Qarqet diplomatike mohojnë kategorikisht, ndërkohë që politikanët serbë në Kosovë, nuk e përjashtojnë mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë, shkruajnë sot mediat serbe.
Sipas gazetës serbe “Danas”, është vështirë të thuhet se deklarata e djeshme e kryetares së KQZ të Kosovës, Valdete Dakës se “deri më tash nuk është biseduar rreth dizajnit të fletëvotimeve për zgjedhjet e pritshme lokale” do të vendos pikë në agoninë mediale, të cilën në këtë çështje ka ditë që ajo vet dhe disa zyrtarë serbë po e forcojnë.
Sipas planit operativ, afati për hapjen e tenderit për prodhimin e fletëvotimeve skadon më 24 gusht, ndërsa dizajni i tyre do të duhej të miratohej deri më 25 shtator.
Ndërsa, Daka, sipas “Danas”, thotë se në pajtim me marrëveshjen e Brukselit, zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, në tërë territorin e Kosovës, do të zhvillohen sipas ligjeve të shtetit të Kosovës, ndërkohë që Beogradi zyrtar insiston në statusin neutral të fletëvotimeve dhe të OSBE-së. Gazeta serbe shkruan se në selinë e BE-së nuk ia doli që të marrë qëndrimin zyrtar të Brukselit rreth këtij kontesti dhe përgjigjen se a ekziston së paku mundësia teorike për shtyrjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë për muajin prill 2014, datë kjo e paralajmëruar më herët nga disa qarqe ndërkombëtare, transmeton Koha.
Burime mirë të informuara nga Brukseli, sipas gazetës serbe, konsiderojnë se nuk ka shans që zgjedhjet lokale të shtyhen, sepse me kërkesë të Beogradit tashmë janë shtyrë një herë nga 9 tetori në 3 nëntor. Burime të njëjta thonë se nuk do të tolerohet as arsyetimi eventual i palës serbe, nëse votimet nuk mbahen në tërë veriun e Kosovës.
Gazeta “Danas’ thotë se jozyrtarisht i është thënë se materialet zgjedhore kanë qenë temë e bisedimeve në Bruksel qysh para se kryetarja e Kosovës, Atifete Jahjaga, të kumtojë se zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 3 nëntor , ndërsa çështja e fletëvotimeve do të duhej të sqarohej brenda 10 ditëve pasuese.