3.7 C
Prizren
E martë, 24 Shkurt, 2026

OVLUÇK nuk ia përmend emrin Ibrahim Rugovës, e quan ‘njeri të Velanisë’

OVL-Xhavit JashariOrganizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar të enjten lidhur me dekorimin nga presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani të nëntëmbëdhjetë figura nga Kosova me motivacion si “persona me kontribute në luftën për çlirim dhe pavarësi të Kosovës, me rastin e 7-vjetorit të pavarësisë.OVLUÇK, pa u ndalur në emra të përveçëm të të dekoruarve, i kujtoi presidentit Nishani, se vija politike paqësore, konkretisht bartësi i saj, Njeriu i Velanisë, asnjëherë për të gjallë të tij, në asnjë fazë të luftës për liri as pas saj, nuk e ka njohur as nuk e ka pranuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Lexoni më poshtë reagimin e OVLUÇK-së.

Më 16 shkurt 2015, në një ceremoni zyrtare të organizuar në “Pallatin e Brigadave” në Tiranë, me rastin e 7 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, dekoroi nëntëmbëdhjetë figura nga Kosova me motivacion si “persona me kontribute në luftën për çlirim dhe pavarësi të Kosovës, me rastin e 7- vjetorit të Pavarësisë”.

Si Organizatë e Veteranëve të Luftës e UÇK-së, shprehim pakënaqësinë dhe indinjatën tonë lidhur me këto dekorime, të bëra në këtë datë historike, pasi që implikimet politike në dhënien e këtyre dekoratave janë të mëdha dhe shumë tendencioze.

Pa u ndalur në emra të përveçëm të të dekoruarve, ia kujtojmë Presidentit Nishani, se vija politike paqësore e konkretisht bartësi i saj, Njeriu i Velanisë, asnjëherë për të gjallë të tij, në asnjë fazë të luftës për liri as pas saj, nuk e ka njohur as nuk e ka pranuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Madje, e ka quajtur “dorë e zgjatur e Serbisë”.

Një gjë të tillë e ka bërë publikisht në janar të vitit 1997, kur krahas kësaj në një konferencë për shtyp të mbajtur në Prishtinë ka kërkuar edhe ardhjen e Interpolit për të zbuluar aksionet e armatosura që po i kryente UÇK-ja kundër forcave policore e ushtarake serbe. Si rezultat i kësaj thirrjeje, brenda dy javësh, policia serbe burgosi mbi 100 të rinj e të reja shqiptare, në mesin e tyre u burgosën dhe u vranë edhe disa prej krerëve drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Po ashtu, kur ndodhi Epopeja e Prekazit, në mars të vitit 1998, kur komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u sakrifikua me tërë familjen dhe lagjen Jashari, mbi pesëdhjetë veta, ndonëse Drenica po digjej në flakë, Njeriu i Velanisë nuk e pa të arsyeshme të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, për më tepër i mbajti “zgjedhjet e lira” në Kosovë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë!

Edhe pas përfundimit të luftës, të cilën e fitoi Ushtria Çlirimtare e Kosovës me përkrahjen e aleatëve të NATO-s në krye me SHBA-të, Njeriu i Velanisë asnjëherë për të gjallë të tij nuk e mori guximin të shkojë në Prekaz për të nderuar sakrificën e Familjes Jashari, as të asnjë pjesëtari të UÇK-së në mbarë Kosovën.

Gjithashtu edhe bashkëpartiaku juaj prej nga vini, Sali Berisha, nuk është prapa në këtë drejtim. Janë skandaloze veprimet e tij kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së në territorin e Shtetit Shqiptar, derisa në krye të tij ishte Sali Berisha, ku përveç tjerash edhe i arrestoi e mbajti ne burgje, Komandantin Legjendar Adem Jashari dhe Heroin e madh të luftës së UÇK-së Komandant Zahir Pajazitin. Madje stafi më i ngushtë i Berishës, ku bëjnë pjesë edhe anëtarë të ngushtë të familjes së tij, për vite të tëra mblodhën materiale kundër UÇK-së me qëllim të komprometimit dhe shkatërrimit të strukturave të UÇK-së që arritën ta mbijetojnë luftën.

Është e ulët që Presidenti i Shtetit Amë, si personalitet që përfaqëson frymën e unitetit të kombit, të bëjë veprime të instrumentalizuara dhe të keqpërdorë pozitën e të parit të shtetit të futë përçarje brenda shqiptarëve.

Më Shumë

Rikthehet “Komedia e Zezë” në Teatrin e Prizrenit

Sonte, me fillim nga ora 20:00, në skenën e Teatrit të Qytetit 'Bekim Fehmiu' në Prizren do të rikthehet shfaqja “Komedia e Zezë”, një...

Vdes 44-vjeçari nga Prizreni, kishte rënë nga lartësia

Një burrë nga Prizreni ka vdekur pas lëndimeve që ka marrë pasi kishte rënë nga lartësia, mëson Klan Kosova. Sipas burimeve të Klanit, burri ishte...

18 vjet shtet

Lajmet e Fundit