14.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Nuk shkëlqyem të gjithë

Nga Hajdar Mallaku

(tregim)
Sado që ne punëtorët e arsimit na quajtën heronj, për sakrificën që bëmë për edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj, dhe, sado që numri i atyre që i bishtëruan kësaj pune ishte i vogël, duhet të themi me sinqeritet: nuk shkëlqyem të gjithë. Kishte të atllë që nuk ishin as për arsim, as për luftë, as për atdhe. Kjo të dhemb. Kishte të tillë që “me dhi e me thi” ishin në anën e armikut dhe mburreshin para një armate të tërë që mundohej ta mbajë gjallë arsimin. A na u dashtë një ndërkamës e tillë? A i ndali proceset e orientimit tonë si njëra prej shtyllave të Pavarësisë kjo? Përgjigja erdhi nga koha.

Ku ndodhen ata njerëz sot dhe çfarë bëjnë? – është pyetja e radhës. Disa vdiqën të përbuzur, disa u zvarritën të zgjebosur, pa ua varur askush; disa ikën në megrim, disa u tërhoqën nga jeta aktive dhe u morën me punë fitimi. E disa rrëshqitën lehtas dhe lezetshëm në patriotizëm si fole e fundit e horrave. Kur po them “disa”po mendoj dhe në lëmenj të tjerë. Kur nuk mundën të bëjnë keq, filluan të bëjnë mirë. Vdiqën njëherë, por nuk ishin varrosur dhe lindën me një lëkurë tjetër. Vraji, o Zot, kameleonët që jetojnë mbi tokë dhe nuk i sheh askush! Po i hanë dy kohë, kur njeriu i ndershëm s’po e ha as kafshatën e gojës për të jetuar. Dhe unë nuk e kam vendosur mbi kokë spektrin e Orakullit që vetëm unë kam të drejtë. Flisni dhe ju!

Një gjë të tillë e pamë unë dhe im vëlla gjatë shkollimit dhe gjatë punës, para dhe pas lufte.

Ne jemi tre vëllezër. Të madhit i ra mbi shpatulla barra e familjes. Babai qe plakur dhe mund ta bënte vetëm ndonjë punë të lehtë. Për ne qe mjaftë ajo që na lejuan të vazhdojmë shkollimin dhe na finansuan aq sa mundën. Ne qemë të detyruar t’i ndihmojmë vetvetes. Punonim gjatë verës punëtorë krahu: mbushnim kamionë me zhavor, mihnim e mbushnim (prashitnim) misër, vilnim rrush e punë të tjera sipas kohës. Ishin këto punë të rënda për moshën tonë të njomë, po rrugë tjetër nuk kishte dhe kështu ishte mirë. Unë Bekë Leti isha në vitin e dytë të fakultetit, ndërsa vëllai, Asami, në vitin e katër të gjimnazit. Bënim jetë të zorshme, por së paku ishim rehat, deri në momentin kur gjërat u përmbysën. Vëllain e madh e preu reumatizma. Punonte përtej Drinit të Bardhe dhe natë e mesnatë e kalonte atë edhe në kulmin e acarit më të madh të janarit. Të ardhurave nga ajo pak pasuri nga bujqësia dhe blegtoria duhej t’i shtohej diçka, si dilej ndryshe.

Unë ankohesha nga sytë, më ish paraqitur një katarakt dhe duhej shmangur atë. Isha shtruar në spitalin e Prishtinës për operacion. Pas tri ditësh erdhi vëllai për vizitë. Mua ma kishin operuar njërin sy dhe e kisha të mobilizuar. U gëzova. E përqafova nga ana e lirë dhe pa ia hequr duartë nga shpatullat e pyeta për prindërit e së fundi dhe për vëllanë, Asamin. Më tha se nuk kishte ardhur në vikendin e kaluar dhe nuk e dinte shkakun. Fjalët e fundit i tha si me drojë dhe deshi t’i ikën kësaj bisede.

Edhe unë u ndjeva i hutuar. E dija se ende nuk kishte ardhur koha për angazhime shtesë: si ishte përgatitja e diplomës. Nuk kishte as problem për nota se ishte i nivelit të lartë. Kjo i ra në sy vëllait sepse tiparët e fytyrës kanë gjuhën e vet, gjuhë që flet me afrinë e gjakut. Shikoi poshtë, pastaj anash. Ma ktheu shpinën, sigurisht për të gjetur zgjidhjen më të mirë dhe u kthye befas dhe më tha:

-Bekë, Asami është në burg. Po e shoh të arsyeshme që më mirë të të tregoj unë për këtë se sa të dëgjosh nga dikush tjetër që mund t’i rrisë gjërat. Ti je i rritur. Vëlla e ke si dhe unë. Mos u mërzit. Ai është në mesin e shumë shokëve. Rinia jonë pas tetëdhetë e njëshës po kalitet për ndërrime të mëdha.
Në njërën anë më bëri krenar më këto fjalë, por unë s’u përmbajta dot. Shpërtheva në vaj pa e ditur se për çka ishte burgosur. Isha fort i lidhur me të. Syri i operuar filloi të më digjte.

-Vërtet po e dashke si sytë e ballit. Po nuk qenke i fortë. Ti po e dëmton syrin e operuar. Po ta dija, s’do të të tregoja fare.
-Më fal bac!- i thashë. A e ke vizituar?
-Po e kam vizituar, por më lejuan vetëm dhjetë minuta sa t’ia jepja disa ndërresa dhe ta pyesja për shëndetin dhe për trajtimin që ia bënin. E kishin dënuar 20 ditë arrest dhe përjashtim nga shkolla, pa të drejtë shkollimi si nxënës i rregullt. Më tepër më informoi kujdestari i klasës, Nandi Shestani. Unë për të kisha një bindje tjetër. Thoja se ky ka ruajtur një kokërr trimërie dhe pak burrëri prej malësori, prej andej kah kishin ardhur të parët e tij, por jo. Vëllai ynë ende është nën moshën e pjekurisë dhe do të duhej ta mbronte si i papjekur. Ky në vend të saj e kish paditur dhe më tepër. Aspak burrë!

– Vëlla, shkolla të jep dituri, por atdhedashuria arrihet me vetëdijësimin familjar dhe shoqëror. Për të duhet të jeshë i vetëdishëm dhe vullnetmirë.
-Bekë, po ta them dhe shkakun e arrestimit:
“Asami e kishte një shoqe me të cilën ulej në bankë. Besa e quanin. Ajo ia kishte kërkuar fletorën e shënimeve të biologjisë që të mësonte. Asami ka kaligrafi të hatashme, ti e di, i mban shënimet me pedantëri. Në njërën prej faqeve të fletorës kish shënuar një strofë të një poezie që çarkullonte fshehtaz në klasë. Disa vargje, nëse i kam mbajtur në mend mirë, ishin këto:
Le ta dinë burrat e botës
Çfarë tradhëtie iu bë Kosovës
Nga pabesia e Diler Hoxhës…

Këto vargje i kish lexuar babai i saj, polic, që e kish gjetur fletorën hapur mbi tryezë. Ai, pa dijen e së bijës, e kish quar fletorën në organët e sigurimit, ku ishin marrë shënimet, ish fotografuar fletorja dhe prapë fletorën e kish kthyer në vendin e mëpardhëm dhe e kish lënë në atë faqe dhe në atë pozitë. E bija asqë e kish kuptuar këtë, kishte shkuar në shkollë si rëndom. Sa kish pas filluar mësimi, policia kish ardhur në shkollë, e kishin thirrë Asamin në drejtori dhe prej andej e kishin dërguar në gjykatë dhe në burg. Askush nga klasa nuk po e dinte kah u tret shoku i tyre. Vetëm kur e kishin pyetur profesorin kujdestar të ditës e kishin marrë vesh se e kishin arrestuar, por për se, nuk dihej. Kjo u bë e kjartë vetëm kur profesori kujdestar, si vullnetmirë i pushtetit, u kish treguar fill e për pe dhe kish kërkuar që e tërë klasa ta gjykonte këtë veprim. Askush nga klasa nuk e kish thënë asnjë fjalë. Të gjithë kishin heshtur dhe për habi kishin shikuar me bisht të syrit kah Besa. Të gjithë e kishin çmuar si shoqen më të mirë, po ja se ç’na doli. “Bijë polici më!-kish përshpëritur dikush. Mos pritej më mirë diçka prej saj!”

Besa ish tulatur në bankë. Nuk po ia dinte fillin as fundin këtij marifeti. Ku fshihej djalli? Qante me denesje sa dhe gjoksi po i delte nga vendi. Qante dhe s’e dinte pse qante. Ishte fajtore dhe s’e dinte se pse ishte fajtore. E kishin pagëzuar me këtë emër “fajtore” dhe nuk ishte më Besa. Kur shkoi në shtëpi, e ëma e qetësoi dhe i tregoi se për krejt këtë fajtor është babai, por ec e guxo t’ia thuash një fjalë. Në vend që ta ruante miqësinë e vajzës me shokun e bankës, që i kish bërë mirë, ta ruante respektin që kishte klasa për të, ta këshillonte që ta fshihte nga të tjerët këtë poezi se ishte e rrezikshme për pushtetin; ai me një të shtënë vrau dyfish, edhe Asamin, edhe të bijën, Besën. Kot mendoi “Edhe mishi të piqet, edhe helli të mos digjet”.

I tha këto bac Ragipi, u përshëndet me mua se duhej të udhëtonte për në Prizren, e prej andej për në Has. E dita nuk ishte një javë, sado që ishte fundi i majit.
Pas një jave unë e kisha operuar edhe syrin tjetër dhe u lëshova nga spitali. Te dera e shtëpisë e takova nënën. E përqafova fort. E pyeta për shëndetin e saj, të babës, të bacit. E ajo thuase me shikimin e saj depërtoi brënda thjerzave të mia.
-Je mirë, biro?
-Po, nënë. Mirë jam. Mos u bëj merak.
– Po sytë e ballit, mor bir…! Po, a di gjë për Asamin? Ragipi sikur po fsheh diçka.
-Nënë, ai është mirë dhe vjen javën tjetër. Mos u bëj merak. Po e përgatit temën e diplomës dhe po e kryen shkollën e mesme. Pastaj do të regjistrohet edhe ai në fakultet dhe ti do të jeshë krenare që i ke dy djem në fakultet. S’i ka askush në fshat.
Po e gënjeja nënën që ta ruaja si nënë.
-Të lumtë goja, mor bir. Po kur je nënë, herë gëzohesh e herë vajton si zanë.
Javën vijuese Asamin e kishin liruar nga burgu dhe erdhi. Erdhi vonë dhe na gjeti në sofër. Ne të tjerët u përmbajtëm, ndërsa nëna me kafshatë në gojë u step dhe shpërtheu në vaj. E pa të çethur në zero dhe i shkoi mendja se kështu vepronin me të burgosurit. I hapi krahët, e përqafoi duke e prekur andej e këndej, u largua një hap dhe e soditi këmbë e krye e pastaj tha: ”Unë e mjera po haja bukë shkujdesur e ti në burg!”
* * *
Asamit iu mundësua që të hynte në provime të klasës. Natën e bëri ditë dhe i dha të gjitha provimet me sukses. Nuk mori nota të larta si i kishte si nxënës i rregullt, pasi u bë me shenjë, po nuk e humbi vitin. Kjo ishte me rëndësi. Jo se dinte më pak, por shikohej si nxënës tashmë me biografi të keqe dhe politika po rrinte mbi kokat e profesorëve si shpata mbi kokën e Demokleut. E ndonjëri që ishte pa fije dinjiteti merrte dhe guxim si vullnetmirë deri në skajshmëri. Ishte nxënës i rrebeluar ndaj pushtetit dhe duhej mbajtur në shënjestër. Kjo u pa sidomos në lëndët histori, muzukë dhe gjuhë e letërsi shqipe. Unë isha prezent bashkë me dy-tre shokë të tij të klasës kur profesori Sami Bajra po e pyeste:
-Ke lexuar diçka nga letërsia shkollore?
-Po, profesor, shumëçka që është botuar në Republikën e Shqipërisë. Është letërsi e mirë ajo. Kjo në Kosovë ka pak vlera, të mos them fare.
-Si po mendon ashtu? Po e mohon tërë letërsinë e botuar në Kosovë?! Kujdes, po e rrezikon veten prapë.
-Nuk po e mohoj, por as nuk po e pohoj.
Mirë që e mbylli me kaq. E dinte që një notë e dobët e ndalte një vjet të tërë. E një vjet është i madh në jetë.
-Fol, pra për “Lumin e vdekur” të Jakov Xoxës se e kemi në program. Përgjigja e tij për këtë dhe pyetjet nga gramatika qe e shkëlqyer sa i befasoi anëtarët e komisionit. Pyetësi megjithatë e jepte vlerësimin përfundimtar dhe notën që vehej në proces. Ai nuk i dëgjoi sygjerimet e kolegëve dhe tha: “Ti fole për pesë. Po për rastin tënd nuk shkojmë në atë nivel” (e kish notuar me notë 3). U frikova mos po reagonte si temperament i vrullshëm që ishte, por e futi fletoren nën sqetull dhe doli i mllefosur bashkë me shokët e klasës. E mbrojti dhe temën e diplomës dhe eci në hap me shokët e klasës. Kish diplpmuar dhe Besa e cila i kish kërkuar të falur pse nuk kishte qenë më e kijdesshme, por ajo që ndodhi, ndodhi… Babai ia punoi pas shpine duke u munduar ta arratiste veprimin e tij thuase fletorja nuk kishte ardhur nga shtëpia e tij. E rrezikoi të ardhmën e Asamit. E rrezikoi solidaritetin e çiltër që e kishin nxënësit në mës tyre. “Mishin e poqi, por hellin e dogji”.
* * *
Si zëvendësdrejtor, po në atë gjimnaz ku e kishim kryer shkollën e mesme, po e kërkoja ditarin për t’ia dhënë duplikat dëftesën një nxënësi. Qëlloi të jetë ky në të njejtën klasë me vëllain tim, Asamin. Kur pashë emrin e tim vëllai më lindi kureshtja t’i shihja dhe notat e tij pas aq vjetësh. U befasova. Notat reale të dhëna atëherë nga profesorët ishin fshirë fare me tretës dhe mbi to ishin shënuar njëmbëdhjetë nota të dobëta dhe sjellja një. Në vërejtje ishte shënuar se ishte përjashtuar si nxënës i dobët dhe për propagandë kundër heroit Diler Hoxha, kundër PKJ-së dhe shtetit jugosllav. Koha e kish kulluar turpin e profesorit kujdestar, bërë për t’u hyrë në qejf organeve të UDB-ës. Notat e tij ishin zbehur dhe kishin dalë në pah notat reale dhënë nga profesorët e lëndëve. Sikur sot t’i binte në dorë kujdestarit të atëhershëm ky ditar, me siguri do ta bënte një palimpsest, do t’i fshinte prapë me tretës notat e veta dhe do t’i rishkruante notat reale të profesorëve. Kështu e kanë kameleonët.
Vëllai kishte nota të larta. Sa po e urreja naivitetin e tij, po aq po qeshja me gjestin e ulët.
* * *
Kisha qenë dhe unë nxënës i tij. Në vazhdim si profesor punova me të para dhe pas luftës. Më kujtohet para luftës së UÇK-së pat ndodhur një fatkeqësi në një minierë të Aleksincit në Serbi ku patën humbur jetën shumë minatorë. Në mbledhje të kolektivit qe shtruar tema e solidaritetit me familjet e të vdekurve. Natyrisht që askuj nuk i vinte mirë, se njerëz jemi dhe solidaritei nuk ndalej për këdo në botë. Po ky pelivani ynë u lajmërua i pari dhe tha: “Unë solidarizohem me familjet e tyre dhe nuk më dhimset asgjë. I marr në familjen time dy vajza dhe i mbaj deri sa ta kryejnë shkollën e mesme me harxhime të mia”. Edhe kjo në rregull sikur të mos e dinim se si vepronte më parë. A ishte ky që ankohej se kishte një apartament të ngushtë dhe e kërkonte një më të gjerë, apo dhe një të rinj? Tash kërkonte banesë solidaritei për “solidaritet”. Ishte ky grykës shumëdimensional që pas lufte si shumë hora të tjerë po futej nën omrellën e atdhetarizmit. Soji dhe sorollopi i tij ishin pak, po vlen të shënohen, se ne nuk hanim bar.
(Këtë ma tregoi Bekë Leti kur po pinim bashkë kafenë e mëngjesit)

Më Shumë

Ekspozita fotografike/ Transformimi i Hamamit të Gazi Mehmed Pashës në Prizren

Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Samir Hoxha, ka ftuar të gjithë që të vizitojnë Hamamin e Gazi Mehmed Pashës. “Ejani dhe...

Rifat Jashari kërkon që të gjithë shqiptarët të jenë të bashkuar

Në Gllogjan të Deçanit u mbajt manifestimi qendror i “Epopesë së Dukagjinit”. Sot më 24 mars u bënë 26 vjet nga rezistenca e UÇK-së me...

Lajmet e Fundit