4.8 C
Prizren
E hënë, 22 Prill, 2024

Normat e interesit në kredi pritet të rriten sërish

Norma mesatare e interesit në kredi në bankat komerciale të Kosovës është 6.5 për qind, por ajo mund të rritet dhe, për më tepër, mund të reflektohet edhe në kreditë aktive.

Kjo, pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkoi më 28 prill nga Banka Qendrore Evropiane (BQE) që të vazhdojë t’i rrisë normat e interesit deri në mes të vitit 2024, në përpjekje për të kontrolluar inflacionin në vendet e Bashkimit Evropian.

Sipas ekspertëve të ekonomisë, rritja eventuale nga BQE-ja do të reflektohet domosdo edhe në sistemin bankar të Kosovës, pasi shumica e institucioneve financiare në vend funksionojnë me kapital të huaj dhe kanë kontrata të lidhura me bankat evropiane.

Kryeshefi ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, thotë se normat e interesit në kredi do të jenë të parat që do të ndikohen.

“Mund t’i prekë vetëm kreditë që janë me norma variabile [të ndryshme] të interesit dhe kreditë e reja, ndërsa te kreditë me norma fikse nuk ndryshojnë kushtet”, thotë ai.

Se sa mund të rriten normat e interesit në kredi, Balija nuk jep ndonjë përgjigje.

Inflacioni është rritur gjetiu në botë – fillimisht për shkak të çrregullimeve në tregje që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit, e pastaj për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

Për ta kontrolluar inflacionin, Banka Qendrore Evropiane ka rritur në mënyrë agresive normat e interesit, duke i çuar ato nga zero sa kanë qenë në mesin e vitit 2022, në 3.5 për qind në mars të këtij viti.

Për pasojë, normat e interesit janë rritur edhe në Kosovë. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ato janë rritur nga 5.8 për qind sa kanë qenë në shkurt të vitit të kaluar, në 6.5 për qind në periudhën e njëjtë të këtij viti.

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi, thotë se rritja eventuale e normave të interesit nga BQE-ja, do t’i rrisë automatikisht normat e interesit të kredive të reja në Kosovë, por, shton ai, ajo mund t’i prekë edhe kreditë aktive.

Sipas tij, qytetarët apo bizneset që kanë aktualisht kredi, duhet të shikojnë në kontrata nëse ato i kanë me normë fikse apo me normë variabile – që është e ndërlidhur me lëvizjet e Euriborit.

Euribori është normë mesatare e interesit, në bazë të së cilës bankat evropiane marrin fonde hua nga njëra-tjetra. Kur BQE-ja rrit normën e interesit në kredi, rritet edhe Euribori.

“Sipas ligjeve në fuqi, jo vetëm në Kosovë, por edhe në shtetet e Bashkimit Evropian, nëse në kontratën e huazimit është paraparë norma mesatare e Euriborit, çdo tre muaj duhet të bëhet rivlerësimi… dhe në këtë rast, edhe kredi-marrësit duhet ta paguajnë kredinë e mbetur me normë më të lartë të interesit [nëse ajo rritet]”, thotë Bektashi.

Euribori është rritur me shpejtësi muajve të kaluar, duke arritur në 3.8 për qind më 27 prill, nga 0.4% sa ka qenë në muajin mars të vitit të kaluar.

Në Kosovë operojnë 12 banka komerciale – nëntë prej të cilave janë në pronësi të huaj.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Bankën Qendrore të Kosovës dhe disa banka komerciale se cilat kategori të kredive do të mund të preken nga rritja eventuale e normës së interesit nga BQE-ja. Asnjë prej tyre, përfshirë Bankën ProCredit, Bankën Raiffeisen, Bankën TEB, Bankën Kombëtare Tregtare, nuk janë përgjigjur.

Megjithatë, REL-i ka parë një kontratë, në bazë të së cilës kredi-marrësi është pajtuar që pas një periudhe të specifikuar kohore, t’i rinovohet norma e interesit, duke marrë për bazë indeksin e Euriborit.

Në këtë kontratë thuhet se “për çdo ndryshim të normës së interesit, banka obligohet që ta ftojë kredi-marrësin që ta nënshkruajë planin e ri të pagesës. Nëse pas ftesës kredi-marrësi nuk paraqitet, konsiderohet se klienti është njoftuar me planin e ri të pagesës”.

Vlera e kredive në 12 bankat komerciale të Kosovës ka arritur në 4.3 miliardë euro, duke shënuar një rritje vjetore prej 15.1 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.

Në bazë të ligjeve dhe rregulloreve në fuqi, bankat komerciale në Kosovë i përcaktojnë individualisht normat e interesit, bazuar në politikat e tyre afariste, dhe BQK-ja nuk mund të ndërhyjë te to.

Përveç bankave komerciale, në Kosovë funksionojnë edhe 30 institucione mikrofinanciare, të cilat po ashtu ofrojnë kredi për qytetarët. Ndonëse me më pak kritere, normat e tyre të interesit janë më të larta – afro 20%./

Më Shumë

Lajmet e Fundit