Kosova e ka të garantuar furnizimin me energji elektrike edhe për 1 mijë e 200 vite, nëse vazhdohet me këtë intensitet të prodhimit të energjisë elektrike nga djegia e qymyrit. Rezervat shtetërore të linjitit/qymyrit janë rreth 12 miliardë e 442 milionë tonë, të shtrira në tri basenet qymyrmbajtëse.
Nëse kjo shifër pjesëtohet me 10 milionë tonë linjit sa digjen aktualisht brenda një viti nga KEK-u për prodhim të energjisë, del që rezervat tona do të zgjasin edhe për 1 mijë e 200 vite, shkruan Koha Ditore.
Përveç linjitit, toka e Kosovës është e pasur edhe me shumë minerale të tjera. Nëntoka e Kosovës është ndër më të pasurat në Evropë me minerale, porse nuk ka një studim që do të tregonte për nivelin e pranisë së mineraleve.
Vetëm në Trepçë janë rreth 70 minerale, përveç plumbit, zinkut, arit e argjendtit. Në Strategjinë Minerale të Kosovës për vitin 2012-2020 ka të dhëna për disa nga mineralet si: ari, argjendi, plumbi, zinku, kromi, magneziti, nikeli, miringelëz. Urani e minerale të tjera ndërtimore si dhe linjiti, të cilat janë në nëntokën e Kosovës.
Madje, në mungesë të studimeve konkrete në strategjinë minerare të Kosovës, thuhet se në pjesën e Dukagjinit ka mundësi të ketë edhe pasuri të naftës dhe gazit, porse nuk ka asnjë të dhënë. Me gjithë këtë pasuri nëntokësore, qytetarët e Kosovës janë populli më i varfër në Evropë./Koha Ditore/