Spitali i Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren mbajti një Akademi Përkujtimore për të nderuar jetën dhe veprën e Dr. Tyrhan Kosova, internist-endokrinolog i njohur dhe i dashur.
Akademia përkujtimore u organizua nën kujdesin e drejtoreshës ekzekutive, Dr. Narqize Arënliu Hoxhaj, e cila në fjalimin e saj theksoi vlerën dhe përkushtimin e Dr. Kosova.
“Jemi këtu për të nderuar Dr. Tyrhan Kosova, i cili papritmas u nda nga jeta më 2 Shtator 2024. Kam pasur nderin të punoj me Dr. Tyrhanin kur ai ishte drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe unë isha drejtoreshë e QMKF-së. Ai ishte një njeri dhe mjek i përkushtuar, modest, kolegial dhe me përgatitje të lartë profesionale. Dr. Tyrhan Kosova nuk u ndal kurrë në ofrimin e shërbimeve shëndetësore për të shpëtuar dhe përmirësuar jetën e pacientëve. Ndarja e tij e papritur është një humbje e madhe për të gjithë ne, sidomos për pacientët që kanë përfituar nga shërbimet e tij,” – tha Dr. Arënliu Hoxhaj.
Në emër të repartit të Internos, Dr. Shemsedin Shaballori, shef i repartit, foli për vlerat dhe profesionalizmin e Dr. Kosova.
“Të krijosh një mjek është e barabartë me krijimin e një gjenerali; megjithatë, dallimi është se gjenerali përgatitet për luftë dhe ndoshta nuk e përdor atë që ka mësuar. Mjeku gjithashtu përgatitet gjatë gjithë jetës, por lufton me vdekjen dhe përpiqet të ndihmojë pacientët. Humbja e Dr. Tyrhanit është një humbje e madhe për ne dhe për pacientët që kanë qenë nën kujdesin e tij. Ai ishte një mjek i ndershëm, i përkushtuar dhe i respektuar, dhe kishte një gamë të gjerë interesash dhe talentesh që e bënin të veçantë,” – theksoi Dr. Shaballori.
Në emër të familjes, Dr. Jehona Kosova, e bija e Dr. Tyrhan Kosova, falënderoi të gjithë ata që morën pjesë në akademi.
“Të nderuar të gjithë ju të pranishëm, më lejoni të falënderoj nga zemra Spitalin e Prizrenit, Drejtoreshën, Drejtorinë, Repartin e Internos dhe të gjithë ju që jeni këtu për të nderuar dhe kujtuar veprën e babit tim. Babi im ishte më shumë sesa një mjek; ai ishte një njeri i përkushtuar për familjen, pacientët dhe një humanist i vërtetë. Përkushtimi dhe empatia e tij kanë lënë një trashëgimi të pasur që do të jetojë përherë. Si mjeke e sapo diplomuar, ndiej përgjegjësi të veçantë për të çuar përpara vlerat që babai im i ka mbjellur në mua dhe do të përpiqem të jem e denjë për këtë trashëgimi. Faleminderit të gjithëve për mbështetje dhe për të ndarë këtë moment të rëndësishëm me ne,” – tha Dr. Jehona Kosova.
Dr. Tyrhan Kosova ndërroi jetë më 2 Shtator 2024 në moshën 62 vjeçare. Akademia përkujtimore ofroi një mundësi për të nderuar kontributin e tij të jashtëzakonshëm dhe për të reflektuar mbi ndikimin e tij të thellë në jetën e pacientëve dhe komunitetit.