. Këto ndryshime i ka bërë shkolla, kurbeti masiv, infrastruktura, interneti, i ka bërë gjysmëshekulli aktiv i këtij vendi.

Ai plak nuk jeton më dhe nuk mund ta gjeja as hijen e tij në një imazh të perënduar .
Edhe vetë tradiata që ishte më e fuqishme në këto anë se ligjet në fuqi, më e fuqishme se besimi (feja), është lëkundur. Lindjet bëhen në maternitet (nuk e di a ka raste që ato të bëhën në shtëpi), dominojnë emrat me kuptim shqip. Edhe gjinia e fëmiut dhe numri i tyre kryesisht nuk paraqet problem. Kjo do të thotë se ia kemi dhënë dorën kohës së re.

Asociation “Loyola–Gymnasium” shpall konkurs për regjistrimin e nxënësve për vitin shkollor 2022- 2023

Më Shumë

Vdes në QKUK personi që u aksidentua javën e kaluar në Prizren

Ka vdekur në QKUK personi i cili u aksidentua gjashtë ditë më herët në Prizren. Policia ka bërë të ditur se viktima ishte duke u...

Dhurata Dora ‘zjarr’ në klipin e ri

Dhurata Dora ka kaluar tashmë të gjithë kufijtë dhe pritshmëritë me projektin e ri muzikor, raporton GazetaBlic. “Sheqer”, titullohet kënga e saj më e re. Teksti...

Lajmet e Fundit