11.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Mustafa: LDK-ja po rikthehet për ta qeverisur Kosovën

samadraxh ldkKryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës , Isa Mustafa, u kërkoi të dielën banorëve të fshatit Samadrexhë të Therandës (Suharekës) ta mbështesin LDK-në dhe kandidatin e saj për kryetar komune, sepse, në këtë mënyrë, i hapet perspektiva zhvillimore komunës.

Ai tha se ishte i bindur se kandidati i LDK-së për kryetar komune, Sali Asllanaj, do t’i fitojë bindshëm zgjedhjet e 3 nëntorit dhe Therandës do t’i kthehet qeverisja demokratike, transparente dhe e përgjegjshme.

“LDK-ja do të fitojë Therandën dhe shumicën e komunave, jo pse kam dëshirë ta them këtë, por po duket se përkrahja që kemi gjithandej Kosovës është përkrahje që flet për rikthimin e LDK-së. Ne po kthehemi, i pëlqeu apo jo dikujt. Ne do ta marrim qeverisjen e Kosovës, sepse demokracia është vullnet i shumicës”, tha kryetari Mustafa.

Sipas tij, LDK-ja nuk dëshiron që as Asllanaj, e as kandidatët për këshilltarë komunalë t’u premtojnë gjëra që nuk bëhen.

“Jam i bindur se ata po premtojnë ato që do të mund t’i realizojnë, sepse ne vitin tjetër do ta kemi përgjëgjësinë për qeverisjen e Kosovës”, tha kryetari Mustafa, duke shtuar se qeverisja e LDK-së nuk do të jetë diskriminuese, por do të shtrihet në tërë territorin e Kosovës dhe do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve të saj.

Duke folur për programin e LDK për qeverisjen e Therandës, kryetari Mustafa theksoi se në këtë pjesë duhet kujdes i posaçëm, pasi bëhet fjalë për njerëz që janë të njohur për virtytin e punës dhe përgjëgjësisë që kanë.

“Është pjesë e njerëzve që jetojnë prej djersës së tyre dhe nuk meritojnë t’i qeverisë dikush që nuk jeton prej punës dhe nuk njihet për qëndrim të mirë, as ndaj punës, as ndaj pronës dhe as ndaj qeverisjes”, tha kryetari Mustafa, sipas të cilit, kjo pjesë e Kosovës, por edhe tërë Kosova, meriton të qeveriset nga programi dhe njerëzit e LDK-së. Sali Asllanaj, kandidat për kryetar të Therandës, premtoi se programi i tij qeverisës për katër vjetët e ardhshëm ka paraparë investime edhe në fshatin Samadrexhë, duke theksuar se prioritet do t’i japë urbanizimit të fshatit dhe futjes së tij në funksion të zhvillimit ekonomik.

“Programi ka paraparë financimin në shëndetësi, mjekë të rregullt dhe 24 orë shërbim shëndetësor. Programi i zhvillimit ekonomik parasheh mundësi të mëdha dhe lehtësi bizneseve, investime në zonën industriale në Shirokë dhe Mirash, e cila do të krijojë kushte për punësimin në komunën e Therandës”, tha Asllanaj.

Ai premtoi se subvencionimi në bujqësi do të jetë për 20 për qind më i lartë se aktualisht, ndërkaq theksoi se përparësi do t’u jepet serave dhe vreshtave.

Po ashtu, Sali Asllanaj pohoi se ishte i bindur për mbështetjen që Samadrexha dhe fshatrat e tjera do t’i japin programit të LDK-së, duke thekusuar se do ta kthejnë traditën e qeverisjes së përgjegjshme, transparente dhe që u përgjigjet nevojave të qytetarëve. Ai u bëri thirrje qytetarëve të kësaj ane të mobilizohen për rikthimin e LDK-së sivjet në pushtetin lokal të Therandës, kurse vitin tjetër në drejtimin e qeverisë së Kosovës.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dhe kandidati për kryetar të Komunës së Therandës, Sali Asllanaj, kërkuar mbështetjen edhe për kandidatët për këshilltarë të Kuvendit Komunal, duke theksuar se ata përfaqësojnë interesat e zgjedhësve dhe krejt qyetetarëve të komunës.

Më Shumë

Alarmojnë shkencëtarët: Moti në Evropë më i paqëndrueshmi, pritet krizë klimatike

Shkencëtarët për ndryshime klimatike kanë paralajmëruar se një krizë klimatike pritet të përfshijë Evropën në vazhdim. Ata thonë se temperaturat po rriten në mënyrë drastike,...

Kurti: Një ditë pas votimit në favor të Kosovës në KiE, Serbia hakmerret kundër civilëve

Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur hakmarrje të Serbisë ndaj votimit në favor të anëtarësimit të Kosovës në KiE, ndalimin e mbi 300 qytetarëve...

Lajmet e Fundit