16.8 C
Prizren
E premte, 30 Shtator, 2022

Pafuqia n’shesh

Imer MushkolajShkruan:Imer Mushkolaj

Protestat e qytetarëve janë rezultat i pafuqisë së kryeministrit Isa Mustafa për të menaxhuar qeverinë e qeverisjen, por edhe i pafuqisë së kosovarëve për të duruar edhe më tej fyerjen, poshtërimin, nënshtrimin
1.

Po të mos e kishte injoruar kërkesën për shkarkimin e ministrit Aleksandar Jablanovic dhe çështjen e “Trepçës”, Isa Mustafa nuk do të ishte në pozitë fort të palakmueshme qysh është sot. I pafuqishëm përballë problemeve që ia la trashëgim paraardhësi i tij dhe të tjerave që ia shkaktoi vetes, kryeministri para se të tregojë përgjegjësi para qytetarëve që i udhëheq, zgjodhi të akuzojë protestuesit se po dashkan t’ia marrin pushtetin me dhunë. Dhe, si për të përligjur ato që kritikët ia përsëritin që nga marrja e postit, ai doli para gazetarëve me Hashim Thaçin në krah.

Në vend se t’u jepte përgjigje kërkesave të mijëra vetëve që ia kishin mbushur sheshin përballë zyrës dhe të menaxhonte situatën si duhej, ai dhe zëvendësi i tij përsëritën refrenin se pushteti fitohet me vota. Ata, po ashtu, në panikë përmendën tentimin për grabitje dhunshëm të pushtetit. Përmendën edhe 21 janarin e ‘97’tën e Shqipërisë.

Pikërisht lakmia për pushtetin me çdo çmim, madje edhe me Thaçin partner, e ka sjellë Mustafën në këtë derexhe. E ka bërë të urryer në sy të qytetarëve jo pse ai nuk po ua zgjidhë problemet e shumta, sepse është e pamundur që kjo të bëhet për dy muaj, por pse ua shoi shpresat dhe besimin se gjërat do të ndryshonin për të mirë pa Thaçin në qeverisje.

Rasti i ministrit Jablanovic vetëm sa ka dëshmuar fuqinë e Listës Serbe, e cila në marrëveshje për bashkëqeverisje kishte caktuar madje edhe emrat e ministrave. Rasti Jablanovic vetëm sa ka treguar se nuk janë të kota vlerësimet se Kosova i ka tre, e jo veç një kryeministër, porse faturën e paguan vetëm njëri, Isa Mustafa.

2.

Me një numër të vogël dhe të pamjaftueshëm deputetësh në Kuvend për t’iu kundërvënë pushtetit, partitë opozitare shfrytëzuan pafuqinë e kryeministrit për të menaxhuar si duhet dhe u vunë në ballë të protestave. Por, nuk është e vërtetë se të gjithë protestuesit ishin militantë ose simpatizantë të këtyre subjekteve politike.

Asnjëherë më parë Lëvizja Vetëvendosje nuk ka mundur të mbledh kaq shumë njerëz në protestat që i organizonte. Kjo tregon se qytetarët dolën të shprehin pakënaqësitë e tyre në shesh jo veç pse i ftoi opozita, por për një mijë arye të tjera.

Opozita gjithkund pret rastin që pakënaqësitë e qytetarëve t’i kanalizojë në protesta kundër qeverisë dhe kjo nuk duhet të jetë përjashtim as në Kosovë. Tjetër gjë është se kosovarët nuk shquhen fort për protesta që kanë të bëjnë me gjendjen ekonomike e sociale dhe kur ato ndodhin, pushtetin e kap panika. Në një shtet tjetër me probleme si Kosova, sheshet do të duhej të ishin plot çdo ditë. Dhe politikanët normalë e të përgjegjshëm do të duhej të kishin frikë se nuk mund t’u përgjigjen si duhet qytetarëve në kërkesat e tyre, e jo se dikush pretendon t’ua marrë me dhunë pushtetin.

3.

Sheshet u mbushën plot dhe është paralajmëruar sërish, sepse njerëzit ndihen të pafuqishëm për të ndryshuar diçka, pavarësisht se i kanë zgjedhur me votë përfaqësuesit e tyre. Atyre iu ka humbur edhe ajo grimë shpresë se do të bëhet mirë. Ata ndihen të anashkaluar e të poshtëruar, ata ndihen të pafuqishëm për ta ndëshkuar klasën politike për të bëmat që ua gërryen dheun nën këmbë për 15 vjet. Ata ndihen të pashpresë, sepse këta politikanë që i frikësohen humbjes së pushtetit ua vodhën ardhmërinë, duke ua lënë alternativë të vetme autobusët drejt Hungarisë.

Pritjet e mëdha që i patën pas zgjedhjeve të qershorit përfunduan me zhgënjim dhe ata nuk kanë më çfarë të humbin.

Andaj e kanë zgjedhur sheshin, si mundësi të fundit për t’i treguar pushtetit se nuk lejojnë të fyhen e të nëpërkëmben nga askush dhe kërkojnë mirëqenien që e meritojnë. Për t’i treguar pushtetit se kanë duruar mjaft “për hir të stabilitetit”, “për hir të shtetit”. Për t’i treguar pushtetit se protestat organizohen për të gjetur zgjidhje, e jo për të bërë grushtshtet.

Është tjetër gjë se pushtetarët kanë frikë nga qytetarët. Kanë frikë, sepse nuk i kanë parë asnjëherë kaq të mllefosur. Nuk i kanë parë asnjëherë kaq të vendosur dhe kaq shumë në shesh.

3.

Nëse Isa Mustafa vazhdon t’i injorojë kërkesat e qytetarëve dhe provon që zgjidhjen ta bëjë me forca policore, atëherë do të dështojë. Kërkesat e qytetarëve janë të qarta dhe ai duhet të reflektojë. Sa më shpejt, aq më mirë. Ashtu siç duhet ta heq nga mendja paranojën se dikush po dëshiron t’ia marrë pushtetin me dhunë.

Nëse nuk tregohet i përgjegjshëm përballë qytetarëve, nuk ka çfarë i duhet as pushteti. Ai është aty jo për veten, por që t’iu shërbejë qytetarëve. E pushteti nuk merret me dhunë, por as nuk mbahet me dhunë. Pushteti mbahet me punë. Kurse n’shesh shihet pafuqia e shtetit për të qenë përkrah, e jo kundër qytetarëve./Gazeta Express/

Më Shumë

Një punëtor lëndohet në vendin e punës në Suharekë

Një person është lënduar dje në vendin e tij të punës në Suharekë. Sipas policisë viktima është dërguar për trajtim mjekësor, pasi ishte lënduar në...

Apeli e kthen në rigjykim rastin e ish-rektorit të Universitetit të Prizrenit, Ramë Vataj

Gjykata e Apelit e ka anuluar vendimin e Gjykatës Themelore në Prizren, duke e kthyer në rigjykim rastin ndaj ish-rektorit të Universiteti të Prizrenit...

Lajmet e Fundit