9.8 C
Prizren
E shtunë, 4 Maj, 2024

Nexhat Çoçaj e Shaip Buduri në gjykatë për punësime pa konkurs

Shtyhet seanca e gjykimit të Nexhat Çoçajt e Shaip Burdurit të akuzuar për punësime pa konkurs në gjimnazin e Prizrenit.

Të premten në Gjykatën Themelore të Prizrenit, ishte planifikuar të mbahej seanca gjyqësore ndaj Shaip Budurit, drejtor në gjimnazin “Gjon Buzuku” në Prizren dhe Nexhat Çoçajt, drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prizren.

Të dy akuzohen për kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar, për shkak se i mundësuan mikut të drejtorit të gjimnazit lidhje të kontratës së punës pa shpallur konkurs për vendin e punës.

Seanca e së premtes nuk u mbajt për shkak se mungoi i akuzuari Nexhat Çoçaj dhe mbrojtësi i tij avokati Rexhep Hasani. Ky i fundit me shkrim e kishte njoftuar gjykatën për mosprezencën e tij, ngase kishte termin në ambasadën norvegjeze.

Mbrojtësi i të akuzuarit Shaip Buduri, avokati Esat Gutaj, njoftoi për këtë shtyrje të seancës.

“Sot seanca u shty për shkak të mungesës së të akuzuarit Nexhat Çoçaj dhe mbrojtësit të tij, për një arsyetim se gjoja ka me shku avokati i tij në ambasadën e Norvegjisë për aplikim për vizë, ma tutje nuk kam informata,” tha Gutaj.

Ai shfaqi shqetësimin për faktin që klienti i tij akuzohet për një vepër që nuk e ka bërë dhe nuk ka pasur kompetencë ta bëjë.

“Bazuar në akuzën të cilën e kemi dhe provat të cilat e mbështesin akuzën, i mbrojturi im nuk ka fare të bëjë absolutisht me këtë vepër, sepse në kohën kur është pranuar një person, një mik, një profesor në shkollë, nuk është pranuar me vendim të drejtorit të gjimnazit, sepse DKA-ja bën pranimin dhe të gjitha procedurat për pranimin e profesorëve, prandaj unë si mbrojtës dhe vetë i akuzuari kemi habinë tonë se pse ky akuzohet,” tha avokati Gutaj.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Shaip Buduri derisa kryente detyrën zyrtare si drejtor i Gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare.

“Me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe privilegjeve lidhur me punësimin e profesorit B.K. (vëlla i bashkëshortes) së të pandehurit, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin e Arsimit të Kosovës, i ka mundësuar që pranë gjimnazit “Gjon Buzuku” nga fillimi i vitit shkollor 2013/2014 deri më datë 04.02.2014 t’i mbajë orët e gjuhës dhe letërsisë shqipe,” thuhet në aktakuzën e prokurorisë.

Ndërsa i pandehuri Nexhat Çoçaj, sipas aktakuzës, derisa kryente detyrën zyrtare si drejtor ne Drejtorinë e Arsimit në komunën e Prizrenit, po ashtu ka keqpërdorur detyrën zyrtare.

“Me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për personin tjetër, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke e nënshkruar kontratën për punësim, nga data 04.02.2014 në vendin e punës profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe personin B.K. nga Prizreni, pa shpallur konkurs për vendin e punës duke shkelur seriozisht të drejtat e personit tjetër,” thuhet në dispozitivin e aktakuzës së prokurorisë.

Çoçaj, është duke u gjykuar edhe për dy raste tjera të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar në këtë gjykatë, për të cilat KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar. /Kallxo.com

Më Shumë

Lajmet e Fundit