Mustafi do të largohet nga Arsenali, e konfirmon babai i tij Kujtim Mustafi
Shkodran Mustafi do të largohet nga Arsenali deri në verë pasi tashmë është ndër zgjedhjet e fundit në mbrojtën e topçinjve, ka konfirmuar menaxheri i tij, Kujtim Mustafi.
Ish-përfaqësuesi i Gjermanisë dhe fituesi i Kupës së Botës ishte titullar i rregullt gjatë kohës kur Arsenali udhëhiqej nga Arsene Wenger dhe pastaj nga Unai Emery, por e ka humbur vendin që prej ardhjes së Mikel Artetës.
Kjo ka bërë që mundësitë e mbrojtësit shqiptar të kufizohen dukshëm dhe babai i tij ka konfirmuar se Mustafi nuk do të qëndrojë në Arsenal përtej këtij sezoni.
Ai madje e ka lënë të hapur derën e largimit të tij qysh tani në janar.
“Fakti është se Shkodrani do të largohet nga klubi në verë më së largu”, konfirmoi Kujtim Mustafi për Transfermarkt.
“Kam lexuar sugjerime se Shkodrani duhet ta ndërpresë kontratën me Arsenalin. Për ta qartësuar: nuk ka pasur bisedime me klubin për ndërprerjen e kontratës”, shtoi ai.