Kjo legjislaturë e tanishme e institucioneve të shtetit të Kosovës, Kuvendi dhe Qeveria, do ta kalojnë edhe këtë mandat të radhës, i treti pas shpalljes së Kosovës shtet i pavarur, por pa e pasur guximin dhe kurajën që ta nxjerrim dhe miratojnë në Kuvendi Ligjin e lustracionit, për hapjen e dosjeve dhe identifikimin e spiunëve të UDB-së, që akoma janë aktivë gjithandej nëpër institucionet e shtetit, në të gjitha nivelet, madje edhe në medie, në portale e TV që i mbajnë nën kontroll dhe bëjnë politikë që shkojnë jo rrallëherë edhe në dëm të pariparueshëm të interesit të vendit.
Deputeti i LDKsë, Adem Salihaj, thotë se është i madh numri i njerëzve brenda politikës aktuale në Kosovë, që i frikësohet bërjes së këtij ligji, prandaj edhe nuk është e pritshme që procedura e nxjerrjes së tij dhe sjelljes në Kuvend të ndodhë në një periudhë të afërt kohore. Madje, ai beson që në një formë ka edhe dakordancë në mes të një pjese të konsiderueshme të lidershipit politik kosovar dhe atij serb, që hapja e dosjeve të mos ndodhë tash dhe një kohë të gjatë.
“Hapjes së dosjeve të UDB-së i frikësohen shumë njerëz që kanë pasur lidhje me regjimin serb dhe jugosllav, që i kanë shërbyer atij gjatë, në dëm të luftës sonë për liri e pavarësi, në dëm të çështjes sonë kombëtare. Me hapjen e dosjeve të UDB-së do të mund të zbulohej se në piramidat e shtetit të Kosovës, jo vetëm në të kaluarën, por edhe sot mund të jenë bashkëpunëtorët e Serbisë. E ata nuk punojnë për interesat e Kosovës, por punojnë për rikthimin hap pas hapi të Serbisë në Kosovë. Në fund të fundit, as vetë Serbia nuk është e interesuar që të zbulohen njerëzit e saj, sepse përmes tyre ajo po arrin që të rikthehet sërish në Kosovë, duke u bërë faktor dhe duke ndërhyrë drejtpërdrejt në sistemin politik të Kosovës”, theksoi Salihaj për “Kosova Sot”.
Kelmendi: Ish-agjentët e UDB-së hedhin mjegull në opinion
Me një vlerësim të ngjashëm e sheh zvarritjen e kësaj teme edhe analisti i politikave të sigurisë, prof. dr. Jeton Kelmendi. “Çështja e hapjes së dosjeve është një nga problemet serioze, me të cilat duhet të merren institucionet shtetërore të Kosovës, por kjo gjë nuk ka ndodhur deri më tani, dhe madje jam skeptik se do të ndodhë edhe për një kohë të caktuar. Mendoj se problemi qëndron në faktin se shumë nga njerëzit me shumë ndikim në vend janë persona me biografinë e dyshimtë dhe këta persona akoma po e pengojnë një gjë të tillë. Pra, janë pikërisht ish-agjentët e UDB-së, që hedhin ide dhe mjegull në opinion për ta penguar edhe procesin e hapjes së dosjeve”, thotë analisti Jeton Kelmendi. Ai madje shpreh dyshimin që një rrjet i tërë i njerëzve aktivë në institucione akoma mund të jenë pjesë aktive e bartjes së informatave të caktuara, në dëm të shtetit për shërbimet e inteligjencës serbe.
Hertica: Njerëz me të kaluar të dyshimtë nëpër institucione
Sipas magjistrit të shkencave politike, Ali Hertica, derisa tema e dosjeve mbetet tabu dhe nuk bëhet Ligji për pastërtinë e figurës, edhe në zgjedhjet e radhës nëpër institucionet e shtetit do të mund të vazhdojnë të mbeten njerëz me të kaluar të dyshimtë, pse jo edhe shërbëtorë aktivë të shërbimeve të huaja, edhe spiunë të drejtpërdrejtë të UDB-së serbe. “Unë mendoj gjithashtu se miratimi i Ligjit për kontrollin e figurës së personit zyrtar të zgjedhur apo të emëruar në organe të rëndësishme të shtetit vetëm sa garanton transparencën e plotë të dosjeve, por edhe garanton profesionalizmin dhe pavarësinë e autoritetit të posaçëm për kontrollin e pastërtisë të figurës së personave zyrtarë dhe heq mundësinë e manipulimit të mëtejshëm me dosjet e ishpolicisë sekrete të dhe njerëzve të saj të diktaturës.
Gjithsesi konsideroj që hapja e dosjeve nuk e cenon të drejtën e individit, sepse në këtë rast, hapja e tyre bëhet për arsye madhore, atëherë kur duhet të dihet se a ka faje të rënda apo krime të një personi ndaj një tjetri. Pra, hapja e dosjeve duhet parë si një proces i pastrimit të shoqërisë dhe individit, që në këtë rast duhet të vihet në funksion të kësaj kërkese të lartë. Ajo që vlen të dihet është që ky proces të mos të ketë pasoja të rënda për këta individë apo të afërmit e tyre, por t’u pamundësohet atyre drejtpërdrejt angazhimi i mëtejshëm në funksione të larta publike, që mund të jenë me ndikim negativ në funksion të ruajtjes së sekretit të shtetit”, theksoi Ali Hertica. Sado i nevojshëm ky proces, ai thotë se çështja e hapjes së dosjeve të ish-spiunëve të UDB-së nuk pret të bëhet çështje e debatit, madje as për ta vendosur në rendin e ditës, për ta miratuar Ligjin e lustracionit, sepse tani dyshohet me plot të drejtë që edhe një pjesë e vetë kuvendarëve aktualë janë ose kanë qenë bashkëpunëtorë “eminentë” të UDBsë, madje në kohën kur edhe janë bërë ndryshimet kushtetuese- amendamentet për ta shthur ish-Krahinën Autonome të Kosovës dhe rikthimin e saj të egër nën ombrellën e hekurt të shtetit serb/kosova sot/